Ermal Bega: Ju tregoj për
Sirinë e shqiptarët atje

Ermal Bega: Ju tregoj për <br />Sirinë e shqiptarët atje
Pyetje: Sa kohë keni jetuar në Siri dhe në ç’vend (me se jeni marrë atje)?

Përgjigje: Në Siri kam qenë dy herë brenda një viti, dhe gjithsej atje kam jetuar një vit të plotë, Tetor 2003 - Tetor 2004. Kam jetuar në Damask, por kam pasur mundësi të vizitoj një pjesë të madhe të Sirisë. Atje kam qenë duke kryer një kurs privat të gjuhës arabe, meqë kam studiuar studimet orientale dhe këtë gjuhë e kam pasur pjesë të studimeve. Gjithashtu, kam vizituar shumë vende, njerëz, institucione kulturore, kala, monumente, pazare, xhami dhe lagje të vjetra dhe të reja të Damaskut dhe Sirisë, ku në çdo pjesë që kaloje kishte histori dhe gjallëri.

Pyetje: Si është Siria? Si janë sirianët?

Përgjigje: Jeta në Damask dhe Siri, për mua personalisht është periudha më e mirë e jetës time, viti më i lumtur i jetës sime deri tani. Vetë vendi atje, me një histori shumë të gjatë (mos harrojmë të përmendim se Damasku njihet si qyteti më i vjetër në botë), me një përzierje historish botërore, me një përzierje të mrekullueshme dhe të paqshme fetare, etnike, kulturore, gjuhësore atje, më jepte vërtetë një përshtypje sikur jetoja mes shumë qytetërimesh në një vend.

Pyetje: A keni pasur shans të takoni shumë shqiptarë të tjerë atje? Po nga shqiptarët e hershëm, "Arnautët" a keni takuar? A ekziston në Siri një komunitet i formësuar shqiptar?

Përgjigje: Kam pasur rastin që për sa kohë që isha atje të takoja dhe shumë nga personalitet shqiptarë të vjetër të cilët jetojnë në Damask. Këtu mund të përmend dijetarin e madh musliman shqiptar Abdulkadër Arnauti, për të cilin qendra jonë në vitin 2009 ka botuar një libër për jetën dhe veprën e tij, pastaj Imam Vehbi Sulejman Gavoçi me të cilin kam bërë dhe një intervistë personale në 2004, pastaj Dr. Abdulatif Arnauti, Dr. Muhamed Mufaku-Arnauti, Shefqet Gavoçi (i cili ka qenë dhe mësuesi i gjuhës shqipe për shqiparët atje) etj.
Në Damask ka pasur më herët një komunitet të formësuar mirë të shqiptarëve. Sipas të dhënave që më ka treguar vetë prof. Shefqet Gavoçi, shqiptarët në Damask dhe Siri më herët kanë qenë më të afërt me njëri-tjetrin, qoftë në aspektin e banimit, të ruajtjes së traditave, kulturës, gjuhës shqipe etj.
Në Damask ka lagje të veçanta të shqiptarëve (Arnautëve), të cilat ekzistojnë që nga fillimi i shekullit 20. Këtu mund të përmend lagjen Divanije ku njihet që herët në Damask si Mahalla e Arnautëve, ku po ashtu gjendet dhe Xhamia Arnaut, e ndërtuar nga shqiptari Sulejman Gavoçi, me origjinë nga Shkodra. Arnautët atje janë gjendur dhe puqur shumë lehtë me popullsinë vendase dhe janë pritur shumë mirë. Gjithashtu, ata e kanë përfaqësuar veten e tyre në shumë aspekte të shoqërisë atje, në kulturë, në letërsi, në ekonomi, në politikë, në ushti etj., ku shumë emra shpiqtarësh atje kanë arritur dhe maja në fusha të ndryshme të jetës.
Një rrugicë në një nga lagjet e vjetra të Damaskut, në lagjen Ruk ad-Din, mban emrin e një shqiptari që ka jetuar dhe vdekur atje, Haitham al-Arnaut.

Pyetje: Ç’mendoni për situatën e tanishme në Siri? A mendoni se regjimi i Asadit do të bjerë? Për sa kohë mund të vazhdojë kjo krizë?

Përgjigje: Po i ndjek me zemërim dhe mall pothuajse çdo ditë ngjarjet e atjeshme, me lot në sy dhe dhimbje në zemër. Regjimi dhe pushteti i familjes Asad, i marrë mbase në mënyrë të padrejtë që nga fillimi i vet, me përkrahjen fillestare nga Franca, si ish-kolonizatorja e saj (nga e cila kanë marrë dhe instaluar në Siri tërësisht në mënyrë të njëjtë sistemin politik dhe arsimor të saj), e udhëheq Sirinë prej një periudhe shumë të gjatë kohore, rreth 40 vjet.
Gjatë kohës së qëndrimit tim 1-vjeçar në Siri, në vitin 2004, kam pasur shumë rezerva në të folur, sepse ishte një vend totalitar dhe nuk kishe të drejtë të flisje çfarë mendoje. Kam pasur rast të takoj arabë dhe shqiptarë të vjetër atje të cilët më tregonin për gjendjen e vështirë në të cilën jetonin, në veçanti në aspektin politik. Kishte njerëz që dhe ndiheshin të diskriminuar nga shteti për shkak se nuk pranonin qeverinë që sundonte, dhe disa prej tyre bile më flisnin dhe hapur dhe me inat kundër një sistemi të tillë.
Siria që prej marrjes së pushtetit nga Hafiz al-Asad dhe gjatë gjithë kohës në pushtet ka ushtruar një veprimtari të ashpër armiqësore ndaj kundërshtarëve të partisë në pushtet, dhe mendoj se shumë nga banorët e Sirisë, jo vetëm tani që i kapi vala e “pranverës arabe”, por gjatë gjithë këtij sundimi kanë vuajtur në mënyra të ndryshme, dhe tani po shihet nga gjithë bota.
Një regjim i tillë dhunues i popullit tënd për shkaqe fetare, politike, etnike etj. mendoj se është i papranueshëm për një vend si Siria me një kulturë dhe qytetërim të lashtë. Fatkeqësisht, mendoj se nëse ky regjim do të qëndrojë sërish në pushtet, por që e ndjej me zemër që do të bjerë së shpejti, Siria do të pësojë shumë humbje. Për mua, kjo krizë (nëse mund ta quajmë të tillë) do të dështojë shpejt, dhe besoj se me ndihmën e Zotit, populli që beson në forcat dhe aftësitë e veta do të triumfojë, dhe shpresoj se një brez shumë më i mirë do të udhëheqë me drejtësi popullin e Sirisë.

Pyetje: A mendoni se mes Shqipërisë dhe një Sirie demokratike në të ardhmen mund të ketë marrëdhënie më të gjera ekonomike, kulturore e diplomatike?

Përgjigje: Në Shqipëri, që nga viti 2009 ekziston konsullata e Sirisë, e cila është e varur drejtpërdrejt nga ambasada e Sirisë në Athinë, dhe për Shqipërinë gjendet një konsull nderi, biznesmeni siriano-shqiptar Jahja Fervati. Në fakt, do të thoja që jo vetëm mes Shqipërisë dhe Sirisë demokratike, por prej kohësh mendoj se është dashur të ekzistojnë marrëdhëniet dypalëshe në aspektin kulturor, ekonomik, diplomatik etj. Siria ka një pasuri jashtëzakonisht të madhe kulturore që duhet “shfrytëzuar”. Kam hasur shumë pak shqiptarë të interesuar në aspekt të përgjithshëm për Sirinë, ndërkohë kam njohur sirianë që janë të interesuar për Shqipërinë dhe për lidhje të ndryshme mes dy popujve.
Mendoj se shteti shqiptar duhet të mendojë për hapjen e qoftë një konsullate të Shqipërisë në Damask, e cila do të shërbejë si urë lidhëse për lidhje të ndryshme me të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme. Në veçanti, mund të them që do të ishte një rast shumë i mirë dhe për shqiptarët (Arnautët) e shumtë që jetojnë në Siri, Jordani, Palestinë dhe Liban (Tokat e Shamit), për t’u lidhur sa më shumë me Shqipërinë në aspektin kulturor, ekonomik, turistik etj. me anë të një përfaqësie atje. Por, atje, si përfaqësues i Shqipërisë, duhet dërguar dikush që e njeh mirë vendin dhe rajonin, në mënyrë që të japë sa më shumë kontribut në marrëdhëniet mes dy vendeve tona.

Intervistoi për Respublica.al: Armir Taraj

Linqe të artikujve e shkrimeve të ACFOS mbi Arnautët e Sirisë dhe Lindjes së Mesme:
http://orientalizmi.wordpress.com/category/arnautet/
http://orientalizmi.wordpress.com/2012/01/12/maruf-arnauti-romancieri-i-pare-ne-letersine-siriane/
http://albanianorientalist.blogspot.com/2011/01/journey-to-land-of-ancestors.html

Ermal Bega, Drejtorin Ekzekutiv të ACFOS-Albania
(Qendra Shqiptare për Studime Orientale)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Trafik armësh drejt Britanisë së Madhe, GJKKO lë në 'arrest me burg' 3 të arrestuarit, 3 të tjerë në kërkim

Trafik armësh drejt Britanisë së Madhe, GJKKO lë në 'arrest me burg' 3 të arrestuarit, 3 të tjerë në kërkim