Enti Rregullator zyrtarizon
rritjen 44% të tarifave të ujit

Nga 1 janari 2018, banorët e kryeqytetit do të paguajnë tarifa të reja të furnizimit me ujë, që janë 44 për qind më të larta se ato aktualet. Enti Rregullator i Ujit (ERRU) ka miratuar tarifat e reja të furnizimit me ujë dhe largimit të ujërave të ndotura për Bashkinë e Tiranës.

Sipas ERRU-it, tarifa e ujit për klientët familjarë bëhet 65 lekë/m3, nga 45 lekë/m3 që është aktualisht. Për klientët publikë 140 lekë/m3, për klientët privatë tarifa shënon 155 lekë/m3 dhe për prodhim pijesh dhe pishina, tarifa e ujit bëhet 170 lekë/m3. Ndërsa për kategoritë furra buke, shitje uji me shumicë dhe HEC-in e Lanabregasit, që furnizom Tiranën me energji elektrike, tarifat bëhen përkatësisht 95 lekë/m3, 12 lekë/m3 dhe 5 lekë/m3.

Politika
Kjo pason shqyrtimin 3-mujor nga ana e Entit, të vendimit të marrë në korrik të këtij viti nga Këshilli Bashkiak i kryeqytetit për ndryshimin e tarifimit të ujit të pijshëm në Tiranë. Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar me 31 vota, nga 61 anëtarë, propozimin e Bashkisë për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm me 44%, nga 45 lek/ m3 në 65 lekë/m3. Ky vendim i Këshillit Bashkiak, autorizoi Bashkinë e Tiranës për të kërkuar nga Enti Rregullator i Ujit (ERU) rritjen e çmimit të ujit. Ishin 25 votat e PS, dy të LSI: Genta Mezini dhe Agim Kraja; tre të PDIU dhe një votë e FRD, që bënë të mundur arritjen e kuorumit dhe miratimin e projektvendimit, pas rreth dy orë diskutimesh.

Nga ana tjetër, këshilltarët e PD bojkotuan mbledhjen, ndërsa akuzuan LSI-në për pabesi ndaj qytetarëve dhe si pjesë të pazarit me Veliajn.
LSI kërkoi fillimisht përjashtimin nga rritja e çmimit të familjeve me ndihmë ekonomike dhe pensionistët, diferencimin e biznesit si dhe ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme. Kryebashkiaku Veliaj shprehu dakordësi për kushtet e LSI-së, duke paralajmëruar edhe miratimin e rritjes së çmimit të ujit, pasi, siç tha ai, votat ishin të mjaftueshme. “Kemi votat për ta bërë Tiranën me ujë 24 orë në ditë. Bashkia do t'i përcjellë ERRU-së plan-biznesin me gjithë propozimet e LSI. PS-LSI, Tirana me ujë, më e rëndësishme se partitë”, ka thënë kryebashkiaku Erion Veliaj në korrik. 

Problematika
Furnizimi me ujë është një nga “thembrat e Akilit” të shtetit shqiptar. Kuvendi i Shqipërisë ka konstatuar në vitin e fundit që ka marrë në shqyrtim se treguesit kryesorë të performancës në sektorin Ujësjellës Kanalizime nuk kanë shënuar progres dhe shoqëritë e krijuara për furnizimin me ujë të qytetarëve nuk kanë bërë përpjekjet e duhura për të arritur objektivat. Kuvendi ka vënë në dukje se as shoqëritë, të cilave u është miratuar ndryshimi i tarifave, përgjithësisht nuk kanë arritur objektivat e përcaktuara për Treguesit Kryesorë të Performancës. Shlyerja e detyrimeve të operatorëve UK ndaj ERRU-së është përkeqësuar, ndërsa niveli i mbulimit të kostove dhe tendenca e këtij treguesi nuk është pozitive. Më tej konstatohet se, mbulimi i kostove vetëm përmes rritjes së tarifave dhe pa një përmirësim të performances, ka sjellë efekte negative, me ndikim të drejtpërdrejtë tek konsumatorët.

Mungesa e furnizimit të vazhdueshëm vijon të mbetet problem shqetësues, duke ndikuar edhe në cilësinë e ujit. Në Tiranë, çmimi i ujit për familjarë deri tani ishte 45 lekë/metër kub, ose 0.045 lekë/litër. Çmimi mesatar në të gjithë vendin është rreth 0.04 lekë/litër. Nga të dhënat zyrtare rezulton se konsumi mesatar mujor për një familje me katër anëtarë është 12 mijë litra në muaj dhe fatura arrin në rreth 480 lekë në muaj, pa tarifat e tjera dhe taksat. Por faktikisht një familje bën shpenzime të tjera për ujin që përdor për të pirë, të paktën 1.500 lekë në muaj, duke konsumuar 150 litra ujë të ambalazhuar.

Specialistë të ndryshëm të sektorit pretendojnë që, para se të kërkojë rritje të tarifave, pushteti vendor – pronari i ujësjellësve – në radhë të parë duhet të normalizojë financat e kompanive në fjalë, duke filluar nga eliminimi i vjedhjeve në rrjet e deri tek pagesa e të gjitha faturave të konsumit. Ky është një aksion, i shpallur tashmë nga kryeministri Edi Rama për mandatin e dytë qeveritar të tij, pas lëvizjes që u bë në përballimin e vjedhjeve të energjisë elektrike.

Por shifrat janë ende shumë larg një performance normale. Sipas planifikimeve të shtetit, vetëm në vitin 2019 niveli i ujit pa të ardhura do të ulet në 60%, kundrejt vitit 2018, kur parashikohet të jetë 65%, për t’u reduktuar më tej në 40% në vitin 2022.

rritja e cmimit te ujit

rritja e cmimit te ujit
(Tarifat e reja të miratuara nga ERRU)

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Minsistri Sveçla: Janë mbyllur institucione paralele serbe në 10 komuna

Kosovë/ Minsistri Sveçla: Janë mbyllur institucione paralele serbe në 10 komuna