TIRANE- Mbi 80 mijë qytetarë në të gjithë vendin janë ankuar për dëme të shkaktuara në pajisjet e tyre elektroshtëpiake, si pasojë e furnizimit jo normal me tension nga ana e "CEZ Shpërndarje".
 
Enti Rregullator i Energjisë ka shqyrtuar ankesat e dy viteve të fundit të depozituara nga qytetarët kundrejt kompanisë “CEZ Shpërndarje”, ku në vitin 2013 ishin depozituar gjithsej 80 mijë ankesa, ndërsa në vitin 2012, kanë qenë 62 mijë të tilla.
 
Fakti i rritjes së ankesave të qytetarëve ndaj kompanisë “CEZ Shpërndarje”, është tregues i performancës së dobët të shërbimeve të ofruara. Aktualisht, kompania ka kaluar në administrim të përkohshëm shtetëror, por abuzimet ndaj konsumatorëve dhe kryesisht atyre familjarë janë rritur. Kjo, pasi pjesa më e madhe e ankesave janë për mbifaturime dhe dëme materiale në pajisje elektroshtëpiake, të shkaktuara nga luhatjet e tensionit.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)