Një ditë pasi opozita shkatërroi karrige, e dëmtoi kartat e votimit, dhe nuk lejoi mbajtjen e seancës plenare, Sali Berisha paralajmëroi të tjera seanca të ngjashme, ndërsa nuk përjashtoi as mundësinë për grevë urie.
Kreu i nismës Thurje, Endri Shabani i ftuar në “Studio Live” në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj ironizoi aksionin e opozitës dhe skenarët e fundit, duke i quajtur lëvizje për halle personale. Ai bëri një krahasim të grevës së urisë nga Pjetër Arbnori në '97, që shërbeu si frymëzim për propozimin e opozitës.
“Greve urie nuk do bëjmë (tha ai i pyetur për aksionin opozitar të partisë së tij). Unë qesha dhe kur e përmendët ju. Grevë urie ka bërë Pjetër Arbnori që kishte legjitimitetin për të bërë grevë urie. Kishte shkuar në burg sepse kishte sfiduar sistemin kur ishte i ri, kishte bërë burg për fjalën e lirë.
Ai bëri një grevë urie që në fakt i rrezikoi jetën, qëndroi 28 ditë në grevë. Greva e tij rezononte me interesin publik me atë që Shqipëria kërkonte, lirinë e medias dhe të të shprehurit. Lufta e tyre është për pushtet. Mund të bëjnë greve por bashkë të gjiri i Lalzit i kanë vilat. Mund të shqetësohen më shumë komshinjtë e tyre te gjiri i Lalzit sesa qytetarët.
Kjo grevë e tyre s’ka për të pasur sukses. Nuk po futen në grevë për studentët as për pensionet por se kë do njohë Edi Rama për kryetar të PD. Ngushtësisht futen në grevë për hallin e vetë”, tha Shabani.
Duke iu referuar disa anketimeve, kreu i nismës “Thurje” tha se shumica e qytetarëve nuk i duan politikanët e vjetër.
“Pjesa më e madhe e qytetarëve janë kundër politikanëve të vjetër por nuk shkojnë të votojnë sepse besojnë se të rinjtë nuk e kanë forcën për ta përmbysur sistemin. Unë jam optimist se kur të vijnë zgjedhjet pas një viti e 8 muajsh do t;u ofrojmë votuesve një alternativë të re përballë të vjetrës”, shtoi Shabani në Report Tv.