Enkelejda Shkoza: Karrierën që
kam tani nuk e besoja as në ëndë

Enkelejda Shkoza: Karrierën që<br />kam tani nuk e besoja as në ëndë
TIRANE - Nga viti 1991 kur familja e saj u shpërngul në Itali, kanë kaluar vite. Tani Enkeleida Shkoza nuk është më një aspirante për këngëtare  që i sheh me zili studentet e Konservatorit “Xhuzepe Verdi”.

“Endrra ime më e madhe ishte të hyja  në Konservator. Por ëndrrat evoluojnë si ne, janë gjithmonë një hap përpara e shtyjnë përpara hap pas hapi ambicjen tonë, dëshirën për të qenë atje ku janë ata që ne respektojmë e ndonjëherë i ndruhemi”- shkruan Enkeleida nga Lima e Perusë.

Ndodhet atje për një premierë të re, një rol që do t’i shtohet repertorit të saj dhe më pas do ta interpretojë edhe në Londër. Sepse ëndrrat kanë ecur ashtu sic thotë artistja, dhe mezzosopranoja është bërë pjesë e kasteve të ndryshme operistike në mbarë botën duke ngritur një axhendë të ngjeshur aktivitetesh.

Në kalendarin e shfaqjeve të saj, presin për shfaqje teatrot e Londrës, Parisit, Barcelonës, Tuluzës, Madiridit dhe Lisbonës. Dhe ndërsa Edvige e “Guillelmo Tell” të Rossinit po merr formën e saj të plotë për premierën peruane, mes kohës së paktë të lirë, shkëpusim një intervistë me Enkeleidën, mezzosopranon shqiptare të skenave të huaja operistike.

Aktualisht ndodheni në Lima. Për cilën shfaqje po përgatiteni?

Ndodhem në Lima për të debutuar rolin e Edvige nga “Guillelmo Tell” të Rossinit, në versionin frëngjisht. Në këtë rast më shtynë disa faktorë për të marrë pjesë; në rolin e Arnoldit do të kemi Juan Diego Florez, përfaqësuesi më në zë i repertorit rosinian dhe një koleg me të cilin kam patur fatin te punoj shpesh.

Kujtoj që debutuam së bashku në Teatro Alla Scala, në të largëtin 1997 me veprën “La Petite Messe Sollennelle”  të Rossinit, e më pas në Vjenë për “Il Barbiere di Siviglia”, në Torino për Maria Stuarda, në Covent Garden për Matilde di Shabran e të tjera...

Arsyeja tjetër, këtë rol duhet ta këndoj më vonë në Londër dhe pranova gjithashtu  sepse nuk e njihja Limën. Ne këngëtarët kemi fatin të udhëtojmë gjithandej. Mua më entuziazmon çdo herë që zbuloj një realitet tjetër, është një lloj pasurie personale.

Ky vit është viti i Verdit. Ju jeni diplomuar në konservatorin me emrin e tij. Ndërsa shohim se në kalendarin tuaj dominojnë veprat e tij. Sipas  jush cila nga operat e tij i përshtatet kohëve që jetojmë sot?
Këtë vit e fillova stinën punësore (përkon me fillimin e shkollave,shtator) me veprën madhështore “La Forza del Destino”, në Barcelonë, në Teatrin Liceu, që e dua aq shumë.Ishte debut, për fat shkoi shumë mirë.

Roli i Preziosillës kërkon një zë të rëndësishëm, me shtrirje e nuk mungojnë elementë të një stili belkantist. Duhet të jesh edhe aktore e mirë, pasi roli është brilant, me energjinë e saj ky personazh arrin të zgjojë te masa flakën e patriotizmit.

Pothuajse gjithë krijimtaria e Verdit është aktuale, sepse aktuale janë e do të jenë tematikat që ai trajton: dashuria, qoftë ajo intime apo në shkallë më të gjerë si ajo për një shok, për prindin, deri tek ajo më sublime, dashuria e dhimbshuria për atdheun. Do të ekzistojë gjithmonë xhelozia, hakmarrja, ambicja, komploti, shpifja, urrejtja, na pëlqen ose jo.

Gjithmonë në lëvizje, role që i shtohen repertorit tuaj, prova dhe shfaqje… është kjo karriera që kishit ëndërruar në fillimet tuaja?
Karrierën që po bëj jo vetëm që nuk e imagjinoja, por po ta shikoja në ëndërr nuk do ta besoja kurrë që mund të realizohej.  Në familjen time (për shkak të regjimit), ishim mësuar të na e mbyllnin derën në fytyrë, kushërinjtë e mi kanë mundur të kryejnë arsimin e lartë,vetëm pas viteve ‘90.Unë humba një vit ,sepse nuk m´u dha e drejta e konkurimit në Konservator.

Në ‘91 trasferohem në Itali me familjen dhe pas një mijë peripecish, mbërrij në Milano, ku konkurroj për t´u futur direkt në vitin e 4 te Konservatorit “Verdi”. Nuk do ta harroj asnjëherë me sa zili i pashë studentet në oborrin e shkollës.

Endrra ime më e madhe ishte të hyja  në Konservator. Por ëndrrat evoluojnë si ne, janë gjithmonë një hap përpara e shtyjnë përpara hap pas hapi ambicjen tonë, dëshirën për të qenë atje ku janë ata që ne respektojmë e ndonjëherë i ndruhemi.

Emocionet para shfaqjes shoqërojnë të gjithë artistët. Si është për ju backstage pak para se të hyni në skenë?
Emocionet...janë të çuditshme, të paparashikuara dhe të afta të na lënë dhe ne vetë pa fjalë. Ka qëlluar të kem humbur pikë nga një emocionim i tepërt, që të bllokon e nuk të lë të shprehesh lirisht në skenë.

Atëherë ndodh që punohet, si për çdo aspekt tjetër të jetës, puna jonë më e bukur është ajo e një proçesi të gjatë drejt sigurisë vetjake dhe përfshin pa dyshim sferën emocionale.

Në shumë pak raste, për fat, më ka qëlluar të jem fare pa emocione. Eshtë nga gjërat më të papëlqyeshme që kam eksperimentuar në skenë, të këndosh e të interpretosh pa asnjë ngacmim të brendshëm është gati e pamundur.

Cila ka qenë shfaqja juaj më e ngarkuar me emocione?
Shumë role më kanë emocionuar vërtet. E pamundur të të lërë pa mbresa (të forta, madje) Karmen, ky vullkan i shumëngjyrshëm, me vërtetësinë e plotësinë e një personazhi që të befason, falë një muzike që nga fillimi në fund të operës, nuk të le një minutë të mërzitesh apo të qetësohesh. Nuk mund të le pa përmendur Ebolin nga “Don Carlo”, Navarrez e Massenet, Sara e “Roberto Devereux”,  Romeo e “Capuleti e Montechi” nga Bellini.

Ndër rolet tuaja cili ju ka lodhur më shumë?
Roli më i lodhshëm ka qenë në operën e Donizzetit “Don Sebastian”, ku duhet të këndoja pothuajse pa pushim në 5 akte dhe isha e vetmja femër  mbi skenë. Por në atë rast pata fatin të punoj me zonjën Carla Fracci, e cila kërcente në opera, duke mishëruar personazhin tim në një tip ëndrre.

Një opera nuk është vetëm zë, por edhe aktrim. Këtu regjisorët janë tejet të rëndësishëm. Nga bashkëpunimet tuaja cilat kanë qeë më të frytshmet në këtë drejtim?
Opera është e lidhur në mënyrë të pashmangshme nga aktrimi. Eshtë e kuptueshme që nuk mjafton një zë i bukur për të të futur në dramën që po ndjek. Por kohët e fundit po asistojmë në një dukuri gjithmonë e më të përhapur: për formimin e një kasti pyetet gjithmonë e më tepër regjisori.

Nga bashkëpunimet më të frytshme mund të rradhis atë me Pier Luigi Pizzi, një simbol elegance, esenca e teatrit klasik, më ka dhënë ky artist i madh nocionet e para dhe kryesore të të qëndruarit e të aktrimit  në skenë. Kam patur privilegjin të punoj me shumë artistë të mëdhenj si Robert Carsen, Bob Ëillson, Emil Sagi e të tjerë.

Çfarë debutimesh të tjera përveç Edvig keni për këtë vit?
Në këtë vit verdian do të debutoj dy role themelore për një mezzo: Amnerisin nga “Aida” dhe Azucenen nga “Trovatore”. Këtë të fundit në Sterisferio të Macerates. Eshtë një amfiteatër shumë sugjestiv.Nuk mund të fsheh padurimin që ndiej në lidhje me këto debutime.

Janë ëndrra e çdo mezzoje, nga një anë provë e rëndësishme, por edhe burim frymëzimi.   Më pëlqen të alternoj natyrën e interpretimit, nga komiciteti eksploziv i Rossinit, në humorizmin elegant të Mozartit (Cosi fan tutte),në vullkanin e emocioneve të Carmenit, sensualitetin e kësaj të fundit, të Giulietes (kurtizane në tregimet e Hoffmanit).

Më pëlqen të punoj mbi personazhet më të koklavitur psikologjikisht e emocionalisht siç ishte rasti i Ebolit, Amnerisit, që për dashuri e xhelozi shtyhen aq sa të tradhëtojne besimin e të dashurve të tyre. Eshtë interesante puna individuale për t´i kuptuar, për të zbërthyer kontradiktat që i mundojnë, për të dhënë në fund një personazh të besueshëm, sa më të vërtetë.

Cili rol është sfidë për ju?
Çdo rol është sfidë, puna e këngëtarit është sfidë kostante, por jo aq me të tjerët, sesa me veten. Eshtë puna jonë me personazhin, që të paktën mua më shoqëron përgjatë ditës, madje koha më e përshtatshme shpeshherë është nata. Në heshtje arrij të përqendrohem e të mendoj si personazhi.

Këndoj mendërisht pjesë të operës dhe në këtë proçes,vendos si do të këndoj apo luaj këtë apo atë moment muzikor. Kam besim tek instikti im, pranoj sugjerime, por nëqoftëse jam e bindur për diçka, mundohem të bind edhe regjisorin apo dirigjentin.

Dhe cila është filozofia juaj në skenë?
Filozofia ime në skenë? Duke u nisur nga parimi që nuk ia vlen të kesh cmirë asnjeri dhe që një shfaqje funksionon vërtet, vetëm kur të gjithë komponentët janë të një niveli të mirë, mundohem të ruaj qetësinë, të këndoj që në rradhë të parë të provoj kënaqësi unë, në mënyrë të tillë që publiku të më njohë e të më pranojë sa më shpejt.

Nuk kursehem në interpretim, këtë publiku e kupton menjëherë.  Përgjithësisht krijoj raporte të mira e shpeshherë miqësore me kolegët.Ndihmon kjo për të punuar dhe më mirë.

Shkrimi u botua sot në suplementin Fundjava të gazetës Shqiptarja.com (print) 01.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë