ABU DABI - Emiratet e Bashkuara Arabe, që marrin pjesë në koalicionin ndërkombëtar antixhihadist të drejtuar nga Uashingtoni, publikuan sot një listë organizatash terroriste që përfshin 83 grupe islamike ndërkombëtare, që shumica kanë qendrën në Siri.
Al Kaeda, oraganizata Shteti Islamik (ISIS), vëllazëria e Vëllezërve Myslimanë dhe milicitë shiite huti në Jemen figurojnë në këtë listë të miratuar nga këshilli i ministrave dhe publikuar nga agjencia zyrtare WAM.
Arabia Saudite kishte publikuar në mars një listë të ngjashme të grupeve terroriste ku figuronin gjithashtu këto organizata.
Emiratet kanë vendosur gjithashtu në listën e tyre të zezë Bashkimin Ndërkombëtar të Ulemave Myslimanë, me qendër në Katar dhe të drejtuar nga shefi shpirtëror i Vëllezërve Myslimanë, Youssef al Qaradaoui.
Shoqata e emirateve, Al Islah, e akuzuar për lidhje me Vëllezërit Myslimanë dhe lëvizja shiite, Hezbolla, e Arabisë Saudite, figurojnë gjithashtu në këtë listë. Ndërsa lëvizja shiite libaneze Hezbollah nuk përmendet.
Shumica e 83 grupeve janë organizata që marrin pjesë në konfliktin në Siri, që shkatërrohet nga më shumë se tre vite luftë civile.
Grupet islamike aktive në Libi, Tunizi, Mali dhe Pakistan, talebanët dhe grupi nigerian Boko Haram janë kalsur gjithashtu si terroiste, si dhe Federata e Organizatave Islamike në Evropë, dhe shoqata myslimane të disa vendeve evropiane, kryesisht në Britaninë e Madhe./ATSH/