Emigrantët/ Prurjet valutore, si kanë ndryshuar në vite remitancat në Shqipëri

Emigrantët/ Prurjet valutore, si kanë ndryshuar në vite remitancat në Shqipëri

Foto ilustruese

Ekonomia shqiptare vijon të mbështetet, edhe 28 vjet pas nisjes së emigracionit, në prurjet valutore të shqiptarëve që punojnë e jetojnë jashtë vendit. Në fund të vitit 2017, sipas Bankës Botërore, dërgesat e emigrantëve shqiptarë për familjet e tyre llogariten në vlerën një miliard e 382 milionë dollarëve amerikanë. Krahasuar me vitin pararendës, 2016-a shënohet rritje në masën 5.8 për qind. Këto të dhëna dalin nga një studim i Open Data Albania lidhur me remitancat.

Dërgesat e emigrantëve janë një burim shumë i rëndësishëm për shumë vende në zhvillim, përfshirë dhe Shqipërinë. Pas eksporteve, ato janë burimi kryesor i financimit të jashtëm si në terma absolute ashtu edhe në peshë relative kundrejt Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por dërgesat e emigrantëve kanë rënë me shpejtësi sidomos pas thellimit të krizës ekonomike të Eurozonës. Viti më i mirë për dërgesa të larta të tipit remitanca është viti 2008 me 1.86 miliardë dollarë. Por në dy vitet e fundit 2016 dhe 2017, remitancat në ekonominë shqiptare kanë filluar të rriten sërish krahasuar me vlerën e viti 2015. 

Origjina

Open Data Albania ka hulumtuar edhe origjinën prej nga vijnë këto dërgesa paraje në vitin 2017, duke identifikuar vendet nga ku ka më shumë hyrje remitancash. Vendet kryesore nga ku e kanë origjinën dërgesat e emigrantëve shqiptarë janë Greqia - 44% e totalit, Italia 36.3%, Shtetet e Bashkuara të Amerikës 7.4%, etj.  

Të dhënat tregojnë se pesha e vendeve të origjinës në fluksin e remitancave në Shqipëri ka mbetur thuajse konstante gjatë katër viteve të fundit, ku Greqia vazhdon të mbetet burimi kryesor, ndërsa Italia vjen në vendin e dytë. 

Në dalje

Veç remitancave hyrëse, pra ato çka dërgohen drejt Shqipërisë, janë edhe remitancat dalëse, dërgesa parash nga Shqipëria në drejtim të një vendi tjetër. Në vitin 2017 vlera e remitancave dalëse, dërgesa pa kundërshpërblim nga vendi ynë drejt një vendi tjetër, sipas Bankës Botërore shënoi vlerën 199 milionë dollarë.

Remitancat dalësi janë sa 14.3 për qind e remitancave hyrëse. Vendi kryesor që përfiton dërgesa nga Shqipëria është Serbia. Nga Shqipëria drejt Serbisë për vitin 2017 janë dërguar 84 milionë dollarë transferta pa kundërshpërblim. Kjo vlerë është sa 42.2 për qind të totalit të remitancave që kanë dalë nga Shqipëria. Në vendin e dytë vjen Kroacia me 32 milionë dollarë, ose 16 për qind të totalit dhe më pas Bosnja e Greqia përkatësisht me 15 dhe 12 për qind të totalit. 

Sipas databazës së BB, në vitin 2017 kemi 76 milionë dollarë më shumë remitanca hyrëse në Shqipëri se në vitin 2016 dhe 14 milionë dollarë më shumë remitanca dalëse në vendet e tjera.

 

Viti 2018

Ndërkohë, emigrantët shqiptarë kanë sjellë në tre muajt e parë të këtij viti 147 milionë euro të ardhura pranë familjeve të tyre. Këtë herë janë të dhënat e Bankës së Shqipërisë, të cilat tregojnë se, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare, ka pasur një rritje të ndjeshme të remitancave, me 8%, ose 12 milionë euro më shumë. Këto të ardhura përdoren kryesisht për blerje ushqimesh dhe veshje. Kukësi dhe Dibra janë dy qarqet ku familjet kanë si bazë të ardhurash remitancat. 

Remitancat kanë një peshë kryesore në të ardhurat e familjeve sidomos në disa zona. Të dhënat tregojnë se Kukësi dhe Dibra janë qarqet ku remitancat zënë relativisht 15-19% të totalit të të ardhurave të familjeve. Qarku i Kukësit ka shkallën më të lartë të varfërisë në nivelin 22.5% dhe të ardhurat nga remitancat ndikojnë pozitivisht në reduktimin e varfërisë në këtë qark.

Studimi i Bankës së Shqipërisë nxjerr në pah gjithashtu se në Shqipëri, pjesa më e madhe e remitancave transferohet në rrugë joformale. Përdorimi i rrugëve bankare nga ana e emigrantëve, mbetet i kufizuar i ndikuar nga kostot e larta të transaksionit si dhe niveli i ulët i kulturës financiare, sidomos në zonat rurale.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë