Megjithëse procesi i zgjedhjeve të kreut të ri të FPRD-së së Rithemelimit ende nuk është zyrtarizuar, pasi brenda dy ditëve mund të ankimohet, Sali Berisha ka ‘legjitimuar’ fituesin.

Nga një njoftim nga zyra e shtypit bëhet me dije se Sali Berisha ka pritur ne zyrë, fituesin Besart Xhaferi në selinë e PD-së. Berisha i uroi atij suksese për përgjegjësinë e re që ka marrë në dorë.

Sipas PD-së së Berisha, në procesin e administruar nga FRPD, garuan 6 kandidatë. Morën pjesë 9470 votues në 62 qendra votimi, ndërsa Besart Xhaferri u shpall fitues me 5256 vota. Një urim gjithashtu forumi rinor e mori edhe nga ish kreytari i saj, Belind Këlliçi. Deputeti u shpreh se ky drejtues grupi do të vijojë të angazhojë të rinjtë idealistë në politikën aktive. 

Por ky rezultat u kontestua pasi denoncimet për manipulime të procesit ishin të shumta. I sapo-zgjedhuri në krye të forumit Rinor të PD, Besart Xhaferi mund të mos e mbyllë mandatin e tij në krye të të rinjve demokratë. Sipas statutit të vetë PD, në forumin rinor bëhen pjesë të rinjtë nga 15-35 vjeç. Xhaferi është 32 vjeç dhe në përfundim të mandatit 4 vjeçar ai do të ishte 36 vjeç, pra do ta ushtronte mandatin në shkelje të statutit.

Ndërkohë, në rrjetet sociale menjëherë pasi Xhaferi u shpall fitues kanë nisur denoncimet për parregullsi në procesin zgjedhor. Në rrjetet sociale qarkullojnë disa foto, ku duket se 1 votues ka votuar më shumë se një herë, ka votues që nuk janë anëtarë sipas statutit etj.