Emergjenca, Olli: Puka më keq
ja situata e dëborës në vend

Emergjenca, Olli: Puka më keq<br />ja situata e dëborës në vend
TIRANE- Drejtori i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme në një intervistë për shqiptarja.com, jep një panoramë të situatës së qarkullimit në gjithë vendin për shkak të kushtetve të motit. Sipas Ferdinand Ollit, në pjesën verilindore të Shqipërisë problematike është furnizimi me energji elektrike për shkak të borës dhe ngricave, ndërkohë që akset kryesore në vend, janë të hapura. Në rrugën e Kombit, po punojnë gati 10 borëpastruese, por deri tani, sipas Ollit, nuk ka pasur emergjencë për furnizim me ushqime apo ngritje helikopterësh.

Zoti Olli, sipas raportimit të medias, është një person i raportuar në Shqipëri i vdekur nga i ftohti. Cili është informacioni juaj?
Personi që i referoheni është gjendur i vdekur dhe sipas informacioneve tona ka pasur probleme. Ai ka qenë në gjendje të rënduar alkoolike dhe e ka zënë gjumi. Por për më tepër do të merret informacioni nga strukturat përkatëse sepse është bërë edhe ekspertiza e tij mjekoligjore.
Mund të na thoni se cila është situata në akset kryesore?
Atëherë aksi nacional drejt Korçës dhe Gjirokastrës janë të hapura. Kuptohet që në Qafë Thanë dhe Qafë Plloçë mund të lëvizet vetëm me zinxhirë për shkak të erërave të cilat krijojnë akull, pavarësisht se të gjitha borëpastrueset janë në punë për të normalizuar situatën.
Ndërkohë janë katër komuna në Korçë, Lekas, Vithkuq dhe dy komuna të Mokrës së Pogradecit që janë të bllokuara nga dëbora. Në Gjirokastër, janë pesë komuna të bllokuara nga dëbora. Ndërkohë që aksi drejt Kakavijës është pastruar.
Po në veri, situata raportohet më problematike....
Deri tani, Puka është në gjendje më kritike. Janë të bllokuara 7 komuna në qarkun e Shkodrës. Janë të bllokuara edhe tre komuna në Malsi të Madhe, Kelmendi, Shala dhe Oshoshi. Në Kukës, janë të bllokuara 8 komuna. Ndërsa për Dibrën, rruga nacionale Peshkopi-Bulqizë-Burrel është e hapur. Për të kaluar në Qafën e Buallit duhen zinxhirë. Në qarkun e Dibrës ka 8 komuna të bllokuara.
Cilat janë masat për furnizim me ushqime dhe veshmbathje? A janë ngritur helikopterët?
Deri tani nuk ka qenë e nevojshme. Problematike është më shumë ndërprerja e energjisë elektrike sidomos në zonën verilindore. Jemi në kontakt me të gjitha institucionet shtetërore dhe private për të zgjidhur këtë situatë.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Media italiane ‘Tag24’: Cilat vende të vizitoni në Shqipëri për pushimet verore 2024

Media italiane ‘Tag24’: Cilat vende të vizitoni në Shqipëri për pushimet verore 2024