Enxhi Hoxha: Euro 2024, testamenti i shqiptarëve për botën

Enxhi Hoxha: Euro 2024, testamenti i shqiptarëve për botën

Tifozët shqiptarë në Gjermani

Pretendohej se arena e blertë e Europës, prej kahmoti kishte jetuar e vështruar gjithçka, por debutimi masiv i bashkëkombsave në rrugët e qyteteve gjermane, tingujt e tupanave të atdhetarizmit që ushtuan në çdo fragment toke, brohorimat e shqiptarëve si e vetmja kolonë zanore e Europianit, stadiumet që kurrë s’kishin dëgjuar tifozeri më të zjarrtë, traditat kuqezi që servireshin nga shqiptarët e ardhur prej anembanë globit, ishin padyshim portreti më i bukur n’mes të Europës! Ky testament i shqiptarëve për botën, pa kast kodoi një mesazh, bashkimi ynë gjeneron një forcë të pandalshme, që kurdoherë mund të jetë edhe “tmerri” juaj.

Në tri ndeshje, sytë e Shqiptarisë në topin e shpresës, bekuar me lutjen e miliona zemrave, që për 90 minuta rresht pulsonin njëherësh. Gjermania, vendi lider i Europës, u shndërrua në kanal transmetimi për identitetin historik të Shqiptarisë, mikpritësja e shumë skuadrave, por në këtë Europian, u vesh dhe foli kuq e zi! Shqiponja fluturoi lart e larg, në qielllin e pafundëm të krenarisë Kombëtare!  

Çfarë tifozerie, çfarë skuadre, çfarë loje, çfarë emocioni, çfarë spektakli! Europa mund të jetë e ketë vërtetë gjithçka, por s’do të përjetojë kurrë “O sa mirë me qenë Shqiptar”…

Mbrëmjen e djeshme, Shqipëria u skualifikua nga Euro 2024, ky protagonizëm ishte i bukur për aq sa zgjati! Jeta është lakore me devijanca që përcaktohen nga fati, koha, momenti, mundësitë, privilegjet e favorizuara a penalizuara, cilësia e konkurentëve të së njëjtës fushë, investimi, motivimi, përkushtimi e pasioni. I ngjashëm me fatin dredharak historik,

Shqipëria në këtë Europian ishte pjesë e grupit të “Ferrit”. Prej rënies së shortit, shanset ishin të pakta, por kurrë shpirti i shpresës. Një ekip i vogël si i yni, u përball me fituesit e botës, kampionët e Europës, elitën e futbollit ndërkombëtar, më të mirët e fushës së blertë dhe demonstrimi kuqezi ishte thjesht fantastik. Gjithçka ndodhi me skuadrën tonë në këtë kompeticion, është provë se sado më i spikatur të jetë oponenti, investimi përmbys çdo ekuilibër.

Shqipëria dëshmoi sesi një “i vogël” mund të jetë tejet prestigjoz dhe jo lehtësisht i kapërcyeshëm për një “të madh”. Edhe humbja di të jetë dinjitoze! Fanellat e kuqezinjve, zhvilluan lojë të bukur, me mjaft raste për të shënuar në rrjet, ku hera-herës nëse synimi për të vetshënuar do të mposhtej nga pasimi te shoku i skuadrës, sonte tabela e pikëve mund të rezultonte ndryshe. Të kuptuarit se goli është më i rëndësishëm se autori, interesi i përbashkët mbi atë vetjak, është një kulturë që duhet të kultivohet jo vetëm në futboll. Gjithsesi, në atë çast presioni e emocioni, ndoshta jo të gjitha kalkulimet arrihen në fraksion sekondi.

Një moment delikat në historikun e Kombëtares sonë, ishte veprimi i Hysajt në ndeshjen me Italinë. Një lëvizje instiktive, e bëri mbrojtësin tonë një tabelë qitjeje e objekt memesh në nivele hakërrimi totalisht të panevojshme. Ky vend, ka çështje shumë më të mëdha sesa një gol i pashënuar, autorët e të cilave nuk janë shigjetuar kurrë, e aq më tepër në trajta të së pakursyeshmes. Ndaj, ndonjëherë do duhet të dimë të ndalemi, të vetpërmbahemi, e të kritikojmë aq sa kuptojmë, por kurrë pa teklif. Çfarëdo penaliteti t’i ketë shënuar Hysaj Shqipërisë, as që krahasohet me njerëzit që e kanë zhvatur, zhbërë e shpërfytyruar këtë vend për vite rradhazi. Me gjithçka ndodhi, bota i dëgjoi tupanat tonë, Shqipëria dëshmoi se ky ekip ka vendosur një tjetër standard, si shpresë se e nesërmja do të zgjohet ndryshe…

Bekimi i Zotit për këtë vend është i madh, prej se vullneti i Tij na bëri popullin më të lashtë të Europës, prej se jemi autoktonët e Ballkanit, prej se e pikturoi Shqipërinë me det e male, liqene e lumenj, kodra e fusha, prej se i bëri shqiptarët njerëz të besës, prej se i dhuroi Shqipërisë pasuri kombëtare, prej se e veshi zemrën e shqiptarëve me atdhedashuri! Emocion i madh të dëgjoje çdo brohorimë shqiptare në stadiumet dhe rrugët e Gjermanisë, por specifikisht thirrjet “Shqipëri Etnike” e çonin zemrën gjithnjë peshë…E ne kemi vetëm një detyrë, të realizojmë projektin e “Shqipërisë Etnike”, ëndrrës më të bukur në botë! Zoti e bekoftë Shqipërinë e çdo shqiptar anembanë botës, gjithnjë…

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Censi 2023/ Drejtoresha e INSTAT për Report Tv: Rezultatet brenda afatit, s'ka dyshime për shifrat! Në tetor statistikat në nivel bashkie e qarku dhe moduli i punësimit

Censi 2023/ Drejtoresha e INSTAT për Report Tv: Rezultatet brenda afatit, s'ka dyshime për shifrat! Në tetor statistikat në nivel bashkie e qarku dhe moduli i punësimit