Drejtuesit e ekipit të Palermos u kanë mbyllur derën të gjithë ekipeve që janë interesuar për shërbimet e portierit të kombëtares shqiptare të futbollit, Samir Ujkani. Në një intervistë për mediet pranë ekipit të Lazios, njëri nga drejtuesit e ekipit të Palermos ka deklaruar se portieri Samir Ujkani nuk është në shitje dhe se nuk ka asnjë kontakt me asnjë ekip për largimin e tij, pasi është i pashitshëm.

Ndërsa Lazio, Sasuola dhe Udinese po ngulojnë për shërbimet e shqiptarit, pasi Seria A për momentin ndodhet në një krizë portierësh, por problemi qëndron në fatin që ekipet që kërkojnë shërbimet e Ujkanit, e duan vetëm për portier të dytë, përjashto Sasuolën. Megjithatë edhe një lëvizje drejt Lazios nuk përjashtohet, pasi Igli Tare e njeh mirë Ujkanin dhe aftësisë e tij.

Nëse Palermo nuk i siguron vendin e titullarit, atëherë shqiptari me siguri do largohet. Ndërsa Edgar Cani po ndiqet nga Ajacio dhe Kaiserslautern, bomberi kuqezi duket më pranë Gjermanisë, skuadër e Bundesligës që këtë sezon do të luajë edhe në Europa League.

Ndërsa Roshi ka nisur stërvitjen dhe deklaron se” Ndihem shumë mirë dhe dëmtimi muskulor erdhi si pasojë e fazës së gjatë përgatitore. Jam gati për sfidën e parë të kampionatit”. Ndërsa dilemat vazhdojnë për Sadikun, pasi akoma nuk ka vendosur ku do të luajë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 20.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)