TIRANE - Enver Basha, i njohur për policinë si njeriu që e ndihmoi të bllokonte Kostandin Xhuvanin, plagosur dy net më parë pas një përplasjeje fizike me dy persona të arrestuar tashmë, braktisi ambientet e Spitalit të Traumës, ku ndodhej për mjekim.
 
A1 Report zbulon pamje te regjistrit të spitalit të traumës, në të cilin është shënuar edhe ora e ardhjes së Bashës në spital, apo edhe ora e largimit të tij nga spitali.
 
Sipas regjistrit në spitalin ushtarak, Basha mbërriti në orën 16:00, aty dhe mjekët konstatuan se ai kishte një plagë të rëndë në hundë.
 
Menjëherë pasi mbërriti në spital, Basha iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore, si analizat komplet të gjakut, një analizë urine, një eko abdominale, apo eko barku, si dhe një grafi për hundën.
 
Mjekët thonë për A1Report se menjëherë pas kësaj, pacienti i është nënshtruar një ndërhyrjeje të vogël në hundë me disa qepje, dhe pa përdorur anestezi.
 
Pas kësaj ndërhyrjeje mësohet se ai është pyetur aty nga policia dhe më pas është sistemuar në një nga dhomat e urgjencës së spitalit të traumës.
 
Pas ndihmës së dhënë nga mjekët ai ka braktisur në mënyrë të papritur ambientet ku qëndronte, duke u larguar nga spitali, pa u vënë re nga njeri.
 
Në regjistër shkruhet se ai është larguar nga Spitali i Traumës pa lejen e mjekut.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)