Enver Hoxha: Si do arrestohen
dhe gjykohen anëtarët e partisë

Enver Hoxha: Si do arrestohen<br />dhe gjykohen anëtarët e partisë
Anëtarët e Partisë Komuniste kishin gjithmonë një koracë mbrojtëse gjatë viteve të regjimti komunist.

Madje as Sigurimi i Shtetit nuk i trajtonte ata si gjithë pjesën tjetër të popullit. Kishte urdhëresa dhe rregulla të veçanta edhe në rastet kur Sigurimi i Shtetit i vinte në ndjekje.

Dokumenti që sjellim sot për lexuesit është një udhëzim i nënshkruar nga vetë Enver Hoxha dhe parashtron 7 pika se si do të  veprohej gjatë arrestimit  të anëtarëve të Partisë dhe dënimit të tyre nga gjykatat.

Në të gjtihë rastet asnjë veprim nuk mund të merrej ndaj tyre pa u paraqitur dokumentet mbi fajësinë në Byronë Politike dhe pa marrë miratimin prej saj.

Më poshtë e sjellim të plotë dokumentin e 23 prillit 1971.
Ad.Pe.
 

 
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
BYROJA POLITIKE
Sekret
Ekzemplar Nr. 4
 
U D H Ë Z I M
 
MBI MËNYRËN E VEPRIMIT NDAJ ANËTARËVE TË PARTISË QË ARRESTOHEN DHE DËNOHEN NGA GJYQET
(Aprovuar në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të PPSH, më 20.4.1971)
 
Duke u mbështetur në Statutin e Partisë ku theksohet se anëtari i partisë “nuk ka asnjë privilegj para ligjeve të shtetit dhe përgjigjet për shkeljen e tyre njëlloj si gjithë qytetarët e tjerë”, për rastet kur anëtarët e partisë bëjnë faje të dënueshme nga ligjet, për arrestimin dhe gjykimin e tyre veprohet si më poshtë:
1.- Kur një anëtar partie kryen faje të dënueshme nga ligjet, organet e punëve të brëndshme dhe ato të drejtësisë për proçedimin, arrestimin dhe gjykimin e tij të veprojnë njëlloj sikurse veprohet për gjithë qytetarët e tjerë.
Në këto raste organet e punëve të brendshme dhe të drejtësisë i raportojnë komitetit të partisë të rrethit fajin që ai ka bërë dhe arrestimin e burgosjen e tij. Në të njëjtën kohë organet që e kanë arrestuar i dorëzojnë komitetit të partisë dokumentin e partisë që i është marrë komunistit në kohën e arrestimit.
2.- Kur anëtari i partisë që kryen faj të dënueshëm nga ligja është anëtar i Komitetit Qendror të PPSH, ose i Qeverisë, nuk mund të proçedohet dhe të arrestohet pa i paraqitur Byrosë Politike dokumenta mbi fajësinë e tij dhe pa marrë aprovimin e saj.
3.- Anëtari i partisë që kryen faje të dënueshme nga ligja dhe që është në funksionin e sekretarit të parë të komitetit të partisë të njësisë të rrethit, ose të sekretarit të komitetit të partisë të njësisë në Ushtrinë Popullore, apo kryetar i komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit, nuk mund të proçedohet dhe të arrestohet pa i paraqitur Byrosë Politike dokumenta mbi fajësinë e tij dhe pa marrë aprovimin e saj.
4.- Kur anëtari i partisë që kryen faje të dënueshme nga ligja është anëtar i plenumit të komitetit të partisë të rrethit ose i komitetit të partisë të njësisë apo repartit ushtarak, proçedimi dhe arrestimi i tij bëhet mbasi të jetë marrë aprovimi i byrosë së komitetit të partisë të rrethit, komitetit të partisë të njësisë ose repartit përkatës.
5.- Komiteti i partisë sapo merr njoftimin për arrestimin e anëtarit të partisë, informon organizatën bazë të partisë mbi shkaqet e proçedimit dhe arrestimit të tij.
Në rastet kur shkaqet e arrestimit janë të lidhura me sekrete të rëndësishme shtetërore, të cilat nuk duhet të dekonspirohen, organizata bazë e partisë informohet vetëm për arrestimin e anëtarit të partisë dhe shpjegimet e hollësishme jepen në kohën që gjendet e arësyeshme.
6.- Mbas gjykimit dhe dënimit të anëtarit të partisë të arrestuar, organizata bazë shqyrton pozitën e tij në parti dhe vendos përjashtimin e tij nga partia.
Në rast se arrestimi i anëtarit të partisë është bërë i pabazuar dhe gjyqi e nxjerr të pafajshëm, atëherë anëtari i partisë automatikisht mbetet në parti.
Kur anëtari i partisë kryen një akt kriminal (për shembull vrasje) dhe fajësia e tij është e vërtetuar publikisht, organizata e partisë shqyrton dhe vendos mbi qënien e tij në parti, pa qenë nevoja të presë përfundimin e gjyqit.
7.- Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë. Çdo rregull tjetër që bie në kundërshtim me këtë udhëzim shfuqizohet.
SEKRETARI I PARË I KOMITETIT QENDROR TË PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË
ENVER HOXHA
(firma, vula)
 
Nr. 1344 Datë 23.4.1971
KOMITETIT TË PARTISË RRETHIT
KËSHILLIT TË MINISTRAVE
T I R A N Ë
 
dokumentat enver hoxha gazeta 24 gusht

dokumentat enver hoxha gazeta 24 gusht


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Një vit pas arrestimit, lirohet nga qelia mjeku Dervish Hasi! Bie akuza e trafikut të të miturve, dërgohet për gjykim për pornografi

Një vit pas arrestimit, lirohet nga qelia mjeku Dervish Hasi! Bie akuza e trafikut të të miturve, dërgohet për gjykim për pornografi