Energjia dhe industria, Pacolli:
Minierat janë trajtuar pa asnjë plan

Energjia dhe industria, Pacolli:<br />Minierat janë trajtuar pa asnjë plan
TIRANE- Mirëmenaxhimi i burimeve natyrore dhe krijimi i një tregu të madh Shqipëri-Kosovë, do të rritë mundësitë e zhvillimit ekonomik të dy vendeve. Këtë e ka shprehur Zëvendëskryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli gjatë punimeve të Forumit Ekonomik Shqipëri-Kosovë të mbajtur në Tiranë, ndërsa theksoi se deri më tani minierat janë trajtuar pa asnjë plan.
 
“Industria dhe energjia janë sektorë me rëndësi. Është bërë padrejtësi me veprimtaritë ekonomike. Minierat janë trajtuar pa asnjë plan. Bashkimi kombëtar nis nga ai ekonomik. Të bëjmë tregun e madh Shqipëri-Kosovë”, tha Pacolli.

Zv/kryeministri i Kosovës theksoi rëndësinë e ndërtimit të një hekurudhë mes Shqipërisë e Kosovës, ndërsa ftoi operatorët ekonomike për krijimin e kompanive ajrore të trevave shqiptare, duke i realizuar fluturimet nga dy vendet tona drejt destinacioneve të tjera.
 
Ministri shqiptar i Energjisë Damian Gjiknuri rritja e bashkëpunimit në sektorin energjetik mes dy vendeve do të forcohet edhe në sajë të rrjeteve të interkonjeksionit. Gjinkuri tha se Shqipëria dhe Kosova duhet të harmonizojnë politikat në këta sektorë.
 
“Dy vendet tona kanë shumë për të ofruar, duhet të jenë një sa i takon aspektit ekonomik. Duhet të krijojnë një vend, një treg të përbashkët ekonomik, ku do të krijohen mundësi më të mëdha për investime. Ne tashmë kemi filluar bashkëpunimin me sektorin energjetik. Duke harmonizuar potencialet që kemi mes dy vendeve tona, do të krijojmë edhe rrjetet e interkonjeksionit. Ka ardhur momenti, që Shqipëria dhe Kosova të kenë projekte të përbashkëta në gjenerim. Duhet një harmonizim i politikave tona, dhe për këtë po punojmë”, tha ministri i Energjisë.
 
Gjiknuri tha se qeveria shqiptare po punon për përmirësimin e klimës së biznesit në vend, ndërsa theksoi se synohet tërheqja e investitorëve të huaj. Ministri i Energjisë tha se praktika e realizimit të kontratave do të ndryshojë, duke ndjekur praktikat europianë për të rritur transparencës dhe për t’u arritur sipas konkurrimit të ndershëm.
 
“Qeveria shqiptare ka hyrë në një fazë të re sa i takon thithjes së investimeve të huaja. Po fokusohemi tek eficenca e shtetit shqiptar sa i takon lehtësirave për investimet. Ka një interes të shtuar për hidrokarburet në Shqipëri. Shpesh në vendin tonë kontrata hidrokarbure ka rënë në duar të gabuara. Dhe ne nuk do lejojmë më këtë të ndodhë. Po marrim modelet dhe praktikat më të mira nga vendet evropiane, për të ftuar investitorët e huaj, sipas konkurrimit të hapur e të ndeshëm. Po punojmë për studimin e gazifikimit të Shqipërisë. Po intensifikojmë marrëdhëniet me Azerbajxhanin. Zhvillimi i infrastrukturës së gazit do të sjellë mundësi të reja në ekonominë shqiptare”, tha Gjiknuri.
 
Gjatë Forumit, theksi u vu në rritjen e bashkëpunimit mes Shqipërisë e Kosovës në sektorin e energjisë e industrisë, gjë që synon edhe në thithjen e investitorëve të huaj.
 
Sipas administratorit të Përgjithshëm të Konfindustria-s, Gjergj Buxhuku, nevojitet një rritje e bashkëveprimit të punës së dy qeverive për menaxhimin e burimeve natyrore.
 
Buxhuku tha se “modeli ekonomik i zhvillimit të ekonomisë së Shqipërisë dhe Kosovës, duhet të bazohet tek pozicioni gjeografik, pasuritë natyrore dhe së treti krijimi i tregut të përbashkët, që shumëfishon mundësitë e zhvillimit dhe të tërheqjes së investitorëve të huaj”.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç