LEZHE - Erozioni në bregdetin e Shëngjinit ka marrë përmasa të jashtëzakonshme duke shkaktuar dëme të parikthyeshme edhe për zonën e mbrojtur të Kune-Vainit. Përparimi i detit ka zaptuar të gjithë brezin e rërës, ndërsa ka bllokuar edhe punimet për segmentin rrugor që përshkon të gjithë vijën bregdetare. Prej kohësh mjedisorët kanë dhënë alarmin për përkeqësimin e situatës, e cila sheh si zgjidhje vetëm ndërtimin e skalierave mbrojtëse.

Ky erozion është i dukshëm më së shumti në afërsi të Kunës, pasi deti ka marrë para brezin e pishave duke hyrë edhe në lagunë. Depërtimi i këtyre ujërave në lagunën e Kune-Vainit është shkaku kryesor që dëmton florën dhe faunën e kësaj zone të mbrojtur, për të cilën Banka Botërore ka nisur prej 2 vitesh një studim të plotë mbi masat mbrojtëse dhe adaptuese të ndikuara nga ndryshimet klimatike qe aktualisht janë prezente në grykëderdhjet e lumenjve Drin dhe Mat.

Vërshimi i detit ka pasur një ndikim të madh dhe rëndues të gjendjes në bregdetin e Shëngjinit, duke bërë që edhe investimi i nisur për ndërtimin e rrugës së Kunës të kërkojë rishikimin e saj për shkak të kërcënimeve nga deti. Ky fakt pranohet edhe nga kryetari i komunës Shëngjin Salvador Kacaj. Kacaj ka deklaruar se është bërë një projekt për ndërtimin e një skalieri për të bërë të mundur mbrojtjen e rrugës.

Nëse nuk do të merren masa të menjëhershme, atëherë rrezikohet seriozisht ekzistenca e bregdetit të Shëngjinit në pjesën e dytë të saj në afërsi të Kunës. Ky nuk është fillimi, por vazhdimi i prezantimit të një situate që vjen gjithnjë në përkeqësim.

(eç/shqiptarja.com)