Mbërrin në Kuvend ligji i ri për emërimet në Gjykatën e Lartë. Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka konfirmuar për gazetën "Shqiptarja.com" se "brenda kësaj jave do të t'i vihet në dispozicion parlamentit shqiptar drafti i përfundur për emërimet në Gjykatën e Lartë. Ky draft ka si objekt ngritjen e një staf sa më të kualifikuar në Gjykatën e Lartë, pra anëtarë, si dhe në Kolegjin Administrativ". Sipas Halimit, ky draf është bërë në frymën e ekspertëve të EURALIU-s si dhe gjyqtarëve të disa vendeve të Europës, si Franca, Italia dhe Spanja, të cilët kanë dhënë mendimin e tyre mbi këtë ligj që synon përafrimin e legjislacionit me vendet e BE-së. Por pjesë të konsultimeve janë bërë edhe deputetët e Partisë Demokratike dhe deputetë të Partisë Socialsite si Fatmir Xhafaj dhe Armando Subashi, të cilët kanë dhënë konsensusin. Kjo nismë kërkon një shumicë të cilësuar në Kuvend dhe parashikon që për kandidatët, përpara se të dekretohen nga presidenti i ri, duhet të merret parapëlqimi paraprak nga partitë parlamentare. Kjo detyron kreun e shtetit të zhvillojë negociatat me dy grupet e mëdha politike PD dhe PS. Nisma e re do të përjashtojë dhe ata kandidatë që dyshohen se janë spiunë apo kanë të kaluar të dyshimtë. Në draftin e Halimit thuhet se "Presidenti i Republikës, gjatë procedurës së konkurrimit, mund të kërkojë të dhëna apo informacione zyrtare nga çdo institucion shtetëror". Gjykata Administrative çon në 19 numrin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Ky është numri për të cilin demokratët dhe socialistët kanë gjetur konsensus, i vënë në jetë përmes një draft-ligji të hartuar nga ministri i Drejtësisë. Në projekt janë reflektuar edhe sugjerimet e misionit të Bashkimit Europian, që kontribuon në forcimin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë, EURALIUS. Ndryshimi i përbërjes së Gjykatës së Lartë është bërë i domosdoshëm pas miratimit të ligjit "Për organizimin e drejtësisë administrative", ku u sanksionua dhe ngritja në Gjykatën e Lartë e kolegjit administrativ, i cili do duhet të shqyrtojë çështjet me karakter administrative.
(sg/fc/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com
(sg/fc/shqiptarja.com)








