Erdhi nga Italia, ekzekutohet
në Vlorë, pronari i një lokali

Erdhi nga Italia, ekzekutohet<br />në Vlorë, pronari i një lokali
VLORE - Pronari i një restoranti në zonën e Skelës është ekzekutuar me armë mbrëmjen e djeshme në lagjen "28 Nëntori" pranë vendit të njohur si "Albano e Romina" të qytetit të Vlorës.

Vrasja ndodhi në orën 00:50 pas  mesnatës së të martës, (20 gusht). 

Viktima është Agron Çela, 52 vjeç. Vrasja mendohet se është kryer nga një person i vetëm, i cili dyshohet se ka qëlluar me një armë zjarri pistoletë të kalibrit 9 milimetërsh dhe më pas është larguar duke përfituar nga errësira. 

VRASJA  KUR PO DILTE NGA MAKINA, ISHTE ME FAMILJEN E TIJ
Sot në mëngjes korrespondenti ynë Armand Xhelili informoi se viktima u ekzekutua në një parkim pranë banesës së tij. Agron Çela  ka qenë së bashku me familjen e tij; gruan dhe tre fëmijët shëtitje buzë detit, ku dhe kanë darkuar. Teksa po ktheheshin për në shtëpi, pasi ka zbritur nga makina familja e Çelës, ai ka vazhduar të ecë disa metra për të parkuar makinën tip Benz me targa italiane në parkimin pranë pallatit.
 
Në momentin, që ka dalë nga makina një person i është afruar dhe pa komunikuar me të e ka qëlluar 4 herë me pistoletë në trup, duke e lënë të vdekur në vend. Autori, pasi ka parë se Çela mbeti pa jetë është larguar në këmbë mes pallateve, ndërkohë një prej fqinjve ka dëgjuar të shtënat e armës dhe ka dalë menjëherë për të parë se çfarë ndodhi.
 
Sapo ka parë  50-vjeçarin të vrarë ka bërtitur, ndërkohë bashkëshortja e 50-vjeçarit,  e cila sapo ishte futur në shtëpi ka dalë menjëherë, ku dhe ka parë bashkëshortin të vrarë pranë makinës së tij. Krismat dhe të bërtiturat kanë terrorizuar banorët, të cilët në atë kohë ishin në gjumë. 

POLICIA: ÇELA, PERSON I PASKEDUAR NGA POLICIA
Policia, e njoftuar nga banorët, ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ka kryer veprimet e ekspertimit  të vrasjes, si dhe ka filluar menjëherë ndjekjen e autorit, si dhe bllokimin e të gjitha rrugëve hyrje-dalje të qytetit, si dhe duke  kontrolluar të gjitha automjetet dhe personat, që dilnin nga Vlora, por pa mundur të identifikojë dhe të arrestojë deri tani autorin e vrasjes së 50-vjeçarit.
 
Prokuroria dhe sektori i krimeve ka gjetur në  vendngjarje 5 gëzhoja të armës tip pistoletë me të cilën ka qëlluar 50-vjeçarin autori i krimit. Gëzhojat janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës për të përcaktuar se kujt arme i përkasin gëzhojat, si dhe nëse me këtë armë janë kryer vrasje të tjera apo jo.

Prokuroria po vazhdon hetimet intensive për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin e  autorit, si dhe shkaqet  e kryerjes së krimit. Aktualisht po punohet në disa pista, por më kryesorja mund të jetë një mosmarrëveshje parash me persona të tjerë, konkurrenca në biznese, një keqkuptim, si dhe ngatërrim i shënjestrës.
 
Po gjithashtu policia dyshon se vrasja e tij mund  të jetë bërë nga person me pagesë. Trupi pajetë i 50-vjeçarit është marrë nga morgu i spitalit rajonal mëngjesin e sotshëm nga familjarët.

VIKTIMA KISHTE PAK MUAJ QE ISHTE KTHYER NGA ITALIA
Agron Çela  ka ikur emigrant që në vitin 1991 në Itali. Ka tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Në Itali, Lecce ka hapur biznesin e tij të kalçetos që prej disa vitesh.
 
Para disa muajsh në Vlorë në zonën e Skelës ka marrë me qira një lokal të vogël.  Gjatë këtij viti, viktima shkonte dhe vinte shpeshherë në Itali te familja. Para 8 ditësh kishte ardhur së bashku me familjen në Vlorë për pushime.
 
Policia deklaron se viktima nuk është person i skeduar  as nga policia shqiptare, as nga ajo italiane, dmth ka qenë person pa probleme.
 
Sipas të afërmeve të viktimës, Agroni ishte shumë punëtor, nuk i binte askujt në qafë, ai ndihmonte shumë shqiptarë në Itali, që ngeleshin pa punë apo në gjendje të vështirë ekonomike.
 
Vrasja e  Agron Çelës ka shfaqur habi te të afërmit, shokët dhe të njohurit e tij, sepse e kanë njohur si njeri korrekt, serioz dhe shumë human. 

agron çela me logo

(Foto: Makina pranë së cilës ndodhi vrasja dhe viktima Agron Çela) 


Redaksia Online
(sg/ar.sh/mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Ministrat e jashtëm të BE-së zhvendosin takimin në Bruksel në shenjë pakënaqësie ndaj kryeministrit Orban

Ministrat e jashtëm të BE-së zhvendosin takimin në Bruksel në shenjë pakënaqësie ndaj kryeministrit Orban