LIBRAZHD- Një rrëshqitje e madhe toke ka goditur fshatin Spathar në Bashkinë Librazhd, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa, rrugë dhe toka bujqësore.
Situata është më shqetësuese në Lagjen Hoxha dhe në zonën e ish-depos së furnizimit me ujë të qytetit, sic shihet ne pamjet me dron qe sjell Report TV.
Banorët tregojnë se lëvizjet e dheut kanë qenë të njëpasnjëshme gjate motit me shi, disa levizje brenda një ore.
7 banesa janë dëmtuar rëndë, ndersa te tjera kane deme me te lehta. Për familjet më të rrezikuara është dhënë urdhër evakuimi, por jo të gjithë kane pranuar te lene fshatin.
“Unë jam 91-vjeçe dhe nuk ka bërë vaki kjo lloj shembje. Dua që shteti të gjejë vetë zgjidhjen. Ne nuk largohemi nga fshati se nuk mund t’i marrim bagëtitë në pallat. Nuk kemi me çfarë të jetojmë”, tha një e moshuar.
Një tjetër banor kërkon që si fillim shteti t‘u dërgojë çadra për strehim të përkohshëm dhe më pas të ndihmohen me fonde për të rindërtuar banesat e dëmtuara”.
Ndërsa një grua me lot në sy shprehet se “kemi një javë që flemë natën tek fqinjët dhe ditën kthemi në shtëpine e demtuar sepse kemi bagëtitë që duhen kullotur”.
Bashkia e Librazhdit ka ofruar strehim të përkohshëm në shtëpi me qira ne qytet, me mbulim te shpenzimeve për një vit. Kryeplaku i fshatit, Nazmi Xhabli, thekson se te gjithe duhet te largohen pasi zona eshte e pasigurt.
“Spathari njihet si zonë me problematika gjeologjike, dhe aktualisht situata është e vështirë ndaj duhet të zhvendosen nga zona e rrezikut,” tha Xhabli.
Ekspertët paralajmërojnë se masat e ndërmarra deri tani nuk janë të mjaftueshme. Për të shmangur rrezikun, duhet te kryhet stabilizimi i masës së dheut me mure mbajtëse dhe rrjeta. Nevojtet analize gjeologjike dhe plan urbanistik, për të shmangur rindertimin e shtepive ne kete zone.
Komente








