TURQI - Recep Tayyip Erdogan është fituesi i zgjedhjeve të para të drejtpërdrejta presidenciale në Turqi, pasi siguroi një shumicë absolute në zgjedhjet e së dielës. Fitorja e  Erdogan bën që sundimi i tij prej një dekade në politikën e Turqisë të vazhdojë më tej.  Duke folur në lagjen Kasimpasa me banorë nga klasa punëtore, ku ai kaloi vitet e fëmijërisë,Erdogan e përshkroi fitoren e tij si një hap të rëndësishëm për vendin.
 
Ai tha se, "për sa kohë që do të kem jetë, ne do të vazhdojmë t'i shërbejmë atdheut dhe kombit tonë. Ne do të punojmë bashkë më shumë, në mënyrë që në vendin tonë të mbretërojë demokracia përparimtare dhe paqja".

Erdogan e zhvilloi fushatën bazuar tek 12 vitet e tij si kryeministër, gjatë të cilave ai e transformoi Turqinë nga një prej ekonomive më të dobëta të Europës, në një fuqi rajoanle.
 
Për vëzhguesit fitorja e Erdogan, përbën një kthesë të shënuar, pas protestave mbarëkombëtare të vitit të kaluar dhe akuzave të mëdha për korrupsion ndaj disa prej ministrave qeveritarë  dhe anëtarëve të familjes së tij.  

Erdogani ka thënë se po të zgjidhet, ai do të shërbejë si president që ka më shumë fuqi ekzekutive, duke pretenduar se natyra direkte e votës do ta justifikojë këtë qëndrim. Më parë, presidentin e zgjidhte parlamenti. Partia në pushtet e Erdoganit, Partia e Drejtësisë dhe e Zhvillimit (AKP) është e vendosur të ndryshojë kushtetutën e vendit.

Aktualisht Turqia është demokraci parlamentare, por me ndryshimet ajo mund të bëhet sistem më presidencial, e ngjashme me atë të Francës.

Erdogani besohet se do të caktojë një kryeministër të përshtatshëm që ta ndryshojë sistemin. 60-vjeçari që është në pushtet që prej vitit 2003, pengohet nga rregullat e partisë që të kandidojë për herë të katërt si kryeministër.

Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)