Tre persona janë kapur në Durrës gjatë janarit dhe shkurtit duke drejtuar makinën nën efektin e lëndëve narkotike.

Sipas të dhënave të Policisë së Durrësit, rasti më i fundit ndodhi në fund të shkurtit kur një 23 vjeçar u kap duke i dhënë makinës pa rrip sigurimi në aksin Tiranë Durrës. Gjatë kontrollit të policisë, i riu me inicialet A.T. u nervozua dhe shfaqi sjellje të dyshimta.

Policia përdori aparatin që teston përdorimin e drogës tek njeriu dhe testi e nxorri pozitiv për konsum të lëndës narkotike. Ai u arrestua, ndërsa materialet në ngarkim të tij iu referuan Prokurorisë së Durrësit. Në bazë të këtyre të dhënave, Policia Rrugore apelon që drejtuesit të mos ulen në timon nën efektin e alkoolit apo lëndëve narkotike.

Njoftimi i plotë i policisë


"Shkon në 3 numri i drejtuesve të automjeteve që janë kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore duke drejtuar automjetet në efektin e lëndëve narkotike. Arrestohet në flagrancë 23-vjeçari që u kap dje duke drejtuar automjetin në efektin e lëndëve narkotike dhe pa vendosur rripin e sigurimit. Shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Durrës, gjatë patrullimit me objektiv parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, ndaluan në aksin rrugor “Tiranë–Durrës” një automjet ku  drejtuesi qarkullonte pa vendosur rripin e sigurimit. Gjatë veprimeve policore, drejtuesi i automjetit shfaqi sjellje të dyshimta. Pas kryerjes së testit me aparatin drogëtestues, ai rezultoi në efektin e lëndëve narkotike. Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë drejtuesi i automjetit, shtetasi A. T., 23 vjeç. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme. Policia Rrugore e Durrësit, gjatë muajve janar dhe shkurt, ka vënë në pranga edhe dy drejtues të tjerë automjetesh që drejtonin automjetet nën efektin e lëndëve narkotike. Në këtë kuadër, Policia Rrugore e Durrësit apelon për drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të mos drejtojnë automjetet në efektin e alkoolit, në gjendje të dehur apo në efektin e lëndëve narkotike"