Enti Rregullator i Energjisë ka pezulluar licencimin e TEC-eve lundruese në Vlorë për prodhim energjie. Në vendimin e 3 shtatorit ERE thotë se pezullimi do të jetë në fuqi derisa të sqarohet nëse kanë leje mjedisore të vlefshme.

“Pezullimi do të vijojë deri në sqarimin nga AKM të vlefshmërisë së lejeve mjedisore për operimin e këtyre TEC-eve”, thotë ERE.

Më 6 korrik 2026, KESH ka kërkuar nga ERE nisjen e procedurës për ri-licencimin e tij, në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga TEC-et Lundruese “Tigri 1”, me kapacitet të instaluar 50 megavat, dhe “Tigri 3”, me kapacitet të instaluar 60 megavat, me vendndodhje në Portin e Triportit, në Gjirin e Vlorës.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka dhënë një deklaratë mjedisore në vitin 2022, për KESH për këto ‘gjenerator termik lundrues të përkohshëm’, ku janë caktuar edhe detyra për institucionet për të garantuar mbrojtjen mjedisore.

Pas nisjes së procedurës për licencimin e KESH përsëri, për këtë veprimtari, palët e interesuara kanë shprehur komentet e tyre, mes të cilëve ambientalistë, avokatë dhe inxhinierë, të cilët kundërshtojnë prodhimin e energjisë prej TEC-eve lundruese për shkak të ndotjes që shkaktojnë.

Për herë të parë KESH u licencua për të prodhuar energji nga ‘tigrat’ në vitin 2023, me kohëzgjatje 2 vite, nga momenti kur do të bëhej kolaudimi i tyre. Këto TEC-e nisën të prodhonin në shtatorit të vitit 2024 dhe deri më tani përllogaritet se kanë prodhuar në total 110 mijë megavat energji, pavarësisht nevojave të larta për energji të vendit, sidomos përgjatë verës.

Për këto 2 gjeneratorë termik, deri tani janë shpenzuar miliona dollarë. Vetëm për qiranë dhe mirëmbajtjen deri tani KESH ka paguar 65 milionë dollarë kompanive Excelerate Poëer dhe Renco. Ndërkohë që mbi 15 milionë euro janë shpenzuar për të blerë lëndë djegëse për t’i vënë në punë. Nga ana tjetër së fundmi është shpallur fituesi i një tenderi me vlerë 5.2 milionë euro për “Depozitim dhe ngarkim shkarkim i lëndës djegëse për TEC Lundrues, Vlorë”. Po për të njëjtin qëllim në 2023-shin u shpenzuan 7.2 milionë euro. Ndërsa një kontratë 20 milionë euroshe është aktualisht në proces tenderimi për “operimin dhe mirëmbajtjen e asetit gjenerues termik në Vlorë’

Dy platformat lundruese erdhën në Vlorë në shtator të vitit 2022 dhe sipas ministres së energjisë asokohe Belinda Balluku do të mbuloheshin 15% të nevojave të konsumit vendas, por në fakt shifrat e KESH tregojnë që edhe pse TEC-et erdhën me zhurmë të madhe, prodhimi i tyre është minimal, ndërsa kostoja për 1 megavat arrin deri 170 euro.

Ndërkohë për të garantuar furnizim pa ndërprerje KESH ka zhvilluar 4 ankande në ditët e fundit ku ka blerë 21.4 milionë euro energji elektrike për të garantuar, dhe vlera më e lartë me të cilën është treguar një megavat ishte 169 euro. Në total deri më tani KESH ka blerë 63 milionë euro energji elektrike.

Për “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, Belinda Balluku është paditur në SPAK nga Partia Demokratike, e cila e ka akuzuar ish ministren për një abuzim 80 milionë dollarësh duke e quajtur “afera e termocentraleve lëvizës”.