Zjarri i rënë që prej mbrëmjes së së enjtes në malin e Manatisë, pranë aksit të vjetër Lezhë-Milot, vijon të jetë aktiv edhe gjatë mëngjesit të sotëm.  Era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve në terren, ndërsa forcat zjarrfikëse janë vendosur në pozicionet pranë banesave, për të parandaluar afrimin e zjarrit.

Që prej orës 08:00 ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri me helikopter, në përpjekje për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit. Kryebashkiaku Pjerin Ndreu u ka bërë apel qytetarëve që të mos ndezin zjarre pasi mungesa e reshjeve ka krijuar kushte për favorizimin e tyre. Ndreu thekson se dëmi që mund të vijë nga pakujdesia apo qëllimisht mund të përshkallëzojë në rrezik për banesat dhe jetën e njerëzve.

Edhe vatra e zjarrit në Gramëz të Krujës që zbriti deri në aksin Thumanë-Kashar duke rrezikuar qarkullimin, është shuar.

Mbrëmja e së enjtes rezultoi kritike për fshatin Piraj të Lezhës ku situata u vu nën kontroll pas 5 orëve betejë me flakët. Nga zjarri u dogjën dy shtëpi të braktisura, një kasolle bagëtish, sipërfaqe të mëdha me pemë, si dhe është dëmtuar linja hekurudhore.

Vatra të tjera pati edhe në Galush e Gjevurë të Peqinit, vend-depozitimin e mbetjeve të bashkive Bulqizë dhe Klos, si dhe në afërsi të kodrave të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, në Fier.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:07
Zjarri në Lezhë, Ndreu mbledhje urgjente me strukturat dhe drejtues të Policisë: Dyshohet për zjarrëvenie të qëllimshme, të identifikohen autorët

Zjarret që përfshinë disa zona te Lezhës mbrëmjen e së enjtes duke rrezikuar edhe banesa kanë vënë në lëvizje mënjëherë autoritetet. Kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu, ka kërkuar sot një mbledhje urgjente me prefektin e qarkut, drejtuesit e Policisë së Shtetit, përfaqësues të SHISH-it dhe strukturat e emergjencave. Në këtë takim do të diskutohet mbi situatën e rënduar nga zjarret dhe identifikimin e personave që janë përgjegjës për ndezjen e vatrave. 

Përhapja e shpejtë e flakëve në disa zona të ndryshmë kanë ngritur dyshime bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme. Për këtë arsye, Ndreu ka kërkuar angazhim maksimal të të gjitha strukturave për zbardhjen e rasteve dhe identifikimin e autorëve. Përveç kësaj në fokus ka qenë edhe bashkëpunimi mes institucioneve, për të parandaluar përsëritjen e situatave të tilla, që mbrëmjen e kaluar rrezikuan jo vetëm sipërfaqe të konsiderueshme të territorit, por edhe banesa e sigurinë e banorëve.

Pas takimit, kryetari i Bashkisë ka bërë edhe një apel publik për qytetarët, duke kërkuar kujdes maksimal dhe njoftim të menjëhershëm të strukturave për çdo vatër zjarri apo situatë të dyshimtë. Ndërkohë, strukturat zjarrfikëse dhe emergjencat civile vijojnë monitorimin e territorit, ndërsa institucionet ligjzbatuese po punojnë për dokumentimin e rasteve dhe identifikimin e autorëve të mundshëm.

Ora 08:29
Pjerin Ndreu apel qytetarëve të Lezhës: Mos ndizni zjarre, një shkëndijë mjafton për të shkaktuar një katastrofë (VIDEO)

 

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre, në kuadër edhe të situatës së ditëve të fundit, e veçanërisht së enjtes.

Ndreu shkruan krah një videoje se në kushtet e thatësirës, një shkëndijë e ndezur me dashje apo nga pakujdesia, mund të ketë pasoja të rënda në banesa, prona dhe jetë njerëzish.

Postimi i plotë:

Apel urgjent për të gjithë qytetarët e Lezhës dhe zonave përreth!

Të nderuar qytetarë,

Ditët e fundit, dhe veçanërisht gjatë ditës së djeshme, jemi përballur me situata dramatike nga zjarret në Piraj, Barbullojë dhe Manati.

Në kushtet kur prej më shumë se tre muajsh mungojnë reshjet, bimësia është jashtëzakonisht e thatë dhe era favorizon përhapjen e flakëve, mjafton një shkëndijë për të shkaktuar një katastrofë!

Ndezja e zjarrit në ferra, ara, mbeturina apo ambiente të hapura, qoftë me dashje apo nga pakujdesia, mund të vërë në rrezik banesa, prona dhe mbi të gjitha jetë njerëzish.

Ju bëjmë thirrje: MOS NDIZNI ZJARRE!

Në këto kushte, çdo papërgjegjshmëri mund të ketë pasoja shumë të rënda. Kur flakët përhapen me shpejtësi, ndërhyrja bëhet jashtëzakonisht e vështirë dhe mbrojtja e banesave një sfidë e madhe.

Kërkojmë bashkëpunimin dhe përgjegjshmërinë e çdo banori. Parandalimi është mbrojtja më e mirë!

Një pakujdesi e vogël mund të shkaktojë një fatkeqësi të madhe.

Të mbrojmë së bashku njerëzit, shtëpitë dhe territorin tonë!