Situata e Drejtësisë, aktualitetit dhe politikës ishin tematikat e ditës së sotme (13 Janar) në analizën e zhvilluar në emisionin “Studio Live” në Report TV, nga gazetari Arbër Hitaj.
I ftuar ishte avokati Spartak Ngjela, i cili tha se SPAK ka goditur korrupsionin dhe aktualisht ndodhet në nivelin mesatar, por që duhet ta kalojë punën në një nivel tjetër tani. Ngjela shprehet se beson te projekti amerikan për SPAK-un dhe tek deklarata e Sekretarit të Shtetit, Anthony Blinken, që tha se “do shpëtojmë Shqipërinë nga korrupsioni”.
Avokati vuri në dukje se ka korrupsion të lartë nga të dy krahët e politikës dhe se për sulmet e Sali Berishës, i cili është nën akuzë prej mëse një viti për aferën në dosjen “Partizani”, u shpreh se ai ka “psikikën e të akuzuarit” dhe se nuk mund “të bëjë apo t’i zgjidhë punët me terror”.
Pyetja që ngriti avokati ndaj Drejtësisë së re, por edhe Qeverisë, është se çdo bëhej me këtë korrupsion të kapur, do i jepej zgjidhje përfundimtare apo do kalohej të pala tjetër.
“Drejtësia ka hyrë në rrugën e kontrollit permanent, flasim për SPAK gjithmonë, sepse kjo tjetra jashtë SPAK ka probleme ende me korrupsionin. Kurse SPAK po krijon dhe ka krijuar goditje, ka krijuar tension të korruptuarve, ka goditje, të shohim si do shkojë, po nuk janë pak. Janë shumë, ish-kryeministër, ish-zv.kryeministër, ish-president, se janë nën akuzë, të presim si do jetë hetimi, se nuk është i lehtë. Duhet parë shkallë-shkallë, por shenjat janë se do rritet goditja penale, se s’ka rrugë tjetër”, thotë avokati.
Por ai kërkon edhe reagim nga Qeveria në luftën ndaj korrupsionit, pasi shumë nga të akuzuarit janë apo kanë qenë pjesë e saj, që ndodhen në SPAK apo para Drejtësisë.
“Mirë që ndodhi goditja penale, po a e ka aftësinë qeveria që të ndalojë korrupsionin? A ka peshë, se të gjitha qeveria po i pëson, se këta që akuzohen për korrupsion janë të socialistëve në shumicë, kjo është pyetja. A do marrin masa këta për korrupsionin, nuk është Prokuroria që ndalon korrupsionin, por institucionet, këshilli ministrave etj., por nëse administrata është e korruptuar nuk e mbron dot shtetin. Do e kalojë qeveria projektin e luftës antikorrupsion apo do e bëjë si pazari i gjësë së gjallë?”, thekson ai.
Ngjela mendon se të korruptuarit kanë lënë prova dhe gjurmë dhe se nuk janë profesionistë, ndërsa pret që të shohë nëse SPAK do e ngrejë nivelin.
“Vullneti nuk pengohet nga dëshira. Është masiv korrupsioni dhe këta që kanë bërë korrupsion s’janë profesionist. Pofesionisti nuk trembet, e fsheh, me bankat etj., këta kujtuan se deti u bë kos dhe këta iu futën me lugë, por kosin ua kanë kapur! Se çfarë do bëjë më tutje prokuroria mbetet për t’u parë, por mendoj se është nivel mesatar, por më tej do varet nga vetë prokurorët nëse do e ngrejë nivelin apo jo. Do e shohim”, nënvizon avokati.
Por i pyetur në lidhje me presionet dhe kërcënimet e krimit të organizuar ndaj drejtësisë, apo edhe ato të Sali Berishës ndaj SPAK dhe BKH, ai thekson se korrupsioni është i lidhur me krimin e organizuar dhe veprojnë bashkë, teksa beson se e drejtuar nga Uashingtoni drejtësia do ia dalë.
“Korrupsioni qeveritar gjithmonë është bashkuar me krimin e organizuar. Nuk flasim për banda me armë në krah, por bashkëpunimi mes korrupsionit qeveritar me biznesin, me tregtarët e mëdhenj. Ata mund të bëjnë presionin ndaj prokurorisë. Mirë që i ke marrë, por s’i do t’i shpenzosh, do bësh akullore? Si do bëjnë, ka të dhëna, kanë shkuar me njerëz për pastrimin e parave, me çanta. Por ka një sy qikllopik të madh që i ndjek, ku është? Në Uashington, i ndjek, i di të gjitha. Pothuajse të gjitha, por çështja është se këta janë në politikë, se që i kanë të identifikuar të gjithë i kanë, e dinë edhe sa kanë edhe ku i kanë. Deri tani kanë qenë të sigurt, se konfiskimi i pasurive të tyre vinte nga gjykatë ndërkombëtare, por tani ka ndërruar ligji. Nëse i dënon gjykata shqiptare, kudo bllokohen pastaj. Por luftën ndaj korrupsionit e ka politika amerikane, ata janë bërë SPAK tani. Kur të filloj momenti konkret do flasim më hollësisht”, tha Ngjela për Report TV.
Kurse për akuzat e Berishës ndaj SPAK u shpreh se drejtësinë e drejtojnë amerikanët nga Uashingroni dhe se lufta nuk bëhet me terror ndaj drejtësisë. Ngjela shprehet se i beson deklaratës së Blinken, që tha se “do pastrojnë Shqipërinë nga korrupsioni”.
“Ai është nën akuzë. Është psikika e të pandehurit, ai që është më i mençur se këta, se e di që është kapur, përdor palën mbrojtëse, kërcënon dhe sulmon. Nuk bëhet me terror ajo. Lufta antikorrupsion drejtohet nga pala amerikane, nuk është nevoja të vijnë këtu. Puna është te provat, ka apo s’ka prova, kjo është çështja. Nëse s’ka prova është i pafajshëm, se s’mund të themi është i korruptuar. Unë i qëndroj thënies së Blinkenit (Sekretarit Amerikan të Shtetit), që tha do e shpëtojmë Shqipërinë nga korrupsioni dhe unë i besoj. Tani të shohim edhe qëndrimin e presidentit të ri amerikan”.
Avokati Spartak Ngjela bëri edhe një analizë të shkurtër të situatës zgjedhore në ‘Studio Live”, për votimet parlamentare të 11 Majit 2025.
Duke vlerësuar gjendjen e partive të mëdha, mazhorancë-opozitë, ai u shpreh se Rama duket i qetë drejt mandatit të radhës dhe nuk ka tension, kurse në krahun tjetër ngriti pyetjen se ‘si mund t’i fitojë zgjedhjet një njeri i shpallur non grata nga amerikanët?’.
Por për avokatin rëndësi ka a do luftohet korrupsioni nga struktura shtetërore apo thjesht do kalohet nga një palë të tjetra.
I pyetur në lidhje me akuzat e ish-kryeministrit ndaj kreut të qeverisë Edi Rama për dosjen ‘Xibraka’ dhe të vëllanë, Ngjela përsëriti se ‘Berisha ka një psikikë dhe ajo njihet’, që të akuzojë të tjerët.
“Ju e njihni psikikën e Saliut, psikika e tij transferohet në akuzë dhe është nivel i ulët, optika juridike s’i pranon fare akuzat e tij. Jo çdo denoncim është shkencor. Jo nga ata që nuk e dinë se çfarë është prova dhe akuza. Por sa e motivuar dhe profesioniste është një akuzë, se duhet provuar. Gjithçka brenda provës, jo çdo thënie është provë gjyqësore”, tha ai.
Kurse për zyrtarët e korruptuar u shpreh se mendonin se ishin të paprekshëm, ose që janë duke fshehur pasuritë nëpërmjet transferimit te të tjerët.
“Disa prej tyre mendojnë se janë të paprekshëm, disa janë fshehur apo i kanë fshehur pasuritë, duke i transferuar te të tjerët, me evazion fiskal. Por këta thoshin ‘jemi ne’, por tani këta që mendonin se ishin sundimtarët, e shikon se nuk kuptojnë se çfarë po ndodh apo do ndodhë”, thekson avokati për ‘Studio Live’.
Kurse për zgjedhjet e 11 Majit nuk sheh kundërshtar për mazhorancën dhe Ramën:
“Rama e sheh të sigurt dhe nuk shqetësohet. E shoh nga forma e fjalimit, nuk shqetësohen se i dinë sondazhet dhe e shohin se janë mirë, se kur kishte konkurrencë ishin më të tmerrshëm këta.
Po si mund të fitojë zgjedhjet në Shqipëri kryetari i një partie që është non grata në Amerikë. Ky është nonsens, si mund të thuash një plus një barazi me zero, kur bëjnë dy, kështu janë këta.
Pyetja kryesore është se ja e kape korrupsionin, çfarë do bësh me të? Se në rast se e godet dhe vjen një palë tjetër që e vijon, atëherë çdo bëhet me të?”, përfundoi Ngjela për Report TV.