Sipas të dhënave të komisionerit, në vitin 2010 dërgesat në para nga Greqia vlerësohet se arritën në 1,1 miliardë euro, nga të cilat, remitancat më të shumta ishin në drejtim të Shqipërisë (514 milionë euro), Izraelit (190 milionë euro), dhe Gjerogjisë (103 milionë euro); ndërsa hyrjet drejt Greqisë ishin 929 milionë euro.
Nga këto, shumat më të mëdha erdhën nga SHBA (339 milionë euro), Gjermania (236 milionë euro) dhe Belgjika (221 milionë euro).
Sipas eurodeputetit grek, pasiguria mbi situatën ekonomike dhe mungesa e perspektivës së zhvillimit që zotëron dy vitet e fundit në Greqi, kishte si rezultat një “dëm anësor”, veçanërisht me pasoja për ekonominë greke.
Emigrantët që punojnë në Greqi dhe kanë depozita në sistemin bankar vendas ndërmorën një nxjerrje pa precedent të kapitaleve jashtë Greqisë, në të njëjtën kohë që grekët, të cilët punojnë jashtë vendit, në të vërtetë i pezulluan dërgesat e parave drejt Greqisë, për shkak të pasigurisë ekonomike që dominon në vend”, thekson eurodeputeti.
Sipas eurodeputetit grek shifrat e paraqitura nuk janë edhe fort të sakta, pasi në to nuk përfshihen dërgesat e emigrantëve nga vendet aziatike, Pakistani, India, Bangladeshi, Afganistani etj, të cilat vështirë të llogariten, pasi shumë rrallë emigrantët ekonomikë nga këto vende kishin llogari bankare, në mënyrë që të kontrolloheshin e të mësoheshin lëvizjet e transaksionet financiare të kësaj kategorie emigrantësh.
Duhet theksuar se është e ditur që në Greqi që emigrantët e vendeve arabe të sipërpërmendura, asnjëherë nuk kanë shpenzuar në tregun e taksuar grek, ndërkohë që mbi 90% e pagës së tyre mujore dërgohet në familjet e tyre në vendet e origjinës.
SHQIPËRIA: FIRMAT E HUAJA TRANSFERUAN JASHTË 264.3 MILIONË EURO
Firmat e huaja, të cilat funksionojnë në Shqipëri kanë transferuar vjet jashtë Shqipërisë mbi 264.3 milionë euro, deri në 40% më tepër nga sa ishin në vitin 2011, përmendet në një raport të Bankës së Shqipërisë, i cili ka bërë jehonë në shtypin grek.
Shumica e të ardhurave vijnë nga sektorët fitimprurës të ekonomisë shqiptare, siç është sektori bankar dhe telekomunikacionet, ndërkohë që pjesa tjetër vjen nga sipërmarrjet monopol në tregun shqiptar të privatizimeve, apo të dhënies së të drejtave të monopolit.
Sipas Bankës Qendrore të Shqipërisë, kjo shumë e transferuar jashtë vendit (në vendet prej nga vijnë këto firma të huaja) përfaqëson vetëm fitimet e këtyre firmave dhe jo kapitalin që këto firma kanë investuar e riinvestuar për të përhapur e shtrirë veprimtarinë e tyre në Shqipëri.
Në vitin 2007, shuma që u transferua jashtë Shqipërisë nga firmat e huaja investitore ishte 56.4 milionë euro. Një vit më vonë kjo shumë u pesëfishua.
Pas vitit 2008, fitimet që u transferuan jashtë Shqipërisë vazhduan të qëndronin në nivelet 2,5- 4% të PPK të Shqipërisë
Rekordi historik i transferimeve të parave regjistrohet në vitin 2009, kur shuma arriti në shifrat 400 milionë euro.
Sipas analistëve të ekonomisë, Shqipëria tashmë nuk mban pozicionin e sigurtë që kishte më parë në fushën e investimeve të kapiotaleve dhe të fitimeve që rridhnin prej tyre, tregues i krizës ekononike, e cila ka goditur edhe Shqipërinë.
(sg/shqiptarja.com)