Ministri i Diasporës, Pandeli Majko tha se ka qenë bllokimi i akteve nënligjore nga opozita, shkak për mosrealizimin e votës së emigrantëve.
I ftuar në emisionin "Repolitix" në "Report Tv", Majko sqaroi se në janar kanë qenë gati të gjitha rrugët ligjore, dhe se ka patur dy herë diskutime me përfaqësues të opozitës dhe të organizatës të diasporës, por pasi u mendua se çështja u zgjidh dhe do kalonin aktet nënligjore, PD kërkoi 48 orë kohë për përgjigje, por që nuk e ka dhënë një të tillë as sot.
Sipas Majkos, arsyeja e bllokimit nga PD, është fakti që do të konsiderohej arritje e PS, në rast se emigrantët shqiptar do të mund të votonin më 25 prill.
Megjithatë, Majko sqaroi se në fakt bëhej fjalë vetëm për 7 mijë vota, një votim simbolik i emigrantëve, në mënyrë që më pas të fillonte dhe mekanizmi administrativ.
"Njerëzit në kohë fushatash janë mësuar të shohin njerëz që vetëm fajësojnë palën tjetër. Ne e kemi thënë që në fillim që nuk ka patur një regjistrim të plotë të shtetësive tanë jashtë vendit, për disa arsye. U shty afati i kartave të identiteti të vjetra, me qëllim që t'i jepej e drejta mbi 1 mln votues për të votuar. Ju mendoni që këta 1 mln votues janë të gjithë në Shqipëri? Jo janë edhe jashtë. Ka patur edhe probleme të zyrave të aplikimit, regjistrimit. Në Kanada shkojnë aplikojnë në Nju Jork, e imagjinoni dot? Në Greqi kjo u zgjidh, po ashtu po stabilizohet edhe në Itali sa i përket regjistrimit. Ky regjistrim ka ecur ngadalë. Janë regjistruar 3400 adresa, por jo votues sepse kryefamiljari regjistron të gjithë familjen. çështja që shteti shqiptar nuk i ka regjistruar sepse është vonuar..., ne do mbajmë përgjegjësinë që i takon institucioneve përgjegjëse. Opozita tha se ministri i shtetit për diasporën nuk duhet të jetë asnjë përfshirje në këtë çështje, flasim për dhjetorin e vitit 2017. Procesi ka vazhduar me një ngadalësi sepse askush nuk mendonte se do kishim votim të shtetasve që jetojnë jashtë dhe procesi ishte menduar se do të donte vite dhe ishte fokusuar te regjistrimi i dokumenteve. Në janar kanë qenë gati të gjitha aktet ligjore dhe do hapnim rrugë për votën e emigrantëve. Duke qenë se KQZ nuk kishte konsensus, iu drejtua partive politike. U ulëm dy herë me përfaqësues të opozitës dhe të organizatës të diasporës, menduam që e zgjidhëm dhe do kishim kalimin e akteve nënligjore. PD kërkoi 48 orë kohë për përgjigje, kaluan javë dhe ende asnjë përgjigje. Sot PD dhe kryetari i PD thanë që maxhoranca bëri hile, por se ku është kjo hileja jonë, unë nuk e di. Ajo që ka funksionuar si arsye bllokimi është që arritja e votimit të emigrantëve do të konsiderohej si sukses i PS. KQZ ka nxjerrë si arsyetim juridik një gjë që nuk ka të bëjë me aktet nënligjore. Ky shqetësim për të futur në sistem një numër shumë të limituar votuesish, për t'i thënë shtetasve tanë që jetojnë jashtë vendit që filluam. Gjithë këtë që mund ta kthenin kundër nesh, tani këtë e kthejnë që hilen e paskemi bërë ne. Bëhet fjalë vetëm për 7 mijë vota që thjeshtë të fillonte dhe mekanizmi administrativ pas kësaj do bënte presion për të gjitha, do krijohej regjistri i madh i shtetasve tanë jashtë vendit", tha Majko.
Lajmi kryesor: