'Rikthehet' dimri, era përmbys katër kamionë dhe 'fluturon' tjegullat e çative (FOTO+VIDEO)

Kjo fundjavë risolli acarin dhe dëborën thuajse në të gjithë vendin. Era e fortë, veçanërisht gjatë natës, ka sjellë pasoja, por fatmirësisht jo të lënduar në njerëz. Katër kamionë janë përmbysur në rrugë, tjegullat janë shkëputur nga çatitë, pemë të rrëzuara në mes të rrugës që deri në zhbllokimin e tyre krijuan trafik të rënduar rrugës për në Elbasan, në Ibë. Era e fortë dhe ngricat sidomos në veri dhe juglindje, ku ka pasur më shumë reshje, sollën probleme edhe në rrjetet elektrike. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike thotë se grupet janë në terren për të rregulluar defektet. 

Në Vaun e Dejës ura që lidh fshatrat e Vigur dhe Mnelës ka pësuar dëmtime dhe është e pakalueshme, ndërkohë që janë dëmtuar edhe disa sera dhe çatitë e disa shtëpive.

Në  Portin e Shëngjinit për shkak të erës së forte është penguar dalja e anijeve në det. Më e qetë është situata në Portin e Durrësit, ndonëse autoritetet paralajmëruan vonesa të trageteve. Megjithatë Durrësi është zgjuar mëngjesin e kësaj të shtune, i zbardhur nga dëbora.

Në qarkun e Korçës temperatura  kanë arritur deri në–10 grade. Mjetet borëpastruese kane filluar me pastrimin e rrugëve, ku këshillohet përdorimi i zinxhirëve në një pjesë të rrugës Korçë-Dardhë, në Qafën e Qarrit si dhe në aksin Korçë – Voskopojë.

Në Llogara dëbora ka vështirësuar qarkullimin i cili po bëhet me zinxhirë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:10
Pezullohet lundrimi në portin e Vlorës, trageti i Brindisit do të niset 8 orë me vonesë

Trageti i linjës Vlorë- Brindisi do të niset 8 orë me vonesë ditën e sotme. Sipas korrespondentit të Report Tv në Vlorë, Armand Xhelili, trageti i cili do të transportonte udhëtarë dhe mallra drejt Italisë ishte planifikuar për t’u nisur këtë pasdite por për shkak të motit të keq i cili ka sjellë dallgë, erëra dhe reshje në bregdetin shqiptar, trageti u imbarkua në portin e Vlorës rreth orës 12:30 dhe doli në radë rreth orës 16:00 duke shtyrë orën e nisjes. 
Pritet që anija të niset rreth orës 23:00, 8 orë me vonesë nga orari fillestar për nisjen e tij ndërkohë dhe disa anije peshkimi në portin e Vlorës nuk janë lejuar nga autoritetet përkatëse për të lundruar në det.

Ora 21:52
Erërat e forta rrëzojnë 2 pisha në aksin rrugor në Fushë- Krujë

Moti i keq dhe erërat e forta që kanë fryrë gjatë ditës së sotme në rrethin e Krujës, kanë bërë që 2 pisha të rrëzohen në Krastën e Krujës e për pasojë të bllokohet qarkullimi në aksin Krujë-Fushë-Krujë.

Mësohet se falë  ndërhyrjes në kohë rekord të zjarrfikëses së rrethit Krujë është bërë e mundur zhbllokimi dhe kalimi në këtë aks i cili ka qëndruar i bllokuar për rreth 30 minuta .

Ora 18:50
Lezhë/ Intensiteti i fortë i erës, policia rrugore urdhëron ndalimin e qarkullimit të kamionëve

Policia rrugore ka pezulluar lëvizjen e kamionëve me mbulesë deri në njoftim të dytë në aksin rrugor Lezhë - Mabe. Njoftimi erdhi për shkak të rrëzimit të katër kamionëve gjatë ditës së sotme. 

Policia ka apeluar të gjithë drejtuesit e mjeteve këtë aks dhe në rrugën Tepelenë- Fier të ngadalësojnë shpejtësinë  dhe të tregohen të kujdesshëm, për shkak të intensitetit të fortë të të erës.

Ora 16:32
Era e fortë, përmbyset një tjetër kamion tek Ura e Milotit

Një kamion tjetër është rrëzuar si pasojë e motit të keq dhe me erë të fortë në zonën e njohur si ura e Milotit.

Mësohet se aksidenti është shënuar në superstradën Lezhë-Laç, në zonë e Urës së Milotit. Bëhet se ditur se fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk ka patur persona të lënduar.

Ditën e sotme janë rrëzuar edhe 3 kamionë të tjerë, të cilët u përmbysën në zona të ndryshme të vendit për shkak të kushteve të këqija atmosferike.

Ora 15:13
Moti i keq në Vaun e Dejës/ Dëmtohet ura që lidh dy fshatrat, shkatërrohen serat dhe çatitë e shtëpive (VIDEO-FOTO)

Pasoja e motit të keq janë shtrirë edhe në zonën e Vaut të Dejës. Një urë lidhëse mes dy fshatrave Vig dhe Mnelë është dëmtuar gjatë erërave të forta duke bërë të pamundur lidhjen mes tyre.

Disa çati banesash dhe magazinash u shkatërruan plotësisht. Ndërkohë që disa zona zona kanë pasur probleme me furnizimin me energji elektrike. Një Hajnel rrjeti i energjisë elektrike është jashtë funksionit pas rrëzimit të shtyllës.

Në Bushat dëmet kanë përfshirë serat të cila janë shkatërruar nga stuhitë e forta.

 

Ora 13:49
Llogaraja mbulohet nga dëbora, automjetet qarkullojnë me zinxhirë (VIDEO+FOTO)

Reshjet e denduar të dëborës kanë vështirësuar qarkullimin në zonën e Llogarasë. ARRSH njofton se automjetet në këtë zonë mund të qarkullojnë vetëm me zinxhirë.

Ndërkohë tre borëpastruese po punojnë për pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës.

Ora 13:23
Erërat e forta përmbysin kamionin në aksin Pukë-Shkodër

Erërat e forta kanë përmbysur një kamion në aksin Pukë-Shkodër në zonën e njohur si Qafë-Qelë.

Mësohet se nga kjo ngjarje nuk ka të lënduar por vetëm dëme materiale.

Më herët një tjetër kamion dhe një trailer u përmbysën në zona të ndryshme  të vendit për shkak të kushteve të këqija atmosferike.

Ora 11:04
Bie pema në mes të rrugës, shpëtojnë mrekullisht personat brenda makinës (VIDEO)

Kanë mbetur të bllokuar në rrugë. Një pemë ka rënë në mes të rrugës për në Elbasan, në Ibë. Qytetarët nga vendi i ngjarjes kanë raportuar për Shqiptarja.com detajet e kësaj ngjarje që mund të kishte përfunduar në tragjedi.

"Na ka shpëtuar zoti, ishim të parët që po ecnim kur ra një shtyllë dhe një pemë. Fati jonë që nuk ishim me shpejtësi, pasi pema mund të na kishte rënë në makinë. Frynë një erë e tmerrshme", tregon një zonjë nga vendi i ngjarjes.

Ndërkohë, interesuar pranë autoriteteve, ARRSH thotë për Shqiptarja.com se është nisur një grup për të mundësuar hapjen e rrugës.

Kjo situatë ka sjellë trafik mjaft të rënduar në rrugën për në Elbasan, ku e bllokuar ka mbetur edhe një ambulancë.

Trafiku i rënduar nga rrëzimi i pemës

Forcat e policise per largimin e pemes dhe rregullimin e traifkut
Ora 11:00
Era e fortë përmbys në rrugë trailerin në Lezhë (VIDEO)

Një trailer është përmbysur në rrugën Lëzhë-Milot, si pasojë e erërave të forta.

Ora 09:44
Shqipëria zgjohet e zbardhur nga dëbora, ja ku duhen përdorur zinxhirët

Gjatë natës ka pasur reshje bore në juglindje dhe ne veri të vendit.

Në një informacion paraprak, Autoriteti Rrugor Shqiptar, thotë se kompanitë e mirëmbajtjes kanë qenë në punë me mjetet borëpastruese dhe është bërë shpërndarja e kripës.
Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në rrugët Korçë-Ersekë, Qafë Bigell-Dogana Goricë, rruga e Dardhës dhe e Voskopojës

Drejtuesit e mjeteve te tregohen të kujdesshëm, të jenë të pajisur me goma dimërore dhe të përdorin zinxhir në rrugët që kemi lajmëruar, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e Policisë Rrugore

 

Ora 09:32
Lezhë, furtuna 'fluturon' tjegullat nga çatia (VIDEO)

Era e fortë në qytetin e Lezhës ka bëre që të fluturojnë tjegullat nga çatitë. Banorët janë zgjuar duke parë se tjegullat e çatisë ishin shkëputur, si pasoje e furtunës që ka fryrë gjatë natë.

Shumë qytete të tjera u zgjuan të zbardhura nga dëbora, por deri më tani nuk ka probleme me qarkullimin në rrugë, por vetëm disa zona problematike sa i përket energjisë elektrike.

Probleme te furnizimit me energji elektrike për shkak të motit raportohen edhe në rajonin e Lezhës. Në rrugën Balldre-Torovicë një shtyllë elektrike është rrëzuar si pasojë e erërave duke rënë në mes të rurgës.

 

Ora 09:25
Dëbora në Dardhë arrin 10 centimetra

Edhe Korça është zgjuar me reshje dëbore. Në Dardhë trashësia e dëborës ka arritur deri në 10 centimetra. Në pjesët e tjera të qarkut bora arrin deri në 5 cm duke përfshirë Voskopojën, Kapshticën, qafën e Qarrit në Ersekë.

Për shkak të temperaturave tepër të ulëta, janë krijuar ngrica në rrugën Boboshticë-Dardhë dhe në Qafën e Qarrit çka bën që qarkullimi të kryhet vetëm me zinxhirë. Të gjitha akset e tjera janë të hapura dhe pa probleme.

Foto nga rreshjet në Korçë
Ora 09:24
Dëborë në Kukës, nuk ka bllokim rrugësh, por nisin problemet me energjinë (VIDEO)

Edhe në Kukës u rikthyen temperaturat e ulët. Në zonat malore ka ngrica, ndërsa në zonat e ulëta reshje të vogla bore.

Të gjitha rrugët nacionale  janë të qarkullueshme normalisht. 

Rrugët rurale janë të hapura përveç fshatrave të lartësive të Njësisë Administrative Lekbibaj bashkia Tropojë dhe Arrën të cilat janë të  bllokuara.

Ndërkohë si pasojë e problemeve në rrjetet elektrike, nuk kanë energji elektrike Njësia administrative Bicaj,Ujmisht, Bushtricë, GrykëÇajë, Kalisë, Shishtavec, Topojan, Zapod, Bashkia Kukës. Njësia Administratie Golaj, Fajza, Bashkia Has. Njësia Administrative Lekbibaj, Bytyç , Bashkia Tropojë. Nga erërat e forta janë dëmtuar linjat e tensionit të ulët dhe të mesëm. "Grupet e punës po nisen për riparimin e defekteve", njofton Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Ora 09:16
Durrësi dhe Kruja zbardhen nga dëbora (VIDEO)

Mëngjesin e sotëm e gjithë ultësira e rrethit të Krujës është gdhirë nën reshjet e dëborës.

Reshjet kanë filluar mëngjesin e sotëm dhe intensiteti i tyre është mjaft i madh.

Rreshje të lehta dëbore kanë rënë edhe në Durrës.

Ora 09:15
Era e fortë përmbys kamionin në mes të rrugës (FOTO+VIDEO)

Një kamion në rrugën Lezhë-Laç, pranë Milotit, është përmbysur në rrugë si pasojë e erës së fortë.

Policia Rrugore ka mbërritur në vendin e ngjarjes, por raportohet se fatmirësisht nuk ka mbetur asnjë person i lënduar.

Ora 09:11
Furtunë! Probleme me energjinë elektrike në disa zona të Shqipërisë

Për shkak të motit të keq, shoqëruar me erë të fortë, gjatë orës 2 të natës janë shkaktuar dëme në disa pjesë të rrjetit ajror elektrik në disa zona të Fushë - Krujës.

Operatori i Shpërndarjes së energjisë Elektrike prej orës 6 të mëngjesit brigadat e OSHEE Agjencia Fushë - Krujë, ndodhen në terren duke riparuar linjat.

Theksojmë se furtuna e fortë na pengon të ecim më shpejt me punimet.

Probleme janë shfaqur edhe në Malësinë e Krujës prej reshjeve të dëborës.

Por deri më tani qyteti i Krujës furnizohet normalisht me energji elektrike.

Problem janë Nikla, Thumana, Bubqi dhe një pjesë e qytetit Fushë -Krujë.

G.M.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë