Enigma/Cili është flamuri  që u 
ngrit në Vlorë më 28 nëntor 1912

Enigma/Cili është flamuri  që u <br />ngrit në Vlorë më 28 nëntor 1912
Ende sot, në ditën e 98 vjetorit të shpalljes së pavarësisë kombëtare, pas rreth një shekulli të kësaj ngjarjeje, nuk është sqaruar problemi i simbolit kuqezi të shqiptarëve: cili ishte flamuri që u ngrit në Vlorë më 28 nëntor 1912, në ballkonin e shtëpisë së Xhemil bej Vlorës? Shumë kujtime, shkrime e dokumenta i referohen kësaj pjese interesante dhe të pazbuluar derimë sot të historisë së shtetit shqiptar.

Nga reliket e kësaj ngjarje madhore historike, deri më sot ka mbërritur vetëm pena me të cilën delegatët kanë firmuar aktin e shpalljes së pavarësisë kombëtare. Dokumenti origjinal – çertifikata e lindjes së shtetit shqiptar – dhe flamuri kuqezi i ngritur atë ditë, sot nuk gjenden. Të parin e ka ruajtur në arkivin e tij personal Lef Nosi dhe pas arrestimit dhe vrasjes së tij në vitin 1945, fati i atij akti nuk dihet se ku mund të ketë përfunduar.

Ndërsa, flamuri sipas rrëfimeve, mundet të jetë djegur nga plaçkitjet që u bënë në Vlorë, pas vitit 1913. Nëse kjo është e vërtetë, atëhërë hulumtimi për nxjerrjen në dritë të simbolit kuqezi, që vulosi pavarësinë kombëtare bëhet i pamundur. Kohë pas kohe, studiuesit dhe gazetarët janë ngacmuar jo pak herë nga kërshëria e zbulimit të këtij simboli, janë përpjekur të nxjerrin në dritë ndonjë dokument, apo citim.

Sot, në 98 vjetorin e Pavarësisë, botohet një përmbledhje e disa dokumentave origjinale, që trajtojnë temën e flamurit, nga personazhe të cilët kanë marrë pjesë drejtpërsëdrejti në ngjarjen kombëtare. E çuditshme është sesi me anë të shkrimeve të tyre, të cilat po jepen këtu, këta personazhe, që kanë marrë pjesë bashkë në ditët e pavarësisë, pas vitesh kundërshtojnë njëri-tjëtrin në çështjen e flamurit.

Në ditët e 25 vjetorit të pavarësisë, në nëntor 1937, shpërtheu një polemikë midis ish-luftëtarëve të lëvizjes për çlirim kombëtar për këtë temë. Bile, Kristo Floqi, duke dashur që të përgjigjej me fakte dhe materiale origjinale për temën e flamurit, nuk gjeti kompromisin e gazetave të kohës në Tiranë dhe nuk arriti dot të botojë kujtimet dhe shkrimet e tij për flaurin e Vlorës. Por, u përpoq që këto t’i nxjerrë në një boshurë më vete. Këtu më poshtë, po rendisim disa nga variantet më ineresante, ku pretendohet sjellja e flamurit për t’u ngritur në Vlorë më 28 nëntor 1912.

[gallery]19877[/gallery] 
Varianti i parë:
“Në verën e vitit 1911 zonja Marigo me pretekstin se do të mjekohej shkoi në ishullin e Korfuzit dhe aty takohet me mjaft përfaqësues nacionalistë të kolonive shqiptare që ishin mbledhur në ishullin grek (...) Midis këtyre ishin edhe përfaqësues të Amerikës të dërguar nga shoqëria “Besa-Besën”. Këta posaçërisht patrioti Kola me të vëllanë Thoma Katundi i dorëzuan zonjës Marigo një flamur të qëndisur në ar e në mëndafsh që me gjithë shtizën dhe një shkabë të çeliktë që kishte kushtuar 140 dollarë. Zonja Marigo kthehet në Vlorë me flamurin e veshur në trup nën tesha, nga frika se mos ja gjenin rojtarët e doganës. Një vit më vonë këtë flamur zonja Marigo ja dhuroi plakut të Vlorës Ismail Qemalit për t’a ngritur më 28 nëntor në ballkonin e shtëpisë së Xhemal beut.” (Arkiv i autorit. Biografi e Marigo Posio (Poçi), faqe 5.

Varianti i dytë:
“Shumë patriotë kanë të njëjtin mendim si Kol Rodhja, Kristo Floqi, Lef Nosi, Shefqet Daji, Qemal Karaosmani, Hamza Isai, e Ymer Radhima, se flamurin kombëtar të ngritur në Vlorë më 28 nëntor 1912 është pikturuar nga vetë dora e zonjës Marigo sipas modelit të shqipes së vizatuar nga dom Mark Vasa me Petro Fotografin. Këtë hipotezë e mbështet edhe shërbëtorja që zonja Marigo ka mbajtur gjatë gjithë jetës pranë vetes së saj, Thina Ferra quhej. Ajo me gojën e saj ka pohuar te bashkëkohësit e saj se flamurin që u ngrit për herë të parë në Vlorë nga plaku Ismail Qemali e ka pikturuar me bojë të zezë vetëm Marigoja. Bile cilëson ajo atë flamur unë vetë e kam ngrohur pranë mangallit që t’a thanja sa më parë. Shpejt Thinë më thoshte e njera zonjë sepse Ismail beu e do për tashi në drekë. Flamurin e Amerikës që solli Marigoja prej Korfuzit iu është dorëzuar Llambi Bimblit e Kol Rodhes i pa prekur
kur këta po niseshin për në Korçë. Flamurin që bëmë ne cilëson Thina nuk është krejt i kuq por në bojë të specit (copë kjo që u ble tek tregëtari i quajtur Diamant). (Arkivi i autorit. Po aty.)
 
Varianti i tretë:
“Bejlerët e Vlorës thoshin se këtë flamur ua kishte falur atyre don Aladro Kastrioti (...)” (“Marigo Posio” Zeko Braho, Tiranë 1990, faqe 19.)
 
Varianti i katërt:
Revista “Hylli i Dritës” shkruan se Ismail Qemali duke ardhur prej Vjene u ndal në Kotorr dhe atje “Lec Shkjezi, që kishte flamuj gjifar masat, i dha një flamur të thjeshtë, kund dy metra të gjatë, mbasi i pat thënë plaku: nuk dua as tepër të madh, as tepër të vogël.” (“Hylli i Dritës”, nr. 11, viti 1937.)
 
Varianti i pestë:
Patrioti korçar Thoma Iftica, veprimtar i shoqërive patriotike në Amerikë, bashkëthemelues i shqoërisë “Besa-Besën” bashkë me Fan Nolin e Kristo Dakon, në shkrimin e autobiografisë së tij, shkruan se: “Në vitin 1911 së bashku me një grup shokësh Ndreko Çipi, Zenel Kamenica, Qerim Panariti, Miçe Bardhi, Llambi Mushka u këthyem në atdhe me qëllim për të lëftuar kundra armikut dhe njëkohësisht neve suallmë dhe flamurin e parë që u ngrit në atdheun tonë më 1912 në Vlorë prej Ismail Qemalit nëpërmjet vojtjesh dhe kontrollesh të mëdha.” (Thoma Iftica në autobiografinë e tij, faqe 1.)
 
Varianti i gjashtë:
Spiridon Ilo dhe të tjerë tregojnë se grupi që u nis nga Rumanija për shpalljen e pavarësisë kishte marrë me vehte edhe flamurin që do të ngrinin (edhe llogjika e pranon se ata nuk mund të niseshin për të ngritur flamurin kur flamurin nuk e kishin me vehte). Kjo dokumentohet me fjalët që Spiridoni i ka thënë djalit të tij Vangjo Ilo “Flamurin që përgatitëm në Bukuresht unë e kam mbajtur në gji që nga Bukureshti deri në Vlorë dhe pastaj pasi e valviti Ismail Qemali unë e mbërtheva në parmak me sqepar.”
 
Varianti i shtatë:
Spiridoni me flamurin që kishte me vete shkoi për të bujtur të shtëpia e Marigo Posios, meqë ajo ishte kushërira e parë e tij (nënat motra). Marigoja i qendisi flamurit thekët e verdhë për ta bërë ashtu siç e botoi dhe Spiridoni në kartolinën e vitit 1920.
 
Varianti i tetë:
Eqrem bej Vlora në kujtimet e tij, shkruan se flamuri që u ngrit më 28 nëntor 1912 ishte flamuri i shtëpisë së tij dhe Ismail Qemali dha urdhër që të merrej ai flamur për t’u ngritur në ballkonin e shtëpisë së tij.
 
Varianti i nëntë:
Nga gazeta “Kolonja” (dhjetor 2001, nr. 8, faqe 5) lexojmë: “Asim Dika ishte ai që mori flamurin e qendisur nga motrat Qiriazi dhe ia shpuri Ismail Qemalit në Vlorë për ta ngritur në 28 nëntor.
 
Varianti i dhjetë:
Në librin e tij “Patriotismë e nacionalismë”, patrioti Kristo Floqi flet për flamurin e ngritur në Vlorë në nëntor 1912, të dhëna të cilat ai i ka konsultuar edhe me të vëllain, juristin patriot Thanas Floqi, i cili si delegat i Korçës mori pjesë në kuvendin e Vlorës dhe firmoi dokumentin e pavarësisë. “Këtu duhet përmendur edhe një zonjë patriote korçare, zonja Marigo Pozio, e cila pregatiti me duart e saja e hartoj me mjeshtëri flamurin e parë që valoj në Vlorë, që ju dha Shqiptarëve sihariqin e çpalljes të indipendencës së tyre. Kjo pregatiti edhe disa flamurë të tjerë për zyrat e ndryshme shqiptare të Vlorës dhe ju ndihmoj sa mundi nisiatorëve të çpalljes së vetëqeverimit, ashtu si tjetër herë, pa u kursyer, ju kish ndihmuar komiteteve të ndryshme dhe kryengritjeve shqiptare.” (“Patriotismë e nacionalismë” Kristo Floqi, Tiranë 1928, faqe 51.)
 
Varianti i njëmbëdhjetë:
Një dokument shumë interesant rreth çështjes së flamurit është gjetur së fundmi. Është një letër e patriotit veteran Kol Rodhe, i cili flet për flamurin e nëntorit 1912. Këtu më poshtë jepet e zbardhur e gjithë letra e Rodhes dhe fotografi e letrës origjinale me shkrimin e tij:
Berat më 13-XI-934
Fort i dashur mik,
Dëshiroj të jini mirë si edhe unë mirë jam.
Si e dini Z. Juaj, vjet në muajin Kallnur (janar-shën.im-N.K.), kujtoj, bashkatdhetari jim z. K. Kirka ka sjellë prej Amerike Flamurin i cili është ngritur prej të ndyerit Ismail Qemalit në Vlorë me rastin e parë të shpalljes së Indipendencës Shqiptare. Atë Flamur, z. Kirka ja pat dhënë zotit Kotta dhe ky ja ka dorëzuar L.M. Tij Mbretit, i cili ka thirur Ministrin e Arësimit, zotni Ivanaj dhe ja ka dhënë me urdhër që, së bashku me një përshkrim historik të tij t’a vendosë në Muzeumin Kombëtar.
Pra Z. Ivanaj u interesua të mësojë se kush do ish ay që i dinte historinë ati Flamuri, dhe zotni Kotta i pat thënë që “ay Flamur është sjellë prej Amerike prej meje, më 1911”, dhe z. Ministër më thiri në zyrë e, massi i përshkrova gojarisht gjith historinë, m’a tregoj Flamurin. Zoti Ministër m’u lut që t’i bënja një përshkrim me gjith hollësirat dhe t’ja dërgoja, të cilën e bëra pas nja dy javësh dhe ja dërgova.
Z. Ministër më tha se, për të shpënë atë Flamur në Muze e lypte nevoja që të shpiesh me nderimet e merituarshme, ku do të ndodhesh edhe unë.
Por për fat të keq nuk u bë kështu, dhe nuk di përse. Vetëm më shkon nga mendja që “kështu i bëjmë punrat ne”.
Sidoqoftë, tashi marr vesh se Ministri, për ceremonit e duhura, Flamurin ja ka dërguar Muzeumit Kombëtar. Por nuk e di se a jua dërgoj edhe përshkeimin q’i patta dërguar unë së këtejmi apo vetëm Flamurin?
Pra në qoftë se ju ka dërguar Flamurin edhe historin’ e tij do ish mirë që me rastin e ditës së 28 Nëntorit të festonte në për Tiranë po ay Flamur, dhe historia e tij të shtypeshe në libërza të vogla të cilat të shpërndaheshin atë ditë për kujtim, ose të paktën historia e tij të botoheshe në fletorte e Tiranës. Për ndryshe në qoftë se dikushi ka pretendime të tjera, të më dorëzohet historia, dhe unë do t’a botoj që të përpiqen mendimet e të tjerëve, me gjith që e ndyera atdhetare, Marigo Pozio (e cila ja dorëzoj këtë flamur të ndyerit Ismail Qemalit) nuk rron sot që t’a dëshmojë.
Me këtë rast ju sjell në dije që xhufkat e këti Flamuri i kam gjetur në Korçë të sjella nga Odesa e Rusisë.
Lutemi pra kini mirësinë interesoheni dhe më njoftoni.
Në miqësi
Kol Rodhe.”
 
Këto janë disa nga variantet interesante të cilat pretendojnë se trajtojnë informacionin e vërtetë rreth çështjes së flamurit kombëtar të nëntorit 1912. “Zbulimet” e tjera të kohës sonë, se analizat kompjuterike kanë nxjerrë në dritë flamurin e Vlorës, nuk duhen besuar, sepse nuk ka asnjë provë të flamurit të ditës së pavarësisë, e cila mund të konsultohej për të gjetur flamurin origjinal. Duke u besuar shumë kujtimeve dhe pohimeve të delegatëve të pavarësisë në Vlorë, se momenti i ngritjes së flamurit është fiksuar në celuloid nga Petro Fotografi. Nëse studiuesit arrijnë të gjejnë këtë material fotografik, të munguar deri më sot, besoj se do të arrihet zbardhja e së vërtetës për flamurin kuq e zi, përmasat dhe formën. Gjithsesi, materiali që na afron më shumë me flamurin e pavarësisë, të ngritur në Vlorë më 28 nëntor 1912, besohet të jetë kartolina me flamur, e botuar dhe
përgatitur nga Spiridon Ilo në Nju Jork në vitin 1920. E besueshme, sepse Ilo ka qenë vetë pjesë e ceremonisë së ngritjes së flamurit dhe nga të vetmit që na ka dhënë një pamje të tij. Këtë ai e shtypi edhe në beze, për ta shpërndarë nëpër kolonitë e shqiptarëve jashtë atdheut.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

28 Nëntori/ Policia nuk lejon shqiptarët të festojnë në Londër! Në Athinë festa me flamuj e muzikë në rrugë! Vishet kuqezi edhe 'Duomo' e Milanos

28 Nëntori/ Policia nuk lejon shqiptarët të festojnë në Londër! Në Athinë festa me flamuj e muzikë në rrugë! Vishet kuqezi edhe 'Duomo' e Milanos