Bashkia Tiranë së bashku me mbështetjen e KFW dhe Qeverisë Shqiptare prezantuan projektin e Linjës së Shpejtë të Autobusëve. Kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se ky projekt inovativ prek 3 linja urbanësh.

“Të kalojmë në një sistem ku praktikisht në mënyrë të pandërprerë korridori i autobusëve as të mos penetrohet nga makinat apo këmbësorët, por të jetë në mënyrë të drejtë sidomos në ato rrugë apo linja që tashmë i kemi përcaktuar që janë Tirana e Re, Unaza dhe Kombinati që do të kalojnë në këtë sistem”, tha Veliaj. 

=Gjatë prezantimit të projektit për Linjën e Shpejtë të Autobusëve, ose ndryshe Bus Rapid Transit (BRT), kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka folur edhe për rastet e fundit të përfshirjes në aksident të autobusëve. Duke analizuar shkaqet, por dhe faktin e shtimit të numrit të tyre në Tiranë, pothuajse 4-fish krahasuar me më parë, Veliaj tha se në shumicën e tyre aksidentin e ka shkaktuar një makinë dhe jo autobusi. 

“Nga 100 autobusë që kishim 8 vjet më parë, sot në Tiranë qarkullojnë 420 autobusë. Vetëm 4-fishimi i flotës së tyre do të thotë se ka më shumë mjete në rrugë. Kur dikush pyet se çfarë po ndodh me aksidentet me autobusë duhet të kuptojë se siç janë shtuar Mercedesët, janë shtuar edhe autobusët. Kur kishim 100 mjete dhe autobusi vinte një herë në 37 minuta, probabiliteti që të kishte aksidente ishte më i vogël. Kur autobusët janë shtuar në numër dhe tani vijnë në stacion çdo 7 minuta, frekuenca që të takosh të ngjashmit, pra mjete të tjera motorike, sigurisht është më e madhe. Kam analizuar 7 aksidentet e fundit dhe në 5 raste ka qenë një makinë, e cila i ka hyrë në brinjë autobusit, pra nga padurimi për të dalë nga kthesa godet autobusin”, tha ai. 

Nga ana tjetër, sa i përket dy rasteve të tjera, Veliaj tha se të dy shoferët janë ndjerë keq për shkaqe shëndetësore.

“Në dy rastet e tjera, sipas raportimit të policisë, ishte shoferë të cilët pësuar gjendje të fikëti. Po kur është bërë e paligjshme të sëmuresh? Kur është bërë raca jonë kaq e pandjeshme ndaj një njeriu që pati tension? Kush nga ne është kollosi i Rodosit, që nuk ka asnjë sëmundje, që nuk sëmuret kurrë, që nuk teshtin kurrë, që nuk ka alergji, nuk ka tension? Ky qytet, mbi të gjitha, është një qytet me njerëz dhe thotë ‘ndjesë mor njerëz, pata një kolpo tensioni’. Kur arrihet të provohet se nuk kishte konsumuar as alkool, as nuk po ecte me shpejtësi, por ka këtë problematikë, pse shpërfytyrohemi sa herë vjen fushata dhe shpallim kriminel një njeri që ka hipertension? Pra, në 7 raste, 5 ishin shoferët e makinave fajtorë të shpallur nga policia. Nuk ishte shofer kryetari i Bashkisë, as drejtuesi i kompanisë. Rasti i tjetër, ai i linjës së Krrabës, ishte jashtë orarit të punës dhe nuk po transportonte pasagjerë. Ishte shoferi me fatorinon dhe shokët e tyre. As kishte pirë, as po ecte shpejt”, shpjegoi Veliaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:53
Veliaj: Tirana rritet me 20-25 mijë banorë në vit, falë punës dhe investimeve kemi arritur të jemi një qytet i suksesshëm

Në prezantimin e projektit për Linjën e Shpejtë të Autobusëve (BRT), ku ishin të pranishëm ekspertë të transportit nga agjencia gjermane e GIZ-it, përfaqësues të kompanive të transportit qytetas dhe ndërqytetas, si dhe ekspertë të lëvizshmërisë nga Bashkimi Europian, kryebashkiaku Erion Veliaj, tha se Tirana është një qytet që rritet me 20-25 mijë banorë në vit, çka sjell një rritje me 8 mijë apartamente dhe 8 mijë makina. 

Ai shtoi se këto numra bëjnë që Tirana përballet me një sfidë për lëvizshmërinë, të cilën po e kalojnë të gjitha qytetet e medha, qoftë Athina, Roma apo Milano.

“Ndonjëherë bëhemi viktima të suksesit tonë. Po të ishim një qytet i pistë, një qytet pa ekonomi, pa sukses, një qytet pa shpresë, pa rroga të larta, një qytet  pa art e pa kulturë, pa vit sporti e pa vit rinie, pa turistë, nuk do t’i kishim këto probleme. Për sa kohë që Tirana është pika kryesore e gravitetit dhe e suksesit në Shqipëri, apo në të gjithë kombin shqiptar dhe në rajon, dhe Tirana rritet me këto ritme, kjo është normale”, tha Veliaj. 

Kryebashkiaku shpjegoi njerëzit që lëvizin me makina në Tiranë janë vetëm 24.7% e qytetarëve dhe mbi 51% e qytetarëve ecin.

“Ata që lëvizin me makina janë vetëm 24.7%, por duke qenë se makina është mjet më i madh, zë më shumë hapësirë dhe ka bori, kurse një individ nuk mund të bëjë të njëjtën zhurmë, atëherë ne automatikisht i japim më shumë rëndësi një minorance të zhurmshme dhe jo detyrimisht asaj që, statistikisht është shumica e popullsisë. Pra, mbi 51% e qytetarëve ecin, kurse ata që përdorin autobusin janë 17.45% dhe me biçikletë janë 4.2%”, vijoi ai. 

Sa i përket lëvizshmërisë në qytetin e Tiranës, kreu i Bashkisë tha se trendet kanë ndryshuar dhe se banorët e Tiranës po lëvizin më shumë në këmbë ose me biçikleta apo me autobusë, falë investimeve dhe standardit që ka vendosur ky qytet falë punës nga bashkia.

“Ju kujtohet që në Tiranë, mbrapa qendrës, për të dalë te Hotel Tirana, na duhej të futeshim nga cepi ku ndodhej një lavazh, një tjetër priste xhama, pastaj në një zgëqe tjetër ishte gomisteri dhe vaji i makinave derdhej rrugëve? E kemi harruar se “Unaza e Vogël” nuk ekzistonte fare apo “Sheshi Skënderbej”, ku ti duhet të kërceje si kaproll për të kaluar nga njëra anë e sheshit te tjetra? Sot sheshi është jo vetëm një hapësirë e këndshme, e mbushur me turistë, por dhe një hapësirë për aktivitete të jashtëzakonshme, që më përpara nuk i bënim dot”, tha Veliaj.