Një pasuri e tërë fotografike është publikuar nga albanologu Robert Elsie. Plot 700 ekzemplarë të rrallë paraqesin imazhe gati të harruara nga Shqipëria e fundit të 1800-ës e deri në mesin 1900-ës. “Pamje të rralla të së kaluarës së Shqipërisë: shtatë qind fotografi të reja të Shqipërisë nga viti 1873-1952 ndodhen tani në internet! Këto fotografi burojnë nga 13 koleksione të ndryshme”, njofton Elsie, ndërsa prezanton 13 koleksionet.
Koleksioni i parë përmban veshje popullore të Shqipërisë dhe të Ballkanit perëndimor të paraqitura në ekspozitën botërore të Vjenës në vitin 1873.
Koleksioni i dytë prezanton fotot nga koleksioni privat i Sulltan Abdyl Hamitit të dytë (Shkup, Kosovë, Shkodër, dhe Ulqin në vitet 1876-1900). Koleksioni i tretë fotografik i takon konsullit francez në Shkodër, Baron Aleksandrë Dëgran dhe paraqet vitet 1890. Koleksioni i katërt paraqet fotot e Shqipërisë, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë në vitet 1902-1912 realizuar nga shkrimtari gjerman Hugo Grote.
Koleksioni i pestë sjell fotot e një udhëtimi të rrallë në Kosovë dhe në veriun e Shqipërisë (Lumë, Mirditë, Shkodër) të ndërmarrë nga shkrimtari francez, Gabriel Lui-Zhare, në vitin 1909. Koleksioni i gjatë përbëhet nga fotot e gazetarit dhe publicistit gjerman Ernst Jek, i cili shoqëroi gjeneralin turk famëkeq, Shefqet Turgut Pashë, në Kosovë dhe nëpërmjet Mirditës dhe Gostivarit në vitin 1910;
në koleksionin e shtatë ruhen fotot e Shqipërisë, të Malit të Zi dhe të Sanxhakut nga nënkoloneli austro-hungarez, Oto fon Gerstner nga viti 1912. Koleksioni i tetë fotografik sjell imazhet e fiksuara nga ministri italian i Punëve të Jashtme, Markeze di San Xhuliano, i cili e dokumenton kohën e Princ Vidit pas pavarësisë së Shqipërisë (Durrës dhe Shkodër në vitin 1914). Mjaft i veçantë është koleksioni i nëntë i fotografit shqiptar, Thimi Raci, nga Dardha e Korçës me imazhe nga 1918-1952. Koleksioni i dhjetë fotografik sjell imazhe të etnologut dhe udhëpërshkruesit austriak, Hugo Adolf Bernacik (Shqipëria në vitin 1929).
Në koleksionin e njëmbëdhjetë janë prezantuar fotografitë e realizuara nga shkrimtari austriak, Fridrih Valish nga Shqipëria në vitin 1931. Koleksioni i dymbëdhjetë sjell fotografitë e Shqipërisë së vitin 1936 të realizuara nga publicistja gjermane, Kontesha Marion Dënhof. Ndërsa koleksioni i fundit fotografik, i trembëdhjeti në radhë sjell imazhet e realizuara nga ambasadori gjerman (nazist) në Tiranë, Erih fon Lukvald. Fotot e tij pasqyrojnë jetën e Shqipërisë së viteve 1936-1941.
Për lexuesit tanë do të sjellim sot disa imazhe nga koleksioni i dytë, marrë nga koleksioni privat i Sulltan Abdyl Hamitit të dytë, që tregojnë pamjet e rralla të Ballkanit Perëndimor gjatë periudhës 1876-1900. Nga shënimet e albanologut Robert Elsie zbulohen disa të dhëna interesante rreth sulltanit osman, Abdyl Hamiti i dytë dhe këtij koleksioni të rrallë.
Abdyl Hamiti i dytë (periudha e sundimit 1876-1909), mbretëroi mbi një perandori (përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë) e cila po shkonte drejt shpërbërjes. Në fund të sundimit të tij, sulltani u bë paranojak. Nuk udhëtoi më dhe rrallë shfaqej në publik. Për t’u informuar për gjendjen e perandorisë, kishte një rrjet spiunësh, por edhe fotografë të cilët bënin foto të shtetit të tij shumëkombësh. Kur në vitin 1909 u detyrua të jepte dorëheqjen, koleksioni i tij fotografik ngeli në Jildiz-Saraj deri sa u transferua në Bibliotekën e Universitetit të Stambollit.
Aty mbeti për vite i paprekur. I jemi mirënjohës Bibliotekës për mundësinë e paraqitjes këtu të një pjese të fotografive nga Shqipëria dhe Ballkani perëndimor (fotot e Shkupit, Kaçanikut, Ferizajt, Prishtinës, Shkodrës, Podgoricës dhe Ulqinit). Falënderojmë gjithashtu zotin András Riedlmayer nga Biblioteka e Arteve të Bukura e Universitetit të Harvardit për ndihmë në përkthimin e titujve nga osmanishtja. Shumica e fotografive janë pa datë, por duket se vijnë nga periudha 1876-1900.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13 qershor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)