Mbërritja e trupave të para siriane të Asad për të ndihmuar kurdët në kufirin me Turqinë, nuk e ka bërë Presidentin Erdogan të heqë dorë nga lufta për të marrë qytetin e Kobane.
Forcat e Asadit po synojnë të vënë nën kotroll Kobane, tashmë një qytet simbolik i rezistencës kurde anti-Isis, dhe janë tw gatshwm për të filluar një sulm nga fronti perëndimor.
Trupat e para të Damaskut hynë në Tal Tamr këtë mëngjes, një qytet Sirian rreth njëzet kilometra larg kufirit turk. Forcat Demokratike Siriane (FDS), thonë se “Qëllimi është të "çlirojmë qytetet siriane të okupuara nga ushtria turke”.
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka folur për herë të parë pas marrëveshjes kurde me Damaskun, duke pretenduar se kishte mbështetjen e Moskës për sulmin ndaj qytetit kurd të Kobane.
"Qasja e treguar nga Rusia nuk do të jetë problem në Kobane për sulmin tonë", - tha presidenti turk ndërsa foli edhe për reagimet evropiane.
"Unë fola dje me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe një ditë më parë me kryeministrin britanik Boris Johnson. Në bisedimet tona kuptova se ka dezinformim serioz. Do të jeni në anën e aleatit tuaj të NATO-s , apo nga ana e terroristëve? Natyrisht që ata nuk mund të më përgjigjen për këtë pyetje retorike ", - tha Erdogan.
Forcat kurde kanë arritur një marrëveshje me regjimin e Bashar al-Asad, e paimagjinueshëm deri para disa ditësh, për të lejuar trupat nga Damasku "të mbronin" qytetin kryesor të Kobane, i kërcënuar nga ofensiva turke.
Negociatat midis Forcave Demokratike Siriane dhe qeverisë Siriane u zhvilluan në bazën ajrore ruse të Hmeimim në Latakia.
Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Rusia e Vladimir Putin dhe e konfirmuar nga palët, gjithashtu ka të bëjë edhe me qytetin tjetër strategjik, Manbij, në perëndim të lumit Eufrat.
Sot gjatë natës, trupat e qeverisë siriane kanë përparuar në Manbij dhe përgjatë një degëzimi të Eufratit në rrugën për në Kobane dhe shpejt pritet që ato të përplasen me forcat turke.
Spiralja e papritur e luftës ndryshoi menjëherë pasi amerikanët njoftuan evakuimin e mijëra ushtarëve të tyre nga e gjithë zona e përfshirë në fushatën ushtarake turke.
Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi tërheqjen e 1000 ushtarëve nga Siria veriore me arsyetimin se është më mirë të mos përfshihen në luftime.
Në këtë fazë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës tani jashtë luftës, roli i Putin, i cili historikisht mban marrëdhënie të mira me Asadin prej disa kohësh ka filluar t'i afrohet presidentit Erdogan, po bëhet gjithnjë e më vendimtar.
Bombardimet turke në Siri nuk po kursejnë as median. Sipas agjencisë së lajmeve kurde, një autokolonë me gazetarë të huaj u shënjestrua nga forcat e armatosura të Ankarasë. të cilat vranë një gazetarë kurd dhe katër gazetarë të tjerë të huaj që për momentin nuk dihet asgjë për identitetin e tyre.
OJQ ndërkombëtare kanë denoncuar përmes një deklarate një seri sulmesh turke kundër qendrave shëndetësore, ambulancave dhe mjekëve në Siri. Sipas Gjysmëhënës së Kuqe, kjo nuk është hera e parë që Turqia godet ekipet mjekësore në terren
OKB ka raportuar se mijëra njerëz kanë marrë arratinë nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i operacioneve ushtarake turke në veri-lindje të Sirisë. Mes të shpërngulurve ka edhe xhihadistë të arratisur nga një burg midis Raqqa-s dhe kufirit turk. Kombet e Bashkuara gjithashtu kanë paralajmëruar se në ditët e ardhshme rreth 400,000 njerëz mund të kenë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje dhe se spitalet publike dhe private në zonat e luftës janë mbyllur kurse burimet e furnizimit me ujë kanë shteruar.
Kancelarja Angela Merkel gjatë ditës së djeshme i telefonoi presidentit turk duke i kërkuar të ndalojë menjëherë fushatën e bombardimeve dhe duke e paralaJmëruar se rrezikohet destabilizimi i rajonit dhe ringjallja e grupeve terroriste të ISIS, por prej tij mori përgjigje negative.
"Ata na kërcënojnë me sanksione ekonomike dhe embardo për shitjen e armëve, duke menduar se mund ta ndalojnë Turqinë. Gabohen!”, - paralajmëroi Erdogan në një fjalim të transmetuar nga Televizioni shtetëror turk.
"Mendimet e mia shkojnë edhe një herë në Lindjen e Mesme, për Sirinë e dashur dhe të torturuar nga ku vijnë përsëri lajme dramatik mbi fatin e popullsive të veri-lindjes së vendit, të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të veprimeve ushtarake”, - Kështu u shpreh dje në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Francesku. Ai gjithashtu u bëri thirrje gjithë aktorëve të përfshirë dhe bashkësisë ndërkombëtare, për t'u angazhuar sinqerisht, me ndershmëri dhe transparencë, në rrugën e dialogut për të kërkuar zgjidhje efektive".
Vetëm sot në Luksemburg, ministrat e jashtëm të BE do të diskutojnë një moratorium për shitjet e armëve në Turqi. Ndërsa Parisi dhe Berlini i janë bashkuar Hollandës, Finlandës dhe Norvegjis për të ndaluar eksportet, qeveria italiane ka bërë thirrje dhe presion për veprime të koordinuar. Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio tha se ‘Në BE janë të panevojshme dhe të padobishme aktet e njëanshme’ dhe se ‘Europa duhet të flasë me një zë dhe institucionalisht’.