Eposi i Kreshnikëve dhe
mbledhësit e shquar të perlave

Eposi i Kreshnikëve dhe <br />mbledhësit e shquar të perlave
Këngët e kreshnikëve na japin një pamje të gjerë të asaj mënyre të shprehjes gjuhësore popullore ku politesa dhe arroganca, miklimi dhe ironia, shpotia dhe sarkazma etj, paraqiten me mjete gjuhësore të qëlluara, të gjetura mirë e të bukura, me larmi e përpikëri, që dëshmojnë për shije të hollë artistike, po edhe për traditë të lashtë të shprehjes së përpunuar, të gjuhës si mjet arti. Nga ky këndvështrim, nuk e teprojmë kur themi se këngët e kreshnikëve janë përmendore madhështore e kulturës së gjuhës shqipe.

Të tillë e kanë vlerësuar edhe shumë albanologë dhe folkloristë të shquar shqiptarë e të huaj.Ka studiues që janë dashuruar me eposin dhe deri në fund të jetës janë marrë me bukuritë e tij si argjendarët që rijnë e shkëlzejnë “rgjãtet” e moçme për t’ua shtuar vlerën e çmimin faqe konsumatorëve. Për fat të mirë, eposit tonë i janë kushtuar rreshta dorëmbarë nga mbledhës të zellshëm, në krye të herës Marin Sirdani, pastaj etërit Bernardin Palaj e Donat Kurti, me lëndën e paçmueshme të botuar në “Visaret e Kombit”, po në atë lëmë kanë punuar edhe mbledhës e studiues të huaj si M.Lambertz e A.Lord, A. Desnickaja etj., pastaj dijetarët e folkloristët shqiptarë nga IF, sot IKP, si dhe nga IAP me mbledhjet e qëmtimet e vijueshme e botimet më të plota të vëllimeve të Eposit të Kreshnikëve na kanë vënë themelet e ngehinës madhështore të eposit tonë si thesar i pavdirë i artit të fjalës dhe na kanë çelur edhe shtegun e mbarë të të vlerësimit të këngëve të kreshnikëve si relikat më të bukura të palcës së kombit shqiptar.

Këngët e kreshnikëve apo Epika popullore shqiptare e Veriut ka qenë dhe vijon të jetë si mineralet e çmueshme, që mblidhen e nxiren prej thellësive të nëntokës e prej rrethinave a viseve malore më skajore, porse ato, pikërisht për shkëlzimin, hijeshinë dhe vlerat e tyre të çmueshme, bëhen menjëherë objekt gjakimi e pëlqimi prej masës së gjerë të studiuesve, njësoj si ari e argjendi prej zejtarëve ndejtarë e të ngulur të qyteteve. Siç vlerësonte me të drejtë Qemal Haxhihasani: “Ashtu si kanë ndihmuar për njohjen e antikitetit grek poemat homerike,për karakterin kompleks të shtetit këngët akritike, për mesjetën gjermane e frënge këngët e Nibelungëve e të Rolandit, ashtu ndriçojnë për shekujt e Mesjetës të vendit tonë edhe rapsoditë monumentale të ciklit të kreshnikëve, të cilat qëndrojnë denjësisht krah krijimeve epike më të mira të popujve të tjerë”. Ja, pse, atyre u janë qasur me ëndje e përparësi jo vetëm mbledhës e studiues nga Veriu, si: B.Palaj, D.Kurti, K.Taipi, Anton Çetta, Zymer Neziri, Agron Xhagolli, Shaban Sinani etj., po edhe aq shumë dijetarë prej viseve të Shqipërisë Jugore e Qendrore, si: Eqrem Ҫabej, Zihni Sako e Qemal Haxhihasani, Jorgo Panajoti, Alfred Uçi,Vasil Tole etj. Me vlerë të madhe ka qenë, ndër të tjera, studimi hyrës nga Z.Sako e Qemal Haxhihasani në vëllimin “Folklor Shqiptar, II Epika Legjendare, Tiranë, 1966, ku jepet një pamje e hapët e vlerave të këngëve të kreshnikëve si pjesa më përfaqësimtare e shpirtit krijues të popullit shqiptar dhe posaçërisht e Malësisë së Veriut ku ndodhet edhe vatra e tyre.

Atje, me javë e muaj kanë qëndruar mbledhësit e studiuesit e shquar, si Qemal Haxhihasani, folkloristi ynë i famshëm dhe i dashuruar pas eposit e mbledhejs së tij, aq sa, në vitet ’60 do të kalonte javë të tëra në Gjocaj të Shoshit, në Rrilë të Bregut të Matës e deri në Nikaj-Mërturin e largët, për të të dëgjuar e mbledhur me dorën e vet këngët e rapsodëve të përmendur si Sokol Martini, Osman Arifi, Mirash Ndou (Shosh), Ndue Lulashi e Gjon Nikoll Sokoli nga Kelmendi, të rënë herët në Bregun e Matës, Nikollë Loshi në Ishull të Shëngjinit e Llesh Prekushi në Balldren të Lezhës. Ashtu ka vepruar në anët e Kosovës edhe Zymer Neziri, një nga folkloristët më të dalluar të ditëve tona.
Qysh kur isha student, në vitet 1962-1966, me nxitjen e Zihni Sakos e të Qemal Haxhihasanit, kam mbledhur jo pak këngë kreshnikësh në Kastrat, Shkrel e Hot të Malësisë së Madhe. Këngë kreshnikësh kam mbledhur, me raste, edhe në gji të anketimeve dialektologjike në Kelmend, Hot e gjetkë, duke pasur si informatorë disa këngëtarë relativisht të shquar edhe si rapsodë, si Tom Marash Curri nga Kastrati, i shpërngulur në qytetin e Shkodrës, Ndue (Nosh) Deda nga Shkreli etj. Po përmend, gjithashtu, rastin e lumtur që kam pasur në vitin 1974, kur, për rreth një muaj rresht, kam dëgjuar e regjistruar këngë kreshnikësh nga rapsodi i mirënjohur Mirash Ndou, i caktuar si shoqërues zyrtar i studiueses daneze Mina Scafte Jensen. Mina S.Jensen, studiuese e Universitetit të Kopenhagës, ka ardhur në Shqipëri në vitin 1974 me ftesë të IF dhe kishte si objekt pune studimin e Eposit homerik, të cilin ajo dëshironte ta krahasonte me Epikën popullore shqiptare. Fryt i asaj pune dhe i studimit të saj krahasues është edhe libri i saj ”The Homerik Question and the oral-formulaic Theory”, Museum Tusculanum Press, Copenhagen 1980, në parathënien e të cilit e ka theksuar pikërisht rëndësinë e kontaktit të drejtpërdrejtë me eposin shqiptar si mjet për të kuptuar më mirë eposin homerik. Këngët e Mirash Ndout dhe përvoja e punës që fitova prej studiueses Mina Jensen patën për mua vlerën e asaj që ka sot një Master, madje ndoshta më shumë. Prej saj kuptova më mirë se “arka ime” ku kisha ndryrë copëza e këngë të plota kreshnikësh qysh në moshë të njomë, do të më vlente shumë gjatë gjithë jetës sime si studiues.
Kryekreje dëshiroj të theksoj se kam qenë dhe jam i bindur se gjuha e epikës heroike shqiptare duhet kundruar, studiuar e vlerësuar jo vetëm si pjesë të shprehjes e të formësimit artistik të Eposit, por edhe si shfrim e mishërim i dashurisë së shqiptarit për të bukurën, për vlerat e vërteta artistike dhe për marrëdhëniet e ndërsjella të gjuhës me kulturën në planin kombëtar shqiptar, po edhe më gjerë, duke përfshirë edhe shkëmbimet kulturore e huazimet gjuhësore e artistike të natyrshme e të pamungueshme në një trevë aq të shkëmbyeshme e të gjallë si ajo ballkanike. Atyre që kam pohuar e thënë më parë në disa kumtesa e artikuj, si dhe në ndonjë prej librave të botuar, u përmbahmem edhe më tej dhe, në dritën e botimeve e prurjeve më të reja, do të do të mëtojmë të sillen shqyrtime të reja për kumtin dhe kuvendimin në Epos në dritën e teorisë së sotme të komunikimit dhe sidomos nga pikëpamja e etnografisë së ligjërimit. Synimi ynë është në disa kahe të ndërlidhura mes tyre:

Së pari, të ritheksojmë vlerësimin e gjuhës së Eposit si model i ligjërimit, po edhe i sjelljes (komportimit) burrërore, mbase, mund të thoshim i mënyrësjelljes (bihejviorizmit), sepse kemi bindjen se ligjërimi njerëzor është pjesë e shfaqje e qartë pikërisht e sjelljes, e mendësisë dhe kulturës së individëve të veçantë dhe e krejt bashkësisë shoqërore përkatëse.

Së dyti, të parashtrojmë, qoftë edhe ende në formë piketash a syzimesh për t’u vijuar më tej, disa vlera kryesore të gjuhës e të ligjërimit të eposit, si kahe e vija hetimi e hulumtimesh rreth leksematikës, frazeologjisë dhe figurshmërisë së pakundshoqe të eposit, duke u mbështetur sa më fort në fjalët dhe mënyrat e të thënit e të emërtimit të bëmave, veprimeve dhe mjediseve të kreshnikëve, si një truall ende i pastudiuar në gjithë gjerësinë dhe thellësinë që meritojnë.
Disa herë, natyrisht, në funksion të shqyrtimeve dialektologjike e sociolinguistike, ma ka dashur puna të merrem edhe me vlerat e ligjërimit të folklorit e në veçanti të eposit.Në librin e Dialektologjisë në pjesën kushtuar gjuhës së folklorit, kemi dhënë edhe disa vlerësime për gjuhën e eposit, duke e cilësuar atë si përmendore madhështore të kulturës së gjuhës.Kam shkruar e botuar edhe ndonjë studim kushtuar gjuhës së këngëve popullore në përgjithësi e të këngëve të kreshnikëve në veçanti. Më tej, në rrjedhë të viteve, si pedagog titullar i dialektologjisë në Universitetin e Tiranës, i kam “yshtur” (me sa kam ditur e mundur) studentët të marrin edhe tema diplome e masteri kushtuar pikërisht vlerave ligjërimore të eposit të kreshnikëve dhe kam ngulmuar në pohimin se leximi i eposit të kreshnikëve për studentët e degës së gjuhës e të letërsisë vlen, në mos tjetër, sa një lëndë mësimore e programit të shkollimit përkatës.

Këtij pohimi i mbahem edhe sot e gjithë ditën dhe, si shembull,po lejohem të sjell një fakt të thjeshtë: u dhashë, para disa vjetve, studentëve të degës së gazetarisë të UT-së, të komentonin shprehjen “Gjuhë ruajma kokën” dhe ka qenë një nga temat që ata shkruan sprova shumë të bukura. Këtë temë nuk e pata shpikur, por e kisha gjetur pikërisht në një nga këngët e Eposit të kreshnikëve, që thotë:
“M’ka pasë thanun Gjeto Basho Muji:
“N’bejleg fjalët, kur t’bajsh me ra ndër burra,
Ruejma kryet, gjuh-o vedit me i thanë!”
(Lule Frangu, “Folklor Shqiptar, II Epika Legjendare, Tiranë, 1966, f.339)

Së treti, disa kundrime rreth "auditorit" të Eposit dhe proceseve të evoluimit të formave të shprehjes së tij. Këngët e kreshnikëve këndohen në tubime popullore me rëndësi, në festat kombëtare a fetare, në oda të burrave, në dasma, në mjediset familjare etj. Kur këndohen këngët e kreshnikëve auditori dëgjon me nderim e vëmendje të madhe. Burrat e moçëm përhumben në kujtime e derdhin lotë. Eposi është, pra, krijim hijerëndë e burrëror, që nuk i qas vulgarizmat dhe fjalët e pakrehura. Në mbarim të këngës, të gjithë dëgjuesit e pranishëm e urojnë njëzëri këngëtarin me fjalët: “Të lumtë goja!”, “Të këndoftë zemra!”, “Ia laç djalit!” etj.
Gjithmonë ky Epos është vlerësuar si krijimtari me peshë ndikuese edukative, prandaj në Malësi deri vonë, këngëtarëve me lahutë, u bëhej ftesë dhe u jepej vend i dukshëm krahas pleqnarëve më të njohur në odat e burrave,sepse vlerësohej që “Këngët e kreshnikëve e burrërojnë njeriun, e bëjnë trim, i shtien zemër të durojë plumbat, gjakun, luftat ku tresin mashkujt”.

Eposi i kreshnikëve përbën një përmendore të mrekullueshme të kulturës së gjuhës, një trashëgimi të paçmueshme në të cilën mund të verifikohen dëshmi shumë interesante të proceseve historike e dialektologjike të shqipes. Në këtë kuadër të studimit të gjuhës së Eposit bien në sy dy anë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën: nga njëra anë, tematika e pleksur me elemente mitologjike e brendiore të lashta, me mbeturina e tregues legjendarë e mendësi të shekujve të shkuar; nga ana tjetër, një gjuhë që kuptohet pa ndonjë vështirësi të veçantë nga brezat e rinj të kohës sonë, jo vetëm në Gegëni, po edhe më gjerë. Kjo dëshmon se gjuha e Eposit ka pasur përpunim të një shkalle të lartë, prandaj edhe është konsideruar me të drejtë si “përmendore e artë e gjuhës sonë poetike”. Gjuhë të bukur, figura të hijshme e leksik të zgjedhur ka mbarë krijimtaria poetike e popullit tonë, por Eposi i kreshnikëve “da në shenj”, sepse ka përpunim e gdhendje të posaçme. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse shumë studiues, shqiptarë e të huaj, kanë pohuar e mbështetur fuqimisht mendimin se Eposi shqiptar “është një vepër me të vërtetë madhështore e krijuesve popullorë, që të mahnit e të lë pa gojë me bukurinë e vet”.

Eposi ynë i kreshnikëve, kjo përmendore madhështore e kulturës së ligjërimit, ka qenë e do të mbetet edhe më tej si gurrë e pashtershme e modelimit poetik e gjuhësor në shqipen. Ndikimet e eposit mund t’i hetojmë në krijimtarinë letrare të autorëve madhorë,sidomos te Gjergj Fishta dhe “Lahuta” e tij si vlerë e shtuar e Eposit në rrethanat e reja të kohës.(Në Epos thuhet se “Muji â pshtet, e po e ka dhe:z kamishin me duhan”, te Fishta në “Lahutë” gati pa asnjë ndryshim gjejmë “…zgjeshun brez e ashtu në të holla, / kall kamishin Knjaz Nikolla”).
Edhe N.Mjeda, poet kryesisht lirik, në vjershat e tij e ka pasur një “vrujim” prej metaforikës së eposit malësor. Le të kujtojmë, sidomos,”Vajin e bylbylit”, metaforë që na kishte dalë qysh shumë kohë para tij në këngën “Ajkuna qan Omerin”, ku thuhet shprehimisht: “Mirë bylbylat djalin po ma vajtojnë”.
Nga studimet tona kemi arritur në përfundimin se në gjuhën e epikës, qoftë risitë (inovacionet), qoftë ruajtjet (konservacionet) janë të lidhura më tepër me brendinë, me stilin dhe me mëtimet artistike, gjë që shkakton lëvizje më të shumta në fushën e leksikut dhe të morfosintaksës. Sistemi fonetik, ndërkaq, mbetet i njëjtë me atë të gjuhës së folur të trevave përkatëse, për arsye se ai nuk mund të kryejë funksione artistike-stilistike si ato që përmbushen me anën e leksikut.

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    2 Dhjetor, 20:45

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?



×

Lajmi i fundit

Rezart Kthupi: Përballë PS dhe PD duhet një pol i tretë! Të luftojmë bipartizanizmin

Rezart Kthupi: Përballë PS dhe PD duhet një pol i tretë! Të luftojmë bipartizanizmin