Grupi i njerëzve të mbledhur për një takim me dyer të mbyllura në Muzeun Metropolitan të Artit në muajin maj ishte i pazakontë në çdo aspekt: Anna Wintour, drejtoresha globale editoriale e Vogue dhe anëtare e bordit të Met-it; Andrew Bolton, kuratori përgjegjës i Institutit të Kostumeve të Met-it; stilisti i modës John Galliano si dhe disa prej rabinëve dhe liderëve më me ndikim të komunitetit hebre në qytetin e Nju Jorkut.

Takimi ishte organizuar për të marrë mendimet e tyre mbi çështjet e mundshme që mund të lindnin nga ekspozita e madhe e modës e planifikuar për vitin e ardhshëm, një ekspozitë kushtuar punës së Gallianos dhe ndoshta edhe për të marrë miratimin e tyre për këtë nismë. Ky ishte një nga disa takime të ngjashme të zhvilluara me liderë hebrenj gjatë vitit të fundit.

Galliano konsiderohet nga shumë njerëz në botën e modës si një prej stilistëve bashkëkohorë më të rëndësishëm, puna e të cilit si stilist kryesor i Dior-it, detyrë që e mbajti nga viti 1996 deri në vitin 2011, shkoi përtej modës së zakonshme dhe hyri në sferën e fantazisë artistike. Por ai u bë një emër i njohur për publikun e gjerë pasi një video ku ai bënte komente antisemite u bë lajm ndërkombëtar në vitin 2011. Më pas ai humbi vendin e punës te Dior, u shpall fajtor për një vepër penale të motivuar nga urrejtja në një gjykatë në Paris dhe nisi një periudhë rehabilitimi; ai u rikthye në botën e modës në vitin 2014 si drejtor artistik i Maison Margiela.

E gjithë kjo e bën ende zgjedhjen e tij për këtë ekspozitë një çështje të ndërlikuar në momentin aktual. Antisemitizmi është në rritje, dhe disa hebrenj të Nju Jorkut ndihen të shqetësuar për drejtimin politik të kryebashkiakut Zohran Mamdani, veçanërisht pas sulmit me thikë ndaj dy burrave javën e kaluar në mes të ditës, njëri prej të cilëve po largohej nga një qendër komunitare hebreje në Manhatan. Sulmi po ndiqet penalisht si krim i motivuar nga urrejtja.

Ekspozita kushtuar Gallianos, e cila do të hapet me Met Gala-n vjetore, ndoshta tapeti i kuq më i ndjekur në botë, do ta bënte atë vetëm stilistin e tretë të gjallë që i kushtohet një ekspozitë personale në muze, pas Yves Saint Laurent dhe Rei Kaëakubo. Ky është nderimi më i lartë që institucioni mund t’i japë një stilisti.

Sipas raportimit, John Galliano dhe Andrew Bolton kanë marrë pjesë në këto takime në përpjekje për të siguruar "miratimin" e liderëve hebrenj për ekspozitën dhe këta të fundit janë të bindur se stilisti e meriton një mundësi të dytë.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, Wintour ka mbetur një nga mbështetëset më të mëdha të Gallianos dhe ndoshta më e fuqishmja. Wintour është gjithashtu ideatorja kryesore e Met Gala-s dhe ka siguruar aq shumë fonde për departamentin sa që galeritë e tij në bodrum u emërtuan në nder të saj në vitin 2014. Instituti i Kostumeve është gjithashtu pranë krijimit të një fondi të qëndrueshëm financiar që do të garantojë sigurinë e tij ekonomike në të ardhmen.

Ajo luajti një rol të rëndësishëm në rikthimin e Gallianos në skenën e modës dhe ishte ndër personat e parë që veshi publikisht një nga fustanet e tij pas skandalit që dëmtoi reputacionin e tij.

Një retrospektivë e Gallianos në Met ka qenë prej kohësh një synim i Wintour-it dhe do të ishte një konfirmim i ndikimit të saj në formësimin e botës së modës, si dhe një tjetër element i trashëgimisë së saj.

“Askush nuk e meriton më shumë se John Galliano një ekspozitë të kësaj përmase,” shkroi Wintour në një mesazh. “Stilistët ëndërrojnë të ndryshojnë botën me një koleksion të vetëm; John e ka bërë këtë herë pas here. Karriera e tij nuk përcaktohet nga një moment i vetëm, diçka me të cilën ai do të jetojë për pjesën tjetër të jetës së tij.” Por, shtoi ajo, “ekspozita nuk do t’i shmanget asnjërit prej momenteve të errëta.”

Sigurisht, duket se bota e modës e ka kapërcyer tashmë pjesën më të madhe të shqetësimit rreth Gallianos. Në janar, ai u ul në rreshtin e parë gjatë shfaqjes së parë të modës së lartë të Jonathan Anderson për Dior, hera e parë që rikthehej në shtëpinë e modës që prej largimit të tij dhe më pas u rrethua jo vetëm nga anëtarët e publikut, por edhe nga pronari i Dior-it, Bernard Arnault, dhe e gjithë familja e tij.

Në mars, Zara njoftoi një bashkëpunim dyvjeçar me Gallianon.

Ekspozita e Gallianos do të hapet më 9 maj 2027 dhe do të qëndrojë e hapur deri më 9 janar 2028. Megjithatë, ekzistojnë plane që ekspozita të udhëtojë më pas edhe në muze të tjerë pas qëndrimit në Met, një tjetër nder i rrallë.


2/5