Kuvendi i Shqipërisë në seancën e parë të sesionit të ri, miratoi dekretin e Presidentit që emëron Ermonela Felaj në detyrën e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin. Me 76 vota pro, 1 votë kundër dhe 3 abstenime deputetët e mazhorancës miratuan dekretin, i cili emëron znj.Felaj në këtë post ministror. Ndërkohë, me 75 vota u miratua dekreti i shkarkimit të Ilirjan Celibashit nga kjo detyrë.

Punimet e sesionit të tretë të Legjislaturës së VIII-të, që nisën pas ndërprerjes njëmujore të pushimeve verore, u shoqëruan sërish me bojkotin e deputetëve të opozitës së djathtë, të cilët vijojnë t'i përmbahen vendimit politik të marrë gjatë muajit korrik dhe i konfirmuar në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, për të mos u bërë pjesë e veprimtarisë së Kuvendit. Por, në seancën e sotme ishin të pranishëm deputetë të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), pjesë e opozitës parlamentare. /ATSH/