Enada Hoxha rrëfen:
Pa baletin s'ka lumturi

Enada Hoxha rrëfen:<br />Pa baletin s'ka lumturi
Balerina e parë e Teatrit të Operas dhe Baletit, për të paktën katër muaj në viti i jep ditëve të saj të punës një orar të shfrenuar, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Është koha kur së bashku me partnerin e saj në skenë dhe në jetë përkushtohen për të realizuar formatin e spektaklit “Dancing with the stars”, pa anashkaluar aspak kalendarin e shfaqjeve në Teatrin e Operas. Kështu vit pas viti, projekt pas projekti karriera dhe familja e Enadës dhe Gerdit ecin bashkë në një të njëjtën rrugë, drejt ëndrrave dhe ambicieve për të ardhmen.
 
Edicioni i tretë i Dancing, edicion i tretë i një sezoni tepër të ngarkuar pune …. 
Sa herë që vjen kjo periudhë gjëja e parë që mendon është ngarkesa e madhe, orët e zgjatura. Fillon që në dhjetë të mëngjesit dhe mbaron në dhjetë të darkës. Ke të bësh me njerëz të ndryshëm në karaktere dhe edukatë, edhe pse ky edicion ka njerëz vërtet të këndshëm që vijnë me shumë dëshirë  dhe shikon dita-ditës zhvillimin e tyre apo mënyrën sesi ata punojnë apo si e përcjellin në skenë. Gjithsesi lodhja është pafund. Gjëja e parë që më shqetëson është hedhja e materialit, pastaj të punohet me ta, tu tregohet stili i kërcimit dhe sesi ata duhet ta përcjellin në publik. Ngarkesa tjetër është se përveç “Dancing…” jemi edhe në Teatrin e Operas, janë shfaqjet e shpeshta në teatër dhe familja që t’i lë pas. Gjithsesi mendjen e ke gjithë kohës çfarë bëhet në shtëpi, djali çfarë bën. Teksa flas me të në telefon më kërkon që t’i shkoj sa më shpejt në shtëpi. Një ditë e ngarkuar me shumë ngarkesë fizike dhe mendore.
 
Arrin të gjesh kohë për gjithçka?
Unë edhe Gerdi e kemi pasion këtë punë

dhe kush e bën me shumë dashuri e gjen kohën për gjithçka.
 
Të dy në një punë, në një profesion, kaq vite bashkë, kudo…
 Unë jam mësuar dhe e kam kërkuar këtë gjë. Gjithmonë mendoja për njeriun e jetës sime që do të ishte më mirë ta kisha në profesion, sepse duke dashur kaq shumë profesionin nuk do të më kishte kuptuar njeri tjetër kaq shumë. Kurse kështu kuptohemi.
 
Sa harmoni keni në punë?
 Ka edhe harmoni, por edhe debate të forta. Gerdi ka një natyrë që nuk toleron, ndërsa unë jam bërë shumë tolerante përsa i përket punës që bëjmë qoftë në çift, qoftë në grup. Ose kur ai thotë: “Shiko Enadë se ajo që the nuk mendoj se do godasë shumë..” unë e kundërshtoj dhe aty fillon një debat tjetër, por gjithsesi kjo ka sjellë edhe rezultatin, sepse punët e përbashkëta kanë edhe harmoninë edhe debatin brenda. Por harmonia në familje është pa diskutim.
 
Kur bëni  debate harroni që jeni bashkëshortë?
 Ndoshta Gerdi ka filluar ta harrojë këtë, duke qenë që jam bërë shumë tolerante. Nuk e kam harruar dhe mundohem që atë debat ta bëj me zë të ulët , kurse Gerdi ka filluar të bëhet më gjaknxehtë dhe flet me zë të lartë dhe kjo mua ka filluar të më të bëjë të mos ndihem mirë. Por sigurisht që vjen falja direkt pas kësaj, duke më thënë “Ti kuptoje që jemi në momente pune dhe ndonjëherë ka edhe ngritje zëri”.
 
Çfarë vendi zë shtëpia?
 Gjërat e lëna pas i ka rregulluar mami i Gerdit. Ne kur shkojmë gjejmë rehatin e shtëpisë, ku ha diçka, merresh me djalin dhe është një kohë shumë e shkurtër. Kur arrin në orën 12 të natës nuk ke as kohë të flasësh, apo të hapësh një bisedë familjare. Edhe ajo koha me djalin kur unë luaja me të, është reduktuar, thjesht një bashkëbisedim me të, dëshira për të qëndruar pranë e ta puthësh. Por tani është duke u rritur dhe nuk është më ai djali i vogël që e mbaje në prehër dhe e mbysje me të puthura, por edhe ai lëviz, ka dëshirat e veta. Gëzimi më i madh është kur ti shkon dhe ai të thotë “Je mami më e mirë në botë!” ose kur ke ndryshuar look, të thotë: “Sa e mirë që je bërë moj mami!” Janë fjalë pa fund, “Je drita, dashuria, shpirti im” dhe këto bëjnë që gjithë atë lodhje të madhe gjatë ditës e harron kur je pranë tij.
 
Dashuria ndryshon në kohë?
 Dashuria piqet, nuk besoj se ka ndryshuar. Unë kam të njëjtat ndenja, edhe Gerdi po kështu. Ka  mbetur po ajo dashuri, sigurisht që është bërë më e ngrohtë, krahas dashurisë bëhesh edhe shoqe, edhe shumë e lidhur…. nuk gjej dot fjalën e duhur. Ka mbetur po ajo dashuri, por është zhvilluar, është bërë më e madhe, më e gjerë. Dhe kur futet në mes edhe Roan, bëhet shumë shumë e madhe. Kjo të bën të ndihesh mirë me veten dhe me njëri-tjetrin
 
Ka plane zgjerimi të familjes?
 Dëshira është, por puna e ngarkuar nuk të favorizon për këtë gjë. Sepse nga një projekt vjen një tjetër. Kur ti këto projekte i ke ëndërruar kaq shumë dhe një moment që ti mendon se duhet të sjellësh një fëmijë  tjetër në jetë, atëherë ti thua u prish  dhe ajo kalaja që ti ke ndërtuar shembet e tëra, nuk bie një gur, por e tëra. Të kesh fëmijë do të thotë të mos i përkushtohesh më vetes tënde, por atij, sepse vetëm ashtu mendoj që je një prind ideal. Një prind që alternon edhe punën edhe familjen gjithmonë ka një boshllëk, sado që ti vërtet mund të jesh esencë në atë një orë që rri, por unë mbetem e pakënaqur që nuk jam pranë djalit gjithë ditën, edhe pse ai një pjesë të ditës e kalon në kopësht, një pjesë me gjyshen e tij, luan, shkruan, mëson vjersha, pikturon…Fakti që unë nuk i përjetoj këto gjëra bashkë me të, e quaj mungesë dhe fakti që ai në darkë kur shkoj të shtrihem me të, më thotë, “Gjumë të ëmbël mami, më ke munguar shumë” aty kuptohet që çdo gjë…
Vërtet kohë e sotme ka ardhur që ti ke nevojë të bësh dy-tre punë që të përballosh jetën, por unë mendoj se edhe prindërit tanë kanë qenë në punë dhe unë i kam ndjerë afër. Ata kanë qenë tetë orë në punë, ndërsa puna jonë është më e gjatë, sigurisht është me sezone, por që aktivitetet gjithmonë të bëjnë të mos jesh prezent. Unë jam munduar që në çdo aktivitet ta marr me vete, gjatë provave apo shfaqjes, thjesht për të qenë me të. Në pushime mundohem të jem padiskutim me të. Edhe kur kam punë jashtë mundohem ta marr me vete. Doja dhe dua që derisa ai të mbushë 18 vjeç, të jem shumë prezent që pastaj jem e qetë në rrugën që do të marrë.
 
Ëndrrat për të ardhmen janë pafund, si fëmijë artistësh mendohet se djali juaj do të shkojë drejt artit
 Unë atë do të doja, por atij i pëlqen edhe sporti. Pastaj nëse do të krijojë ndonjë pasion tjetër t’ia lëmë kohës. Unë do të doja shumë të ishte me artin. Unë do të filloj ta angazhoj në kurse sportive jo sepse jam nga ato mamatë që dua ta ngarkoj. Gjithë halli im është që duke qenë se është djalë, dua t’ia ngarkoj ditën, që kur të vijë një moshë, të mos e ketë mendjen të jetë gjithë kohën jashtë me shokët, por të ketë vetëm një kohë të kufizuar me ta, duke qenë se dita i mbushet me sporte të ndryshme, atëherë ai nuk do të ketë as kohën dhe as fuqinë.
 
Enada dhe baleti përgjithmonë  bashkë?
 Bashkë. Pa baletin nuk ka lumturi. Do të thoni ju ku ka lumturi më të madhe se të kesh një familje solide. Do të thoja që kjo është një lumturi më vete që ma gëzon jetën pa masë, por kur një gjë nuk shkon në balet ose nuk jam e kënaqur me veten, me punën që po bëhet, unë e kam një vuajtje të madhe, nuk jam e lumtur. Nëse mua më shikon të lumtur, unë jam lodhur, kam bërë një punë shumë të mirë, ose lodhja e madhe që shikon atëherë është lumturi e madhe, atëherë unë vërtet kam bërë dicka, kur nuk bëj gjë, jam e mërzitur. Në tërësi në vendin tonë, ndodh që ka punë të ngjeshur dhe pastaj nuk ka fare. Kjo është ajo që më mërzit.
 
Si soliste dhe koreografe, si i mendon vitet e ardhshme?
 Ajo që kam ëndërruar dhe që ëndërroj është që të vazhdoj si balerinë e parë e teatrit, për shumë vite me radhë të jem protagoniste në baletet që do të vihen.. kjo është ëndrra ime. Përsa i përket koreografisë, vërtet kam bërë një shkollë dhe kam pasur eksperienca të ndryshme, qoftë edhe me punë të mira që kanë rezultuar të sukseshme, do të më pëlqente që t’i bëja të dyja, pa lënë njërën ose tjetrën. Sigurisht do zoti që të jem mirë në formë, do të doja sa më larg që unë të lija profesionin tim si balerinë. Sigurisht që e ardhmja do të jetë koreografia, por më vjen shumë mirë që unë krijoj dhe kërcej pjesët e mia. Ambicia ime nuk janë krijimet e vogla. “Dancing…” është një spektakël gjigand ku ti tregon aftësitë e tua, sepse nuk është e  lehtë. Sfida ime më vete, bashkë me Gerdin. Dua që të afirmohem si koreografe, kjo ka qenë ëndrra ime. Të jem koreografe e Teatrit të Operas dhe Baletit, krahas Agron Alisë. Ai,  për fat të keq, është në këtë gjendje të rëndë dhe do të doja që pse jo edhe unë edhe Gerdi të ishim pasardhës të denjë tij. Duke sjellë vepra të bukura dhe në ëndrrat e mia do të doja të kisha të paktën një balet në vit. Po luftoj të bëj një gjë të tillë në sezonin e ardhshëm.
Shkrimi u botua sot në të përjavshmen FUNDJAVA, të gazetës Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza