Emërimet në administratë, palët
nuk gjejnë konsensusin për hetimin

Emërimet në administratë, palët<br />nuk gjejnë konsensusin për hetimin
Kërkesa e Partisë Demokratike për ngritjen e Komisionit Hetimor për ligjshmërinë e emërimeve në administratë ndodhet në ngërç. Ndonëse u la 1 javë kohë nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta që mazhoranca dhe minoranca parlamentare të gjenin konsensusin, palët duket se nuk do arrijnë të pajtojnë propozimet e tyre. Kryetari i grupit të Partisë Demokratike Edi Paloka ka hedhur akuza ndaj mazhorancës se po bllokon me qëllim ngritjen e Komisionit Hetimor pasi gjatë kësaj kohe nuk ka pasur asnjë tentativë nga mazhoranca për negocim. Për Palokën këto janë lojëra të qeverisë për ta shtyrë sa më shumë deri në marrjen e statusit të vendit kandidat.
 
Ajo çka sjell mospajtueshmëri mes pozitës dhe opozitës është periudha për të cilën do hetojë komisioni. Në cilësinë e kreut të grupit të LSI dhe në emër të mazhorancës Petrit Vasili ka sqaruar se problemi i emërimeve në administratë është një çështje që duhet analizuar qysh më herët pasi vetëm kështu mund të nxjerrim problemet e vërteta.
 
Një javë më parë në seancën plenare, palët nuk arritën të gjenin konsensusin mes tyre e për rrjedhoje kryeparlamentari la 1 javë kohë për të gjetur gjuhën e përbashkët pasi PD kërkon hetimin vetëm për emërimet e kryera gjatë muajve të qeverisjes së majtë, ndërsa mazhoranca kërkon ta nisë që nga viti 2009 hetimin.
 


Emërimet në administratë, PD nuk ndryshon periudhën e hetimit
Partia Demokratike nuk ka ndryshuar periudhën e hetimit në kërkesën e tyre të depozituar në Kuvend, për ngritjen e Komisionin Hetimor për emërimet në administratë, ndërsa ka akuzuar mazhorancën se po bllokon ngritjen e këtij Komisioni.

Kreu i grupit të PD Edi Paloka  thotë se deri tani nuk ka  patur tentativa nga mazhoranca për marrëveshje me opozitën.  “Seancën e kaluar u shty votimi për Komisionin Hetimor për emërimet. Ne kemi dërguar disa rregullime të objektit të Komisionit Hetimor, por nuk kemi ndryshuar vetëm periudhën e hetimit. Mazhoranca s’ka bërë përpjekje për pretendimet e saj, mazhoranca kërkon vetëm të shtyjnë sa munden Komisionin Hetimor.

Qëllimi i tyre nuk është marrëveshja me opozitën. Mazhoranca kërkon të shtyjë Komisionin deri në vendimin për statusin”, ka thënë Paloka.  Sipas mazhorancës duhet të ndryshojë objekti i hetimit sepse është antikushtetues pasi prezumohet pafajësia e personave që opozita kërkon të hetojë. Gjithashu mazhoranca kërkon që Komisionin Hetimor për emërimet në administratë të hetojë që nga viti 2009.

DEKLARATA E PLOTË E KRYETARIT  TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD
Unë sot po ju njoftoj që nga ajo ditë kur maxhoranca kërkoi ndryshimin e objektit të hetimit për komsiionin hetimor parlamentar deri sot nuk ka pasur asnjë tentativë nga ana e tyre për të biseduar. Ndërkohë, ne, me iniciativën tonë kemi dërguar sot në kryesinë e parlamentit disa rregullime të objektit të komisionit. Disa nga ato vërejtje që bëri kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste lidhur me ato që ai pretendonte që janë shkelje të Kushtetutës. Megjithëse për ne nuk ishin të tilla, sërish bëmë disa rregullime, në mënyrë që mos ketë asnjë mundësi për keqinterpretim të objektit të komisionit hetimor. Praktikisht nuk kemi ndryshuar vetëm kohën e hetimit, pra atë që kërkonte mazhoranca ta ndryshonte, duke e shtyrë afatin e periudhës që do hetohej  që nga 2009. Këtu me siguri që nuk kemi toleruar pasi nuk ka asgjë antikushtetuese në afatin e kësaj periudhe. Pra nuk mund të thuash që është antikushtetuese të hetosh nga 2013 dhe është kushtetuese të hetosh nga 2009. Që ne të pranojmë që mazhoranca të përcaktojë objektin e hetimit tonë është absurde, është jashtë çdo logjike. Pastaj i ngelet vetëm që mazhoranca të emerojë edhe opozitën, të përcaktojë edhe se kush duhet të jetë në opozitë, pasi ky është hapi i fundit. Kështu që, gjendemi prapë para një situatë të tillë kur kemi një shtyrje të pajustifikuar të ngritjes së komisionit hetimor  në kundërshtim me Kushtetutën. E përsëris, në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sidomos vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe pa asnjë përpjekje nga mazhoranca gjatë kësaj periudhe, pra nga e enjtja deri më sot, gati një javë, një javë plot për t’u marrë vesh lidhur me pretendimet që ata ngritën.
Mesa duket qëllimi i tyre, e thashë në fakt edhe herën tjetër në parlament, nuk është aspak një përpjekje për të arritur një marrëveshje midis dy palëve. Qëllimi i tyre është që ta shtyjnë sa të mundin votimin për këtë komision hetimor, deri sa sipas tyre, të merret statusi, apo të kalojë afati kur të merret vendimi për marrjen e statusit, dhe pastaj të veprojnë me këtë komision siç kanë vepruar me të gjithë komisionet, pothuajse me të gjithë komisionet që ne kemi kërkuar. Po ta hedhin poshtë do ishte antikushtetuese dhe pa asnjë logjikë.
U pretendua nga kryetari i grupit socialist se disa nga fjalitë që ne kishim futur  në objekt, mund të cenojnë prezumimin e pafajsisë për ata që akuzohen. Nuk është e vërtetë dhe kjo nuk ka qënë në objektin e hetimit. I kemi eleminuar këto detaje të vogla për të mos lejuar asnjë dyshim. E përsëris që qëllimi është vetëm të pengojë ngritjen e e këtij komisioni dhe asnjë tjetër.
 
Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria çel negociatat për kapitullin e parë, integrohemi brenda 2030?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria dhe opozita të bëjnë pakt për kërkesat e BE, jo pazar për lista apo amnisti penale

Spahiu: Qeveria dhe opozita të bëjnë pakt për kërkesat e BE, jo pazar për lista apo amnisti penale