Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano zhvilloi një takim në Shkodër me një grup oficerësh të rinj, të cilët pas përfundimit të studimeve bachelor në Akademinë e Sigurisë dhe fitimit të gradës 'Nënkomisar', janë emëruar si specialistë për hetimin e krimit, narkotikëve dhe trafiqeve të paligjshme në DVP Shkodër dhe në komisariatet në varësi të saj.
Drejtori i Përgjithshëm Gledis Nano, i shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër Hamdi Fjora, gjatë bisedës me oficerët e rinj, i ka inkurajuar ata për sfidat që i presin, sfida të cilat kërkojnë angazhim, përkushtim, vendosmëri dhe ndershmëri, me qëllim që t’i jepet një impuls i ri punës së Policisë, në qarkun Shkodër.
Nano ka theksuar se qytetarët e qarkut Shkodër dhe të mbarë vendit, duan një polici të aftë profesionalisht dhe të ndershme, që t’u shërbejë qytetarëve dhe të luftojë krimin pa kompromis, e rrjedhimisht edhe Shkodra ka shumë nevojë për të tillë punonjës policie, të çdo niveli.
“Bëhuni palë me ligjin dhe jo me krimin, e të keni refren e motiv thënien e një luftëtari e atdhetari të shquar: "Që nga dita që jam lerë, kurrë s'jam shitur, kurrë s'jam blerë! Shërbeni Policisë së Shtetit duke garantuar rend dhe siguri për qytetarët, luftoni krimin në përgjithësi dhe krimin e organizuar në veçanti, dhe ju siguroj se do të keni përkrahjen më të madhe që ju s’e keni imagjinuar, do të keni përkrahjen dhe mirënjohjen qytetare që rrallëkush e fiton, dhe pa asnjë mëdyshje do të keni edhe mbështetjen time dhe të stafit drejtues të DVP Shkodër. Unë kur mora detyrën, kisha shumë sfida mbi vete, dhe njëra prej tyre ishte dhe ende është lufta pa kompromis kundër kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve. Ju siguroj se nuk i kisha sfida mediatike, por i kam sfida të jetës, ndaj edhe ju dhe gjithë kolegët tuaj, duhet të sfidoni të keqen, të mos tradhëtoni kolegët, por të mbroni ligjn dhe qytetarët. Jemi një familje shumë e madhe, e cila po të jetë e bashkuar në sfida dhe në prioritete nuk guxon askush ta thyejë e ta sfidojë. Kanabisi është një sfidë e madhe sepse prej kësaj veprimtarie fuqizohen grupet kriminale dhe sjell krime dhe pasiguri për jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Luftoni fort, mos u stepni, dhe mua do të më keni në krah përherë, për t’ju besuar detyra në rolet më të larta drejtuese, siç e meritoni.”, u shpreh Nano gjatë fjalës së tij.