Në krye të SASPAC (Agjencise së Koordinimit të Ndihmës së Huaj) që monitoron fondet e BE-së do të jetë Eridana Çano.

Burime për Report tv bëjnë me dije se kryeministri Edi Rama ia ka besuar Çanos këtë post, pas shkarkimit të Jona Sulit më 30 Korrik, e cila mbajti këtë detyrë pas arrestimit të Ilir Beqajt për abuzim me fondet e kësaj agjencie.

Eridana Çano ka mbajtur postin e drejtoreshës e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, ndërsa më herët ka qenë drejtoreshë kabineti e Ministrit të Pushtetit Vendor.

SASPAC u krijua në vitin 2021 si një “agjenci” që do të menaxhonte dhe shpërndante fondet e huaja në Shqipëri.

Prej krijimit, SASPAC ka si mision koordinimin e ndihmës së huaj për programet e projektet zhvillimore, monitorimin e zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Evropian 2022-2030, ofrimin e mbështetjes metodologjike në hartimin e strategjive ndërsektoriale dhe sektoriale.