Në 35-vjetorin e PS, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria nuk e ka luksin ta refuzojë investimin në Zvërnec, duke shtuar se çdo përpjekje për zhvillim sapo prezantohet anatemohet dhe konsiderohet armike.

“Jemi në një moment kur ajo që po ndodh me shumëkënd që nuk del në protestë, apo që nuk e mbështet atë protestë për ndonjë parti të vjetër, të re apo ende në bark të bulevardit, faktikisht po ndjen siklet me ne. Kjo është gjëja që duhet të na interesojë. Procesin e zgjedhjeve ta shoqërojmë me proces reflektimi, jo ne me veten, por bashkërisht me ata njerëz që ndihen në sintoni me nevojën për protestë, por që kanë nevojë të udhëhiqen dhe kanë nevojë të shohin perspektivën e qartë, të cilën me vete e ka vetëm Partia Socialiste. Kjo që po ndodh nuk është vetëm aq sa duket, por është shumë më delikate dhe më e rëndësishme për të nesërmen sesa një investim në vetvete, apo klithmat e protestave, pa llogaritur britmat, dufet e një kategorie njerëzish që janë shfaqur në bulevard dhe që kujtojnë se u bë deti kos. Kanë dalë si kërpudhat pas shiut të ngushëllojnë hallet e tyre, paaftësitë e tyre dhe në fund të ngushëllojnë edhe pamundësitë e tyre për të dhënë diçka më shumë, duke i treguar Shqipërisë gjoksin e gatishmërisë për një sprovë të re.

Kjo është shumë më e ngatërruar se kaq. Ky është investimi më i madh që i ka ardhur si mundësi Shqipërisë. Është një investim të cilin Shqipëria nuk e ka luksin kurrsesi ta refuzojë. Për këtë investim ka vend për debat, kundërshtim dhe vigjilencë. Kjo është demokratike, e drejtë. Por ajo që nuk është e drejtë është që sa herë guxojmë të ëndërrojmë fort dhe sa herë guxojmë të kemi ambicien për një ide më të madhe se ato të përditshmet, përballemi me shpalljen e tyre krim pa marrë ende formë.

Çdo vepër dënohet vetëm sa shfaqet, sa artikulohet. Çdo përpjekje për zhvillim konsiderohet armike. Por natyra nuk mbrohet duke e ngrirë jetën, as duke e lënë një vend të varfër, as duke pranuar që një vend të jetojë i varfër nga ata që na thonë “mbrojeni Vjosën”, ndërkohë që i kanë zbutur të gjithë lumenjtë e tyre. Sfida nuk është të zgjedhim mes natyrës dhe zhvillimit, por si t’i bëjmë të dyja bashkë: të mbrojmë natyrën duke krijuar mirëqenie, të ndërtojmë pa shkatërruar, të zhvillojmë duke ruajtur dhe rigjeneruar, të rrisim ekonominë duke rritur përgjegjësinë ndaj mjedisit dhe trashëgimisë së natyrës dhe historisë. Ne nuk jemi budallenjtë e lagjes”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

35-vjetori i PS, Rama: Shqipëria s’ka qenë kurrë në shitje, ejani verifikoni faktet! Projekti i Zvërnecit do ta kthejë në xhevahir të Mesdheut!