“Misioni italian” në Shqipëri, ecën përpara me çdo kusht, pa u shqetësuar për shpenzimet. Është rinovuar marrëveshja me resortin me 5 yje për akomodimin e forcave të rendit të angazhuara në menaxhimin e qendrave për migrantët.

Siç e ka përsëritur disa herë kryeministrja Giorgia Meloni, edhe gjatë samitit të fundit ndërqeveritar mes Italisë dhe Gjermanisë, për menaxhimin e dosjes së migracionit, Italia synon të vazhdojë të mbështetet te “zgjidhje inovative” si Protokolli i nënshkruar mes Romës dhe Tiranës më 6 nëntor 2023. Kjo pavarësisht faktit se deri tani operacioni nuk ka dhënë rezultatet e shpresuara nga qeveria, se personat që duhet të dëbohen duhet gjithsesi të kthehen në Itali për riatdhesim dhe se CPR-të në territorin italian kanë kosto më të ulëta dhe mbeten strukturalisht të pashfrytëzuara.

Qeverisë i intereson pak ose aspak. “Nuk kemi mundur ta vëmë në funksion deri tani sepse kishte vendime ideologjike të gjyqtarëve – shpjegoi banorja e Palazzo Chigi-t –. Na thanë se ishte i papajtueshëm me legjislacionin e BE-së. Mirë, ne e kemi korrigjuar legjislacionin e Bashkimit”. Pa harruar përfundimin e procedurave për t’u mundësuar qendrave për migrantë në Gjadër dhe Shëngjin të funksionojnë me kapacitet të plotë. Mes tyre edhe nënshkrimi i një kontrate dyvjeçare për shërbimin e akomodimit në dhoma teke hoteliere, me restoracion dhe shërbime të lidhura, për personelin e Forcave të Policisë të angazhuara në Shqipëri për aktivitetet që lidhen me funksionimin e qendrave.

Në përfundim të një konsultimi paraprak të tregut, të nisur në mes të qershorit dhe të përfunduar në fund të dhjetorit, fituese rezultoi e njëjta strukturë me 5 yje që kishte fituar tenderin edhe dy vite më parë, pra “Rafaelo Resort”.

Kështu zbulojnë dokumentet e Ministrisë së Brendshme (Departamenti i Sigurisë Publike), të shqyrtuara nga agjencia e lajmeve LaPresse, në të cilat dekretohet “dhënia e kontratës në favor të shoqërisë Rafaelo Resort, me seli në Shëngjin (Shqipëri), për shërbimin e akomodimit në dhoma teke hoteliere me restoracion dhe shërbime të lidhura, për një periudhë prej njëzet e katër muajsh, me një kosto ditore njësi gjithëpërfshirëse prej 83,00 euro (pa përfshirë taksat), për një shumë maksimale të parashikuar dhe të vlerësuar prej 18.177.000,00 euro (pa përfshirë taksat)”.

Dekreti për dhënien përfundimtare të procedurës së prokurimit është nënshkruar më 11 dhjetor të kaluar dhe është publikuar ditët e fundit.

Procedura e tenderit, siç sqarojnë dokumentet e Ministrisë së Brendshme, ishte hapur më 18 qershor 2025 përmes një “njoftimi për shprehje interesi”, në të cilin Departamenti i Sigurisë Publike evidentonte nevojën për të eksploruar tregun përkatës me qëllim identifikimin, në një kohë të shkurtër, të një operatori ekonomik të cilit t’i besohej furnizimi i shërbimit të akomodimit për forcat e rendit.

Afati për paraqitjen e “kandidaturave” ishte caktuar më 15 korrik, datë në të cilën u komunikuan dy shoqëritë e interesuara për tenderin dhe të cilave iu kërkua të paraqisnin një ofertë: nga njëra anë “Rafaelo Resort shpk”, nga ana tjetër “Xenia S.p.a.”. Ofertë që, megjithatë, në fund u paraqit vetëm nga Rafaelo, e cila më pas u shpall fituese e kontratës, ashtu si edhe në vitin 2024./Il Fatto Quotidiano