Enxhi Hoxha: Vjeshta e një opozitarizmi të përçudnuar!

Enxhi Hoxha: Vjeshta e një opozitarizmi të përçudnuar!

Sali Berisha

Mëngjeset e një vjeshte të acartë prej kahmoti për opozitën, vyshkur në labirinth-in e mos lançimit të alternativës, mjegulluar prej vorbullit të kaosit, bekuar nën pazgjidhshmërinë afatgjatë, janë dëshmia e beftë e çedimit politik. Mënyra e operimit në fshatin politik shqiptar, ku nepotizmi institucional pezullon riciklimin e figurave potenciale, stacionon të gjithë klasën politike duke ia zbehur vendit ndryshimin e munguar.

Në 30 vite demokraci, gjithëçfarë i detyrohet Shqipëria eksponentëve partiak, është  pritja e pakohë për një borxh të pashlyeshëm, që në kurrfarë rrethane a bekimi, s’do i ekuivalentohet detyrimit ndaj mëmëdheut. Uzurpim të hapësirave publike, lavdi favorizimeve të oligarkëve, gajasje turbo-tallava me çdo skandal “made in” zyrat e shtetit, një kaos politiko-ekonomiko-social që zvarrit të nesërmen, duke ia mjegulluar diellin e bekuar dimrin! 

Prej tri dekadash, Sali Berisha është njeriu që keqazi udhëheq PD-në, që minon konkurrencën e ndershme dhe përdhos meritokracinë, që sfumon afrimin e liderishipit të ri, që maskon artificialisht potencialet e gjeneratës aktuale, duke i mbajtur peng këtij vendi, ardhmërinë. Shqipëria ende direksionohet prej vagonëve të tij të paudha, që edhe në protagonistin e opozitarit mund t’i dhuronin stabilitet ekonomik e politik këtij vendi, përmes denoncimit të segmenteve korruptive, publikimit të aferave apo adresimin në interpelancat parlamentare.

Thënë kjo, nuk ka forcë pushtetare që mbyt ushtrinë e fortifikuar opozitare, por minoranca jonë është e gjitha për një, kuturu për Sali Berishen. Në axhendën e misionarit kryeopozitar, vijon monopol elaburimi vetjak i favorizimit familjar pa kurrfarë llogaridhënieje publike. Opozita jonë e amullt, instrument i shërbimit të tempullit jofetar berishian, s’ka asnjë funksion qytetar. Një klas nxënësish që ia rrëmbeu lideri vizionin e perspektivën, iu shpërndau fletët e lavdrimit si shpërblim për servilizmin besnik, i bekoi me shenjtësinë e heshtjes, i rreshtoi si trupa mercenarë. Vrau shpresën, përdhosi Shqipërinë! 

Sot, Shqipëria zgjohet nën cicërimat e varfërisë, mes portretesh të zymta që nisin ditën me vetëdije se po sakrifikohen për paga modeste, që financojnë mbijetesën e pamundësojnë jetesën. Një vend i keqardhur, që lind artificialisht tentakulat e emigrimit dhe paradoksalisht shtron si pyetje retorike Pse-n. Eksodi i fuqisë punëtore është prodhim bio politik shqiptar, s’mund të jetë variabël i asnjë ekuacioni tjetër.

Të rinj e të reja, që në vigjilje të vjeshtës largohen si gjethe të rëna nga trungu familjar, në një tjetër dhe bien, plehu i së cilës iu lulëzon financat, por iu vyshk shpirtin. E stinët do të riciklohen, por malli i mërgimtarit priret të jetë fati i këtij vendi, të bekuar nga Zoti e të shpërfytyruar nga njeriu. Në vjeshtën e re, politika mbetet e vjetër! 

Sakohë Sali Berisha është aktor i skenës së politikës shqiptare, fabula është e njëjtë, interpretohet me të njëjtin patos, por gjithnjë e më shumë me audiencë të painteresuar. Aq sa e shohin, perçmojnë dhe refuzojnë ta komentojnë, sepse në vorbullën e së pacipës, distancimi është taktikë e mjeshtërt. Zoti ia bekoftë të nesërmen këtij vendi, me shpresën se dielli do të lind sërish mes maleve të ngrysura, detit të pellgëzuar, lumenjve pa rrjedhë e liqeneve të kënetëzuara… Zoti e bekoftë Shqipërinë!

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    PS abstenon e s'e çon mandatin e Xhaçkës në Kushtetuese, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

BE zotohet për sanksione ndaj Iranit, pas dyshimeve për furnizimin e Rusisë me raketa

BE zotohet për sanksione ndaj Iranit, pas dyshimeve për furnizimin e Rusisë me raketa