Erika Kirk, e veja e aktivistit konservator Charlie Kirk, ka shpallur publikisht mbështetjen e saj për JD Vance si kandidat për president në zgjedhjet e vitit 2028. Deklarata e saj u bë në ditën e parë të konferencës vjetore America Fest të organizatës Turning Point USA, e themeluar nga bashkëshorti i saj, i cili u vra në shtator.
“Ne do ta zgjedhim mikun e bashkëshortit tim, JD Vance, si presidentin e 48-të në mënyrën më të fuqishme të mundshme,” tha Kirk, duke iu referuar faktit se Donald Trump është presidenti i 47-të. Vance pritet të flasë në këtë konferencë të dielën.
Turning Point USA ka luajtur një rol të rëndësishëm në zgjerimin e bazës së mbështetjes për Trump, gjë që ndihmoi në fitoren e tij në zgjedhjet e vitit 2024. Mbështetja e hershme për Vance shihet si një sinjal i garës së brendshme për pasuesin e Trumpit në vitin 2028, shkruan BBC.
Konferenca në Phoenix, Arizona, u shndërrua në një arenë përplasjesh mes figurave konservatore. Ben Shapiro sulmoi hapur rivalët e tij mediatikë Candace Owens, Tucker Carlson, Megyn Kelly dhe Steve Bannon, duke i quajtur “mashtrues dhe përfitues”. Carlson iu kundërpërgjigj menjëherë, duke e cilësuar Shapiron “arrogant”.
Candace Owens, ish-punonjëse e Turning Point, ka qenë shpesh problem për republikanët, duke shtyrë teori konspirative, përfshirë sugjerime të pabaza mbi vrasjen e Charlie Kirk. Ndërkohë, tensionet brenda lëvizjes konservatore po shtohen, me debate mbi të ardhmen e lëvizjes Maga dhe rolin e Trumpit.
Autoritetet kanë deklaruar se i dyshuari për vrasjen e Charlie Kirk, Tyler Robinson, e ka kryer aktin pasi “ishte lodhur nga urrejtja e tij”.
Konferenca katër-ditore America Fest do të vazhdojë gjatë fundjavës, me JD Vance dhe Donald Trump Jr si folës kryesorë të së dielës.
Komente










