/ATSH-AFP/ - Presidenti islamiko-konservator turk, Recep Tayyip Erdogan mbështeti me ngulm teorinë e tij për zbulimin e kontinentit amerikan nga myslimanët në shekullin XII duke konfirmuar madje, pavarësisht kritikave që ngjalli mes myslimanëve, që kjo duhet mësuar në shkollë.
"Përsa i përket kësaj çështjeje, një përgjegjësi e madhe bie në shpatullat e Ministrisë së Arsimit kombëtar dhe Arsimit të Lartë", deklaroi Erdogan gjatë një ceremonie në Ankara.
"Nëse historia e shkencave do të ishte shkruar me objektivitet, ajo do të tregonte se kontributi i gjeografëve myslimanë për shkencën ka qënë më i madh nga ajo që dimë", shtoi Erdogan.
Të shtunën, Erdogan ngjalli një kundërshtim duke konfirmuar, se ishte shumë i sigurt, që kontinenti amerikan ishte zbuluar nga myslimanët që prej shekullit të XII dhe jo nga udhëtari gjenovez, Kristofor Kolombi, më shumë se dy shekuj më vonë.
"Kontaktet mes Amerikës Latine dhe islamit datojnë që prej shekullit të XII. Myslimanët kanë zbuluar Amerikën në vitin 1178, jo Kristofor Kolombi", theksoi me siguri Erdogan gjatë një interviste televizive.
Disa historianë apo teologë myslimanë, shumë minoritare, së fundi e kanë vënë në dyshim këtë zbulim, duke sugjeruar një prani myslimane të mëparshme në Amerikë, ndonëse nuk është zbuluar asnjë element që ta vërtetojë këtë.
Në një artikull shumë të përfolur të publikuar në vitin 1996, historiani Youssef Mroueh kishte përmendur një pasazh nga shkrimet e Kolombit në të cilat i referohej një xhamie në Kubë. Por bashkpatriotët e tij, në mënyrë unanime, e hodhën poshtë këtë hipotezë duke garantuar se kjo xhami ishte vetëm një imazh i përshkrimit të formës së pejsazhit.