ERE planifikon njesimin e
tarifave, shtrenjtohet energjia

TIRANE- Çmimi i energjisë elektrike te konsumatori fundor që konsumon më pak pritet të rritet në rast se unifikohen tarifat. Një synim të tillë e ka bërë të ditur kreu i Entit Rregullator të Energjisë (ERE), Petrit Ahmeti, për “Shqiptarja.com”. Vendimi, sipas tij, pritet të merret gjatë 6-mujorit të dytë të këtij viti. Aktualisht ekzistojnë 2 fasha të konsumit mujor të energjisë elektrike, në bazë të të cilave faturohen konsumatorët familjarë dhe bizneset. Ata që konsumojnë deri në 300 kWh në muaj, paguajnë 7.7 lekë/kWh.

Ndërsa, ata që kalojnë konsumin mujor prej 300 kWh në muaj, e paguajnë sasinë shtesë me 13.5 lekë /kWH. Ndryshimet, që pritet të bëhen në lidhje me njësimin e çmimit të energjisë elektrike, janë argumentuar si mënyrë për të shmangur abuzimet nga faturistët e “CEZ”, ndërsa marrin leximin e sahatit të energjisë. Por, tarifa e re e njësuar, e cila po shqyrtohet, do të bënte që familjet që konsumojnë më pak energji elektrike të ndjenin një rritje më të theksuar të çmimit të energjisë elektrike.

Unifikimi
Tarifa e re e njësuar, për çmimin e konsumit mujor të energjisë, pritet të jetë një mesatare midis 7.5 lekë/kWh dhe 13.5 lekë/kWh. “Shqiptarja.com” ka përllogaritur, në bazë të konsumeve të ndryshme mujore të energjisë elektrike, koston aktuale të energjisë elektrike, koston në bazë të 3 varianteve të reja të mundshme të tarifës së njësuar, si edhe ndryshimin që do të kishte. Tre variantet e përdorura janë çmimet 7.5 lekë/kWh dhe 13.5 lekë/kWh, si edhe mesataren e këtyre dy kufijve, 10.5 lekë/kWh.

Për të përllogaritur ndryshimin e mundshëm të kostos aktuale të konsumit mujor të energjisë elektrike me koston e re , si rrjedhojë e ndryshimit të mundshme të çmimit të energjisë, është përdorur çmimi mesatar 10.5 lekë.  Në bazë të kësaj përllogaritje, rezulton se, aplikimi i tarifës së njësuar të energjisë elektrike, do të sillte një rritje çmimi më të theksuar për ata, të cilët konsumojnë më pak se 300 kWh, se sa për ata që konsumojnë mbi këtë sasi.

Aktualisht, konsumi mujor i 250 kWh dhe 300 kWh i energjisë elektrike kushton respektivisht 1925 lekë dhe 2310 lekë. Nëse do të aplikohej një tarifë e njësuar prej 10.5 lekë/kWH për çmimin e energjisë, konsumatorët, të cilët shpenzojnë 250 kWh dhe 300 kWh energji elektrike në muaj, do të paguanin respektivisht 2625 lekë (700 lekë më shumë) dhe 3150 lekë (840 lekë më shumë). Ndërkaq, njësimi i mundshëm i tarifës së energjisë elektrike do të sillte një rritje më të vogël kosto mujore për ata, të cilët  konsumojnë mbi 300 kWh energji elektrike në muaj. Konsumi mujor i 350 kWh dhe 400 kWh i energjisë elektrike, aktualisht kushton respektivisht 2985 lekë dhe 3660 lekë.

Nëse do të aplikohej tarifa e njësuar prej 10.5 lekë/kWh për çmimin e energjisë, konsumatorët, të cilët shpenzojnë 350 kWh dhe 400 kWh energji elektrike në muaj, do të paguanin respektivisht 3675 lekë (690 lekë më shumë) dhe 4200 lekë (540 lekë më shumë). Me fjalë të tjera, po të kesh një konsum mujor mbi 300 kWh, rritje të kostos nga çmimi i njësuar (gjithmonë në rast 10.5 lekë/kWh) do të ketë, do të jetë më e ulët.
 
Shkrimi u publikua sot (16.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Ngecën në rrugën e vjetër Korçë - Ersekë, policia u shkon në ndihmë 13 qytetarëve

Ngecën në rrugën e vjetër Korçë - Ersekë, policia u shkon në ndihmë 13 qytetarëve