Si e shihte Enver Hoxha mbledhjen e bërë në Mukje ditët e para të gushtit 1943 dhe pse ai derdh një lumë akuzash ndaj delegatit të Partisë Komuniste Ymer Dishnica? Pse sipas tij komunistët kishin kapitulluar para Ballit në atë mbledhje? Letra e Enver Hoxhës e 9 gushtit 1943, zbulon zemërimin e Hoxhës ndaj dy delegatëve të tij në Mukje Ymer Dishnicës dhe Mustafa Gjinishit. Hoxha i shkruan Dishnicës se ka marrë në dorë një trakt të shpërndarë menjëherë pas takimit të Mukjes, trakt të cilin ia ka dërguar Gogo Nushi (Hyseni, pseudonimi i tij). Hoxha e kritikon duke i thënë se në bisedimet e bëra Dishnica dhe Gjinishi i kishin tejkaluar kopetencat që iu ishin dhënë në Korrik të ‘43 në Labinot.
“Ti ke ra këmb e krye në pozitat e Ballit me këtë trakt, ku flitet për Shqipni etnike dhe ku nuk flitet aspak për luftën kundra fashizmit dhe për luftën tonë. Asnjë fjalë nuk ka në trakt për Partinë Komuniste”, e kritikon Hoxha duke e ashpërsuar qëndrimin e tij me frazën: “ky trakt i cili shkel kryekëput vijën tonë politike, dënohet nga Komiteti Qendror”. Më tej Hoxha e kritikon edhe për emrin që është propozuar në Mukje “Këshilli për shpëtimin e Shqipërisë”, që sipas Enver Hoxhës “është krejt i gabuar si në fond edhe në formë”.
Tejet i nxehur në këtë letër, Hoxha merret edhe me detaje në dukje të parëndësishme, si përshembull, fakti që emri i Ballit ishte vendosur në trakt para Këëshillit Nacional-Çlirimtar. Duke e dënuar këtë trakt, Hoxha i jep urdhër Dishnicës që të mos thellohen më tej në bisedime me Ballin dhe sidomos të mos konkludojnë në ndonjë marrëveshje tjetër.
Për pozitat e Ymer Dishnicës në këtë periudhë, letra ishte një mandatë dhe ajo do të paralajmëronte shumë zhvillime të mëvonshme në marrdhëniet e këtij personazhi me partinë komuniste.
Po ashtu si një mandatë e paraqet edhe vetë Dishnica, i cili në letrën përgjigje pas kësaj për Hoxhën, i thotë se e gjitha kjo i ka rënë si një bombë. Letrën e Dishnicës si përgjigje për Enver Hoxhën do ta sjellim për lexuesit, nesër në Shqiptarja.com. Ky letërkëmbim që zbërthen prapaskenat e marrëveshjes së Mukjes, apo mbledhjes mes këshillit Nacional -Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar ruhet i plotë në AQSH në fondin 14, dosja 21.
Shafingo
Për traktin qi na dërgon Hyseni ti nuk na kishe vunë në dijeni ma parë. Këtë gja nuk mund ta kuptojmë dhe kurdoherë na vë përpara një fait-açompli dyke mos na lajmëruar përpara për hedhjen e traktit, për përmbajtjen e tij dhe të na kërkoje mendimin tonë për një gjë të tillë me kaq rëndësi historike. Në Labinot të ishte thanë si ty si Tafarit që kompetenca e juaj nuk shkonte deri në këtë pikë (nuk zgjatem mi këtë pikë pse ju e dini fare mirë deri ku ishit kompetentë dhe sa ishte pengue iniciativa por një iniciativë kurdoherë në favor të partis dhe jo në dëm të saj).
Juve vetëm duhet të bisedojshit me Ballin, ta shtyshit për një bashkim konkret me neve; por ky bashkim nuk kryhet në tryezë por ne terren, në luftë. Ju ishin caktue gjithashtu pikat mbi të cilat duhet të bisedonit dhe të konkludonit (shif edhe letrën datë 6/8/43). Ti ke ra këmb e krye në pozitat e Ballit me këtë trakt, ku flitet për Shqipni etnike dhe ku nuk flitet aspak për luftën kundra fashizmit dhe për luftën tonë. Asnjë fjalë nuk ka në trakt për Partinë Komuniste. Bashkimin e keni ba me kondita paritetike në mes të Ballit që është një organizatë dhe Këshillit Nac.Çli. që është një front. Me këtë trakt juve pranoni që të hidhet një perde në tërë të kaluemen dhe të tashmen e fëlliqun të Ballit dhe i hapni dyert Ballit që të hyjë triumfalisht në histori. Prandaj: ky trakt i cili shkel kryekëput vijën tonë politike, dënohet nga Komiteti Qendror.
Duhet të kuptosh që Balli si edhe të ghithë oportunistët e tjerë kanë sot nevojë të madhe për të kapërcyer me marifet të kalumen; duhet të kuptosh se ata janë vërsul me tërë forcat e tyre për të trashëguar fashizmin që po vdes (po qe se nuk ka vdek akoma i thuaj Tafarit); për të marrë pushtetin dhe për të na larguar neve nga radha e parë ku jemi sot dhe për të na dhanë shqelmin nesër; veçanërisht kur konditat politike të jashtme po rukullisen juve nuk deklaroni luftën kundra fashizmit por proklamoni independencën kur okupatori është edhe brenda, gjithashtu dhe Shqipnin Ethnike, thezë që mbron vetëm fashizmi dhe reaksioni.
Për sa thamë ma nalt, në qoftë se trakti nuk është shpërnda, të mos shpërndahet në asnjë mënyrë, pse ky trakt është një kapitullim komplet përpara Ballit. Me këtë trakt ju keni fshirë Këshillat Nac.Çli., Shtabin dhe ushtërinë që i ngritëm me aq gjak e sakrifica; ju zhdukët parullat që dy vjet me radhë udhëhoqën dhe frymëzuan luftën e popullit tonë. Emëri i Këshillit për shpëtimin e Shqipërisë është krejt i gabuar si në fond edhe në formë. Dhe letrat e tua për sa i përket të katër pikave janë në kontradiksion me pikat e traktit.
Luftën tonë e futët në pellgun e Ballit dhe guxoni në trakt të vini emërim e Ballit përpara atij të Këshillit i ndërtuar me kufomat e shokëve tanë të vrarë nga fashizmi dhe nga Balli. Me hedhjen e traktit juve keni krijuar një situatë të vështirë prandaj mos u shtyni ma tutje në bisedime dhe sidomos mos konkludoni asnjë marrëveshje tjetër. së shpejti, Partija dërgon një delegat tjetër.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 Tetor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)