Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, përuroi të premten një segment të ri të hekurudhës me shpejtësi të lartë që lidh Stambollin me kufirin bullgar, e më pas drejtoi personalisht trenin gjatë udhëtimit të parë në këtë linjë.

Në kabinën e drejtimit ishte edhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos. Gjatë udhëtimit, mes tyre pati edhe batuta.

Marta Kos: S’kam frikë.

Recep Tayyip Erdogan: Për sa kohë ne jemi këtu, s’ka pse të kesh frikë.

Marta KosA mund ta drejtosh edhe helikopterin?

Recep Tayyip Erdogan: Po.

Hekurudha e re është pjesë e projektit Halkalı–Kapıkule, që synon të përmirësojë lidhjet hekurudhore mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian. Segmenti i hapur është 153 kilometra i gjatë dhe lidh Çerkezköyn me Kapıkulen, në kufirin me Bullgarinë. Linja është projektuar për shpejtësi deri në 200 kilometra në orë.

Në ceremoninë e inaugurimit, Erdogan deklaroi se përfundimi i projektit do ta shkurtojë udhëtimin me tren mes Halkalıt dhe Kapıkules nga rreth katër orë në një orë e gjysmë. Ai theksoi se hekurudha do të ndihmojë në lidhjen e qendrave industriale turke me tregjet evropiane, si dhe do të kontribuojë në rritjen e tregtisë, eksporteve dhe turizmit.

Ndërtimi i projektit ka nisur në vitin 2019 dhe financohet bashkërisht nga Turqia dhe Bashkimi Evropian.