Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, zhvilloi sot vizitën e tij të parë zyrtare si kryetar shteti në Qipro për mbajtjen e premtimit të tij për një rregullim sa më të shpejtë të çështjes së bashkimit të ishullit.

"Është e pamundur për ne që të harrojmë Qipron. Turqia dhe Greqia, si vende garant, duhet të përmbushin detyrimet e tyre. Nëse të gjithë përmbushin detyrimet që kanë atëherë çështja qipriote mund të rregullohet shpejt", deklaroi Erdogani.

Qiproja është e ndarë që prej pushtimit të pjesës veriore nga Turqia në korrik 1974, si reagim ndaj grushtit të shtetit të zhvilluar nga nacionalistët qipriotë grekë për bashkimin e ishullit me Greqinë.

Pas një përpjekje të parë për bashkim që dështoi në vitin 2004, bashkëbisedimet e paqes, nën drejtimin e OKB-së, u ndërprenë në vitin 2012.

Por, zbulimi i fundit i rezervave të rëndësishme të gazit në brigjet e Qipros, i ka dhënë shtysë bisedimeve, që rifilluan në shkurt me mbështetjen e SHBA-së./ATSH/