Mesditën e kësaj të shtune, ambasadori i ri i SHBA-së në Shqipëri, Eric Wendt, i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke nisur kështu zyrtarisht detyrën si përfaqësues i Shteteve të Bashkuara në vendin tonë.
Në orën 10:47, eskorta që shoqëronte ambasadorin Wendt hyri në Pallatin e Brigadave, ku është zhvendosur përkohësisht selia e Presidencës.
24 orë pas mbërritjes së tij në Shqipëri, Wendt i dorëzoi Begajt letrat kredenciale, të cilat, sipas Konventës së Vjenës, shënojnë fillimin zyrtar të detyrës së një ambasadori në vendin pritës.
Me Presidentin Begaj, Wendt qëndroi rreth 90 minuta dhe më pas u nis drejt selisë diplomatike në Rrugën e Elbasanit, e cila nuk ka pasur një ambasador fuqiplotë që prej 26 qershorit 2023.
Pas takimit Ambasada Amerikane tha në një deklaratë se Ambasadori Wendt dhe presidenti Begaj diskutuan për çuarjen përpara të përparësive të administratës së Presidentit Donald J. Trump, përfshirë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, rritjen ekonomike dhe luftën kundër grupeve kriminale transnacionale.
Në një njoftim për mediat, Presidenca bëri të ditur se Begaj rikonfirmoi vendosmërinë e Shqipërisë për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara. Kreu i Shtetit u shpreh se Shqipëria do të vijojë të angazhohet plotësisht në thellimin e marrëdhënieve, duke u mbështetur në përparësitë e politikës së saj të jashtme dhe në përgjegjësitë që burojnë nga marrëdhënia e ngushtë mes dy vendeve.
“Shtetet e Bashkuara janë një partner i pazëvendësueshëm për avancimin e interesave kombëtare”, theksoi Begaj.
Eric Wendt është ambasadori i 11-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë që prej vitit 1991, kur mes dy vendeve u rivendosën marrëdhëniet diplomatike. Ai pason në këtë detyrë Yuri Kim, ndërsa prej vitit 2023 Ambasada e SHBA-së është drejtuar nga Nancy VanHorn si e ngarkuar me punë.
Eric Wendt është një ushtarak në pension, i cili ka shërbyer për rreth 34 vjet në ushtrinë amerikane, pjesën më të madhe në Forcat Speciale. Gjatë fjalës së tij në Senat, përpara konfirmimit, ai renditi katër prioritetet e mandatit të tij në Shqipëri, mes tyre mbështetjen e vendit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar, rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen drejt objektivit prej 5% të PBB-së, si dhe promovimin e diplomacisë ekonomike dhe mbrojtjen e interesave amerikane në Shqipëri.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka njoftuar se ambasadori Eric Wendt i paraqiti sot letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka shkruar se ambasadori Wendt dhe Presidenti Begaj riafirmuan partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, si dhe çuarjen përpara të përparësive të administratës së Presidentit amerikan Donald Trump, përfshirë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, rritjen ekonomike dhe luftën kundër grupeve kriminale transnacionale.
Reagimi i Ambasadës së SHBA-së:
Mirë se vjen, Ambasador Wendt! Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, i paraqiti letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj. Ambasadori Wendt dhe Presidenti Begaj riafirmuan partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe diskutuan për çuarjen përpara të përparësive të administratës së Presidentit Donald J. Trump, përfshirë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, rritjen ekonomike dhe luftën kundër grupeve kriminale transnacionale.
Presidenti Bajram Begaj pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të ri të SHBA-së në Tiranë, Eric Wendt, duke i uruar suksese në detyrë. Kreu i Shtetit rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, të cilën e cilësoi “partner të pazëvendësueshëm për avancimin e interesave kombëtare”.
Njoftimi i plotë i Presidencës
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, priti sot Ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Sh. T. Z. Eric Ëendt, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale. Presidenti i Republikës i pranoi Letrat Kredenciale Ambasadorit amerikan dhe i uroi suksese në këtë mandat. Kreu i Shtetit rikonfirmoi vendosmërinë e Shqipërisë për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë kuadër, Presidenti Begaj u shpreh se Shqipëria do të vijojë të angazhohet plotësisht në thellimin e marrëdhënieve, duke u mbështetur në përparësitë e politikës së saj të jashtme dhe në përgjegjësitë që burojnë nga marrëdhënia e ngushtë.
"Shtetet e Bashkuara janë një partner i pazëvendësueshëm për avancimin e interesave kombëtare", - theksoi Presidenti Begaj.
Pas ceremonisë zyrtare të Letrave Kredenciale, Presidenti Begaj zhvilloi një takim kokë më kokë me Ambasadorin Wendt.

Eric Wendt është një oficer i lartë në pension i ushtrisë amerikane, me mbi 34 vite shërbim, pjesën më të madhe në Forcat Speciale “Green Berets”. Ai ka shërbyer gjithashtu si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe në pozicione të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit.
Gjatë karrierës së tij, Wendt ka mbajtur detyra si koordinator sigurie i SHBA-së për Autoritetin Izraelito-Palestinez (2017–2019) dhe shef shtabi në Komandën e Paqësorit të SHBA-së. Ai është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara, dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e sigurisë kombëtare në Naval Postgraduate School. Ai flet disa gjuhë të huaja, përfshirë arabishten dhe koreanishten.
Gjatë dëgjesës në Senatin Amerikan, Eric Wendt paraqiti katër prioritete që do të udhëheqin mandatin e tij në Shqipëri.
1- Mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave amerikane, përfshirë mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar.
2- Mbështetja e progresit të Shqipërisë për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB-së deri në vitin 2035.
3- Promovimi i diplomacisë ekonomike dhe tregtare në dobi të qytetarëve.
4- Fokusi te njerëzit e ambasadës, duke përfshirë një linjë pune që e quajti “Faktorët njerëzorë”, e cila do të synojë përdorimin e mënyrave standarde dhe kreativitetit.

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria rivendosën marrëdhëniet diplomatike më 15 mars 1991, pas një ndërprerjeje prej më shumë se 50 vitesh. Ambasada amerikane në Tiranë u rihap më 1 tetor të atij viti, me Christopher Hill si të Ngarkuar me Punë ad interim, ndërsa nga William E. Ryerson në vitin 1991 deri te Yuri Kim, e cila e përfundoi mandatin në vitin 2023, në Tiranë kanë shërbyer 10 ambasadorë amerikanë. Pas gati tre vitesh pa ambasador, këtë të shtunë misionin në Shqipëri e nisi Eric Wendt.
Ambasadori amerikan i dorëzoi letrat kredenciale presidentit Bajram Begaj, me të cilin më pas ka zhvilluar edhe një takim kokë më kokë. Rreth dy orë ka qëndruar ambasadori në ambientet e Pallatit të Brigadave për tu larguar më pas, ndërsa jashtë e priste edhe një qytetar me flamurin amerikan.








Komente
Komento