Një në tre familje shqiptare ka një të paktën një anëtar në emigrim. Kjo shifër tregon se emigracioni nuk është fenomen periferik, por është një problem me pasoja të shumta në ekonomi, përsa kohë numri i diasporës llogaritet rreth 2.2 milionë shtetas.
Popullsia e Shqipërisë ka rënë në 2.3 milionë banorë në 2025-ën, nga 2.4 milionë që ishim nga rezultatet e CENS 2023. Punësimi dhe mundësitë ekonomike mbeten arsyeja kryesore e emigrimit të shqiptarëve. Sipas shifrave 70% emigrojnë për mundësi ekonomike, 16% për arsye familjare, 6% për arsim dhe 8% për arsye të tjera.
“Në rast se këtu mesataren që ne kemi arritur sot të administratës sonë publike i kemi 1.000€ pagë në muaj. Jashtë sapo shkojnë e kanë të paktën 2.000€. Për të mos folur për vende që kanë si të thuash të ardhura më të larta siç është Britania e Madhe në Shqipëri marrin përpara të emigrojnë është tre deri në katër herë më e lartë. Pra është arsyeja ekonomike e të ardhurave më shumë që qytetarët tanë sigurojnë duke emigruar”, thotë eksperti Fatos Çoçoli.
Largimi i krahut të punës përkthehet në një barrë të madhe për ekonominë, efekte që po ndjehen prej vitesh tashmë. Biznesit i mungojnë punonjës, ekonomisë i mungon konsumi dhe kontributet e mjaftueshme për skemën e pensioneve, është shtuar kostoja e punës dhe ulur produktiviteti.
I vetmi efekt pozitiv ekonomik janë remitancat që vetëm rriten. Vetëm në dekadën e fundit 2015-2025, dërgesat e emigrantëve për të afërmit e tyre kanë arritur në 8.2 miliardë euro duke pasur një kontribut të rëndësishëm edhe në uljen e varfërisë në vend.
Por vlera e remitancave nuk më e njëjtë si para 1 dekade, monedha evropiane është tkurrur me 30%, duke prekur direkt edhe paratë e emigrantëve. Nëse në vitin 2015, euro këmbehej me deri 140 lekë, sot vlera e saj është 96 lekë, duke zhvlerësuar direkt edhe vlerën e remitancave, kur kthehen nga euro në lekë.
ME SYTË NGA PUNONJËSIT E HUAJ
Boshllëkun e krijuar nga mungesa e punonjësve vendas, bizneset po mundohen ta mbushin me të huaj, kryesisht nga vendet e Afrikës. Gjithashtu qeveria është në negociata me disa shtete për të marrë mijëra punonjës të huaj kryesisht nga vendet e treta si Filipinet (40 mijë), Indonezia (në të njëjtat shifra) apo Mianmar.
Aktualisht në Shqipëri jetojnë rreth 27 mijë të huaj, ndërkohë që vetëm vitin e kaluar sipas të dhënave zyrtare janë bërë 19.321 aplikime për leje qëndrimi, nga të cilat 16.651 janë miratuar, një pjesë janë ende në proces ndërsa 343 janë refuzuar.
Nga këto aplikime më shumë se 13.3 mijë janë për arsye punësimi, ndjekur nga 2.583 për bashkim familjar. Shtetet që po njohin rritjen më të madhe të aplikimeve janë India, Nepali, Filipinet, Nigeria dhe Mianmar.
Deri më tani punonjësit e huaj dominojnë në sektorë si industria e peshkimit, ndërtim, fasoneri dhe turizmi, fusha që po përballen gjithnjë e më shumë me mungesë të fuqisë punëtore vendase.
Tirana, Durrësi dhe Vlora janë qytetet me përqendrimin më të madh të punonjësve të huaj. Përshembull në Vlorë janë 800 shtetas të huaj të punësuar, një numër që pritet të rritet edhe më shumë me afrimin e sezonit turistik.
“Unë jam nga India. Ne muajin mars bej dy vjet këtu. Jam i kënaqur. Kushtet e punës dhe pagesa qe marr janë të kënaqshme”, thotë një i huaj që punon në Vlorë.
“Punoj në sektorin e peshkimit. Jam me shoqe të tjera dhe kemi ardhur së bashku për të punuar në Vlorë. Është një vend që më pëlqen”, thotë një filipinase.
“Unë jam nga Filipinet. Aktualisht ndodhem prej 9 muaj në Shqipëri. I kënaqur deri me tani. Te ardhmen e shikoj në Vlorë ndaj edhe kam vendosur të rri me familjen”, thotë një tjetër shtetas i huaj.
Ndërkohë që sipërmarrja ka shpallur më shumë se 6 mijë vende të lira pune vetë qeveria shqiptare është në negociata me disa shtete për të marrë fuqi punëtore të kualifikuar për të mbuluar mungesat e tregut, pas Bangladeshit, Filipineve tashmë vëmendja është zhvendosur në Indonezi e Mianmar për të rekrutuar punonjës për sektorët që kanë më shumë mungesa për fuqi punëtore.
Prej disa vitesh Donald Fa nga Kameruni jeton dhe punon në Shqipëri.
“Unë jam konsulent në biznes dhe fillimisht kam hyrë në diskutim me disa biznese shqiptare, për të parë mundësin për t’iu shitur mallra në Afrikë ose për të blerë produkte nga Afrika. Këtu në Shqipëri respektohen të drejtat e njeriut më shumë se në vendin nga vijmë ne. Niveli i pagave është shumë konkurrues me Kamerunin e vendeve të tjera afrikanë. Paga mesatare atje është afërsisht 100€ në raport me Shqipërinë ka goxha diferencë”, thotë ai.
Madje ka tërhequr edhe shtetas të tjerë prej andej që punojnë aktualisht këtu.
“Po ka shumë emigrantë. Për shembull kur shkon një person në një vend, një shok ose vëllai, do vijnë mbrapa kushërinjtë apo shokë. Janë të punësuar shumica në hoteleri në ndërtim”, thotë ai.
Kurse për shqiptarët ai thotë se nuk kanë durim dhe se duan të bëjnë lekë shpejtë.
“Po dëgjo unë mendoj se ti rin shqiptar e dua të rrijë këtu. Duhet të kenë një çik më shumë durim. Shqiptarët nuk kanë shumë durim për të mësuar një zanat. Ata duan lekë shumë shpejt, po nuk kanë durim për të hyrë e për të punuar”, thotë ai.
Pas gati 6 vitesh në fuqi të skemës së bonusit të bebes që dhuron çekun menjëherë pas lindjes në varësi të numrit të fëmijëve, qeveria po bën skemën e re për shpërblimin e lindshmërisë.
Mbështetja financiare nuk do të jetë vetëm një pagesë në moment kur fëmija lind, por pagesë mujore nga 0 deri në 5 vjeç, shifra e së cilës rritet nga fëmija i parë te treti e në vijim, por vlerat ende nuk janë finalizuar. Kjo skemë e re e premtuar gjatë fushatës elektorale nga kryeministri Edi Rama pritej që të ishte pjesë e buxhetit të këtij viti.
“Nga viti i ardhshëm nuk do jetë një çek në maternitetin e lindjes, por një mbështetje financiare çdo muaj sipas numrit të fëmijëve”, tha Rama më 7 maj 2025, teksa zhvillonte fushatën elektorale.
Por vendimi ende nuk është gati. Nga kjo skemë e re pritet të përfitojnë edhe fëmijët që nuk kanë mbushur ende 5-vjeç kur kjo skemë të hyjë në fuqi. Fillimisht u përfol që pagesat do të ishin 5 mijë lekë në muaj për fëmijën e parë, 7 mijë lekë/muaj për fëmijën e dytë dhe 10 mijë lekë për fëmijën e tretë.
Shifra që u përfshinë edhe në kuadrin ekonomik 2026-2028 në fazën e parë, por vlerat e sakta të përfitimit ende nuk janë caktuar, pasi kjo skemë e re pritet të ketë edhe efekt prapaveprues, pasi do të merret edhe nga fëmijët që kanë lindur, e që i përkasin grupmushës 0-5 vjeç.
Eksperti i Ekonomisë Fatos Çoçoli thotë se skema duhet të ishte ndryshuar pasi shteti duhet të japë mbështetje për rritjen e fëmijës.
“Skema aktuale të jep para për një moment, nuk të ndihmon gjatë rritjes së fëmijës në rast se ti si familje vendos të bësh një fëmijë të dytë. Skema duhet të ishte e tillë, një fond që ky fëmijë të fitojë çdo vit si ndihmë nga shteti, sidomos për familjet që janë me të ardhura modeste. Ky fëmijë ka nevojë të kujdeset për 18 vite resht qëndro aty nuk po themi që me këto shifra, por ama krijohej një fond sado modest”, thotë Çoçoli.
Komente











robt ku ti keni ju dhe vendet e treta....
Përgjigju