Një 45-vjeçar është vënë në pranga nga Policia Korçë, pasi këta të fundit i gjetën në makinën e tij 52.6 kg kanabis, të cilin do ta trafikonte në Greqi, kundrejt fitimit 500 euro/kg.
Në kuadër të operacionit "Restart 16", u arrestua Klodian Kllomollari.
I arrestuari u lokalizua në fshatin Vërdovë, ku gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij tip "Benz", të cilin e kishte parkuar në oborrin e banesës, u gjetën 2 qese me 52.6 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis në total.
Nga veprimet hetimore rezultoi se 45-vjeçari e kishte siguruar lëndën narkotike nga shtetas të tjerë dhe më pas do ta trafikonte me automjetin e tij, në drejtim të Maqedonisë së Veriut, me destinacion final shtetin grek, kundrejt fitimit 500 euro/kg.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, automjeti dhe një aparat celular.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.