Sipas raportit, një nga arsyet kryesore të kësaj tendence në rënie të performancës është se 2017 ka qenë viti elektoral, që zakonisht shoqërohet me shtim artificial të numrit të punonjësve në shoqëritë UK, rritjen e shpenzimeve në përgjithësi, si dhe të një rënie të vullnetit të zbatimit të ligjit që reflektohet në uljen e normës së arkëtimit.
Ndërkohë, raporti zbulon se faturat e ujit për familjet shqiptare pritet të rriten. Enti vlerëson se ka ende hapësira për të rritur tarifat ndërkohë që ende situata mbetet problematike, me një humbje në rrjet prej 67 për qind të ujit dhe ku lidhjet e jashtëligjshme zënë një pjesë të konsiderueshme: të paktën 20 për qind të totalit.
“Nga përshkrimi i gjendjes së sektorit më sipër vihet re relativisht një përqindje e lartë e mbledhjes së faturave, ndërkohë që përgjithësisht sektori është në gjendje jo të mire financiare. Kjo tregon që krahas problemit të lidhjeve të paligjshme, faktor tjetër kryesor për gjendjen e dobët financiare janë edhe tarifat e ulëta të shërbimeve, që kanë mjaft hapësirë për rritjen e tyre. Këtë fakt ERRU e ka një ndër konsideratat kryesore gjatë analizës, vlerësimit dhe miratimit të tarifave që propozojnë shoqëritë UK” thuhet në raport.

Të gjithë këtë ERRU e argumenton me mundësinë e përballueshmërisë që është kriteri që përdor ky institucion për mundësinë që ka një familje për pagesën e faturës së shërbimeve të ujësjellës-kanalizimeve. Niveli që përdoret në këtë rast është 5 për qind e të ardhurave mesatare për familje. “INSTAT vlerëson se të ardhurat mujore mesatare të përgjithshme të një familjeje janë rreth 70,000 lekë/muaj, që i korrespondon një niveli të përballueshmërisë së tarifave prej rreth 300 lekë/m3. Tarifat aktuale të shërbimeve UK janë akoma mjaft më të ulëta se kjo vlerë” thuhet ne raportin e ERRU.
Në një prononcim të mëparshëm për mediat, drejtori i Entit Rregullator të Ujit, Ndriçim Shani ka paralajmëruar rritje të vazhdueshme tarifash, për të përballuar nevojën për investime. “Strategjia Kombëtare e Financimit të Sektorit të Ujit me anë të një modeli 3T (Tarifa, Transferta Donatoresh, Taksa-Buxheti nga qeveria qendrore) parashikon realizimin e këtyre investimeve me një mesatare prej rreth 170 milionë eurosh në vit, për një periudhë kohe 22-vjeçare deri në fund të vitit 2040.
Skema e financimit parashikon që nga rritja e tarifave të shërbimeve të përballohen mesatarisht çdo vit rreth 40-50% e vlerës totale të kërkesës për investime kapitale. Rritja e pritshme e tarifave për të realizuar objektivat dhe investimet e mësipërme do të konsistojë në pjesën më të madhe për mbulimin e kostove të shërbimeve të KUN (grumbullim, largim dhe trajtim të ujrave të përdorura). Ky përfundim është arritur nga një analizë e hollësishme e përballueshmërisë reale të popullsisë për të paguar faturat që do të rezultojnë nga niveli i rritur i tarifave”, ka pohuar ai.
Nga 1 janari 2018, tarifat e ujit u rritën me 44% në Tiranë (nga 45 lekë për metër kub, në 65 lekë). Edhe në rastin e kryeqytetit ERRU argumentoi se rritja e tarifave ishte e përballueshme, ndërkohë që Autoriteti i Konkurrencës shfaqi rezerva të shumta për këtë rritje.
Raporti sjell në vëmendje edhe faktin që sot Shqipëria ka një cilësi të ulët shërbimi me furnizim me ujë mesatarisht 12/24 orë në ditë vetëm në pak ujësjellës. Sistemi mbetet ende pa matësa ndërkohë që në shumë raste pjesa e faturimit cenohet nga faktorë të tjerë si korruptimi i faturuesve.
d.c./shqiptarja.com
